Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës Isuf Kalo i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se është akuzuar nga Liljana Hoxha se ka helmuar diktatorin. Kalo u shpreh se kjo është një akuzë e pavërtetë dhe se Hoxhës i ka shërbyer sa herë ka qenë sëmurë.
“Liljana Hoxha ka thënë se e kam helmuar unë Enver Hoxhën dhe po ashtu edhe Sulo Gradeci. Njëherë jam akuzuar se kam zgjatur jetën e diktaturës, sepse isha mjek i Enverit, kurse tani akuzohem se e paskam helmuar. Enver Hoxha nuk është helmuar, por është shëruar sa herë ka pasur nevojë. Për Enver Hoxhën është bërë gjithçka që të mbahej gjallë”, tha Kalo.
“Blloku ishte një vend i vogël, i mbyllur dhe të gjithë merreshin me fjalë, që shiko si vishet ky apo ai. Kjo do të thotë se gratë kishin edhe garën me njëra – tjetrën. Blloku u bë tokë e lakmuar. U bë një ambient, ku djemtë beqar donin të kishin vajza të bukura, sepse kishin favore nëse bëheshin dhëndër aty. Po kështu edhe vajzat e kishin për synim, sepse ndryshonin jetën e tyre dhe të familjes së tyre. Një pjesë e martesave kështu u bë dhe kjo dërgoi në një situatë shumë të vështirë, ku Blloku u shemb dhe shumë nga këta u divorcuan”, deklaroi Kalo.