OPINION

Qetësia pas ‘Venecias’

07:20 - 29.09.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni Evropian për Demokracinë përmes Ligjit (i njohur më mirë si Komisioni i Venecias, ngaqë mblidhet katër herë në vit në këtë qytet italian) është organi këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese. I ngritur në vitin 1990 dhe me një eksperiencë 29-vjeçare, kjo strukturë ka ndihmuar shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore të dala nga perdja e hekurt sovjetike të fitonin profile të qarta me kushtetuta demokratike dhe sundim të shtetit ligjor. Komisioni ka mbi 150 anëtarë individualë nga të 62 shtetet anëtare të tij. Shumica profesorë të jurisprudencës në universitete të njohura të botës, gjyqtarë ose ish-gjyqtarë të gjykatave kushtetuese të vendeve përkatëse, si dhe ekspertë të njohur të mendimit ligjor kushtetues.




Roli i Komisionit të Venecias është që të sigurojë këshilla juridike për shtetet anëtare të tij dhe veçanërisht, të ndihmojë shtetet që dëshirojnë të sjellin strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe përvojën ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe qeverisjes se ligjit. Komisioni ndihmon gjithashtu për të siguruar përhapjen dhe konsolidimin e një trashëgimie të përbashkët kushtetuese, duke luajtur një rol unik në menaxhimin e konflikteve. Ai po ashtu siguron “ndihmë kushtetuese emergjente” për shtetet në tranzicion.

Opinioni paraprak i tij për ligjshmërinë e veprimeve të kreut tonë të shtetit na jep të gjithë ne qytetarëve të Shqipërisë një qetësim të paçmuar, në mungesë të një mendimi të pavarur dhe të domosdoshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e cila praktikisht nuk ekziston (ka vetëm një anëtar). Ky komision e zëvendësoi më së miri zbrazëtirën e krijuar. Madje, me akoma më shumë peshë, nga fakti që është totalisht i pandikueshëm nga interesat e forcave tona politike. Dhe për këtë arsye, mendimi i tij profesional bëhet në sytë tanë akoma dhe më shumë i besueshëm. Dhe duke i besuar këtij mendimi të një strukture serioze që këshillon prej tri dekadash Evropën dhe botën në të gjitha problematikat e zbatimit të kushtetutave, kemi sigurinë se vendi nuk do të ngelet kurrë më pre e aventurave kalorsiake në emër të mbrojtjes së ligjit themelor të shtetit. Komisioni i Venecias mbrojti seriozitetin e një shteti evropian, shtetit shqiptar, duke dhënë mendimin e tij profesional.

Themelet e shtetit tonë nuk mund të lëkunden më. Pse i ka ndihmuar “çimentoja” më cilësore në botë, e mbrujtur me kodet e praktikave të mira në zgjedhje në 87 vende të botës në 29 vjet, në dhjetëra referendume dhe mijëra këshilla për partitë politike, në dhjetëra opinione, kryesisht të përbashkëta me OSBE-ODIHR për legjislacionet zgjedhore të 82 vendeve në botë, në dhjetëra misione të asistencës pranë dhjetëra komisioneve zgjedhore në vende me paqëndrueshmëri politike të theksuar. Ja përse si qytetarë jemi më në fund të qetë. Pse kjo “çimento” veneciane i ka betonuar këtej e tutje edhe themelet e shtetit tonë. Jo thjesht spërkatur. Pse këtej e tutje, asnjë aventurë nuk mund të ndërmerret më në emër të Kushtetutës së vendit. Pse institucioni i kreut të shtetit më në fund rifitoi peshën dhe dinjitetin të sprovuar skajshëm nga një vullnet politik i maskuar keq si shpëtimtar i rendit kushtetues tek ne. Politika e ditës mori mesazhin më të qartë se me frymën e Kushtetutës, nuk mund të luajë më asnjë politikan. Nga sot, Kushtetuta e Shqipërisë ka një pagëzues dhe një mbrojtës të jashtëm me peshë në të gjithë botën: Komisionin e Venecias, këtë strukturë kaq profesionale të Këshillit të Evropës. Faleminderit Komision i Venecias!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.