OPINION

Një ‘Po’ e kushtëzuar në formë, një ‘Jo’ në thelb

07:40 - 26.09.19 Erisa Zykaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Formulimi i vendimit të kushtëzuar të Bundestagut për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE merr formën e një ‘Po’-je si shprehje e vullnetit për të mos rrudhur shpresat e qytetarëve shqiptarë për një transformim rrënjësor politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ky transformim kalon përmes procesit të negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian, që pritet të vazhdojë rreth 15 vjet. Në parim, të zgjedhurit e popullit gjerman u japin një sinjal qytetarëve shqiptarë, se standardet europiane për demokracinë, shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe drejtësinë sociale për të cilat ata duan të integrohen në Bashkimin Europian nuk mund të realizohen përveçse përmes hapjes së negociatave. Ndaj, mbyllja e derës së BE-së për vendin nuk shërben, pasi problemet mund të zgjidhen më lehtë, kur kontrolli i Bashkimit Europian bëhet më i rreptë gjatë negociatave, sesa jashtë kësaj kornize. Së dyti, është një vendim gjeostrategjik: Nuk është në interesin e Bashkimit Europian ta lerë Ballkanin në duart e faktorëve të tjerë dhe as të tolerojë daljen jashtë kontrollit të shteteve ballkanike me tendencë autokratike, duke qenë se ato do të jenë pjesë e familjes së ardhshme europiane. Parë nga perspektiva europiane, kjo përkthehet ndryshe: “Procesi i zgjerimit nuk ka vdekur”.
Po kushtet?
Një ‘Jo’ në thelb
Kushtet përkthejnë një ‘Jo’ në thelb për vlerësimin e reformave të qeverisë shqiptare. Nuk ka hapje negociatash derisa të përmbushen disa kushte. Hapja e negociatave ndodh vetëm kur të ketë vendim unanim të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian që konsiderojnë në thelb se Shqipëria është gati. Zyrtarizimi i hapjes së negociatave bëhet përmes një date për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Në tekstin e Bundestagut nuk ka datë. Aty thuhet se konferenca e parë ndërqeveritare mund të zhvillohet vetëm kur Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë të jenë funksionale dhe kur të aprovohet reforma zgjedhore. Këto kushte tregojnë se deputetët gjermanë janë të vetëdijshëm që reforma e drejtësisë, e trumbetuar si një sukses i madh, mbetet e tillë vetëm në letër. Nga ana tjetër, ata tërheqin vëmendjen te një problem jetik i demokracisë shqiptare: zgjedhjet jashtë standardeve demokratike: A mund të hapen negociatat me një vend që nuk është një gjendje që të bëjë as zgjedhje të lira, demokratike dhe të pakontestueshme? Është e qartë se para se të plotësohen këto dy kushte lidhur me reformën në drejtësi dhe parimin bazë të një demokracie nuk do ketë çelje të negociatave. Kjo mund të marrë disa muaj. Në rastin më të mirë të mundshëm, Shqipëria mund të pretendojë të hapë negociatat vitin e ardhshëm. Në Bruksel, në Këshillin e Ministrave, kushtëzimi i Gjermanisë për Shqipërinë lehtëson, pasi ai eviton ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria për të cilat përgatiteshin institucionet europiane. Nga ana tjetër, ai i hap rrugën një rishikimi të qëndrimit nga ana e Francës dhe Holandës, që vazhdojnë të jenë kundër. Kjo pasi, përveçse ka kushtëzim, ky kushtëzim shkon në rritje.




Një kushtëzim në rritje
Kalimi në fazën e dytë, që shënon hapjen substanciale të negociatave është konferenca e dytë ndërqeveritare dhe hapja e kapitujve të parë të negociatave i nënshtrohen një kushtëzimi edhe më të madh. Praktikisht, fillimi i punës konkrete të negociatave të anëtarësimit që është hapje e kapitujve të parë, nuk mund të ndodhë para se të plotësohen 7 kushte të tjera që janë bërë tashmë publike. Ato konfirmojnë në thelb qëndrimin e Gjermanisë, Francës dhe Holandës se rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës së gjyqësorit dhe administratës publike nuk janë të mjaftueshme, nuk janë të prekshme dhe nuk janë bindëse. Për rikujtesë dhe kontrast: Në 2010-ën, në Komisioni Europian vlerësonte në opinionin e tij se Shqipëria duhet të përmbushte 12 kushte para se të hapte negociatat e anëtarësimit. Në 2019-ën, shtetet anëtare të Bashkimit Europian po shkojnë drejt një vendimi me 9 kushte për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë shans të hapë negociatat para 2020-ës. Pra, në një këndvështrim të thjeshtëzuar, ajo që Shqipëria ka bërë në një dhjetëvjeçari 2010-2020 është se ka fituar 3 kushte më pak. Lind pyetja: Që nga 2014-ta, kur Shqipëria mori statusin e kandidatit, a është progres apo regres?

Nuk përjashtohen kushte të tjera
Në Bruksel nuk përjashtojnë që Franca mund të ketë kushte shtesë për Shqipërinë, duke pasur parasysh shqetësimin e saj për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë. Siç dihet, azikërkuesit shqiptarë zinin vendin e parë për kërkesat e azilit në Francë për 2017-ën, por edhe për 2018-ën. Nga ana tjetër, Holanda e ka shprehur zyrtarisht përmes mocionit të Parlamentit të saj të 22 qershorit 2018 se është kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky mocion mbetet ende në fuqi dhe nuk dihet nëse do ndryshojë. Gjermania luan në këtë rast një rol determinues, që Shqipërisë të mos t’i mbyllet dera, por pa bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh. Bashkimi Europian tregon se nuk mund të tolerojë shkelje të shtetit së të drejtës, përdhosjen e parimeve bazë të demokracisë dhe dhunimin e të drejtave themelore. Dhe i jep një shans klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën. A nuk ishte shansi që pritej nga faktori ndërkombëtar?
“Lapsi.al”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.