Sociale

Entela Binjaku: Tërmeti, prindërit duhet të punojnë me fëmijët, disa këshilla për t’iu kthyer normalitetit

08:53 - 04.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Edhe pse ka disa ditë qëkur tërmeti apokaliptik tronditi fuqishëm Shqipërinë,  situata nuk është normalizuar ende. Familjet e prekura i kujtojnë mes lotësh ato momente terri dhe janë ende të traumatizuar për gjithë ç’ndodhi. Të vegjlit e tyre nuk janë më si më parë, pohojnë të shqetësuar prindërit. Po për t’u ardhur në ndihmë, në këto ditë tejet të vështira ne arritëm të komunikojmë me sociologen e njohur, Entela Binjaku. Për “Gazeta shqiptare”, Binjaku ndan përjetimet personale të 26 nëntorit, na njeh më nga afër me situatën dhe jep disa zgjidhje efikase e këshilla të vlefshme për ta kaluar këtë gjendje, por dhe për të qëndruar të qetë në këto ditë kur lëkundjet dëgjohen ende.




Kanë kaluar disa ditë nga tërmeti apokaliptik i 26 nëntorit. Si fillim, donim të dinim si e përjetuat ju?

Po natyrisht që u frikësova, isha në gjumë në atë orë dhe kjo  ishte edhe  një frikë e panjohur. Nuk kam qenë në Shqipëri në tërmetin e 21 shtatorit dhe kjo situatë ishte tërësisht e re për mua. Veprova, siç mbaja mend që kur kisha mësuar në shkollë që fëmijë se në raste të tilla duhet të hysh poshtë derës dhe atë bëra. Më dridheshin duart, nga frika. Hapa televizorin sepse mendova mos dikush e raportonte, por kur tronditja kaloi shkova të fle. Kur jam zgjuar, dy orë më vonë nga mediat kam mësuar për shkatërrimet dhe për njerëz që kishin humbur jetën.  Që nga ai çast e të gjitha orët në vazhdim ishin orë pikëllimi për jetët e shuara,  shprese për jetë të mbijetuara dhe trishtimi të madh për dëmet e pësuara.

Gjendja ende nuk është stabilizuar. Sipas jush, si duhet të reagojnë njerëzit në situata të fatkeqësive natyrore?

Ne nuk jemi edukuar me këtë lloj kujdesi. Njohuritë i kemi të pakta për katastrofat natyrore. Shpesh mendojmë se përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet e dherave, tornadot, uraganet, cunamet, aksidentet nukleare etj. nuk ndodhin tek ne. Ky tërmet duhet të na bëjë të merremi seriozisht me kujdesin që duhet të tregojmë në raste katastrofash. Duhet që shoqëria të edukohet dhe të informohet si reagohet në rast tërmeti,  në raste zjarresh, në raste përmbytjesh, rrëshqitjeve të dherave, në raste ngricash etj. Sepse masat për parandalim, mbrojtje dhe ndërhyrje që aplikohen në disa raste janë të njëjtat (p.sh. rrëshqitjet e dherave dhe tërmetet), por në raste të tjera janë të ndryshme. Në rastet e ngricave masat janë të tjera sepse njoftohen në kohë dhe mund të merren disa masa që pasojat të reduktohen etj. Pra, me këtë dua të them se sapo të rifitojmë qetësinë, që është këshilla e parë që jepet, duhet të merren masa që popullata të informohet mbi reagimet  në mënyrë që të marrë masat për të përballuar sa më lehtë.

Në raste të këtilla nevojitet të ruhet qetësia, të mos hyhet në panik, të qetësohen të moshuarit, fëmijët, të sëmurët dhe gratë shtatzëna, njerëzit që janë lënduar më së shumti apo që rrezikojnë të lëndojnë veten. Këto janë të parat kategori që kërkojnë kujdes.

Më të prekurit nga paniku janë fëmijët. Çfarë mund t’u sjellë atyre normalitetin?

Fëmijët janë edhe të parët që mendohen në çdo rast të tillë. Ata janë drejtpërdrejtë përgjegjësia e të rriturve. Normaliteti u rikthehet me rikthimin në rutinën e tyre fëminore: me lojërat, shkollën, bashkëmoshatarët, me organizimet për të kaluar sa më shpejt këto ditë që shumë prej tyre ndjehen të frikësuar. Është e ditur se fëmijët si të tillë nuk janë në gjendje të kontrollojnë emocionet. Por me kalimin e kohës fëmijët kuptojnë se prindërit nuk kanë vetëm rolin e të kujdesurit, por edhe të të mësuarit. Po ashtu kuptojnë se edhe ata si fëmijë kanë për detyrë të dëgjojnë prindërit. Pra, sërish është në detyrimin e prindërve të kenë durim dhe të jenë mirëkuptues, të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë të vendosur në vendimet apo veprimet e tyre dhe te jenë konseguentë në veprimet e shpjegimet e tyre. Siguria e tyre përcjell tek  fëmijët të mësojnë të kenë edhe ata me shumë siguri.

Familjarët e fëmijëve që janë prekur nga tërmeti kanë pohuar se të vegjlit e tyre janë mbyllur në vete dhe janë ftohur emocionalisht. Cila është këshilla juaj për t’u ardhur në ndihmë?

Duhet të kuptojmë se çdo situatë krize është unike.    Ka fëmijë që kanë humbur prindër, familjarë të tyre. Për ta është e këshillueshme të gjejmë strehim tek të afërm, apo familje kujdestare për një kohë të kufizuar gjatë së cilës duhet ti monitorojmë, por mbi të gjitha duhet të veprojmë që pasojat shkatërruese për ta,  të kalojnë sa më shpejt. Këshillat tona në këto raste që prindërit duhet të tregojnë durim, duhet të tregohen mirëkuptues me fëmijët, sepse edhe reagimet e tyre  janë unike. Çdo këshillë sugjeron një komunikim, por çdo komunikim mbi të gjitha duhet të lidhet me kulturën e atij komuniteti.

Lëkundjet vazhdojnë edhe pas tërmetit të fuqishëm. Çfarë duhet bërë për të ruajtur qetësinë?

Organizata Botërore e Shëndetit ka dhënë edhe një guidë për Ndihmën e Parë Psikologjike që është  një përgjigje e organizuar, për njerëzit,  që ndodhen nën vuajtje dhe kanë nevojë për mbështetje.

Ka udhërrëfyes që mbështeten mbi  Standardet e njohura si Sphere (2011) dhe IASC (2007) ose të hartuara nga  Inter-Agency Standing Committee.  Në këto ditë të para është e udhës të jepet Ndihma e Parë Psikologjike (NPP) që mbështetet pikërisht mbi këto protokolle. Falë kësaj guide duhet dhënë mbështetje praktike pa shqetësuar, duhet të kryejmë vlerësimin e nevojave, duhet të kujdesemi që të sigurohen nevojat bazë për ushqim, ujë, informacione të nevojshme. Njerëzit duhen dëgjuar pa i detyruar të flasin. Duhen ngushëlluar dhe dhënë ndihmë të qetësohen. Duhet punuar që të marrin shërbime, të kenë akses në informacione dhe ndihmë sociale.  Jo të gjithë që kanë kaluar një situatë tërmeti kanë nevojë për ndihmë. Ndaj edhe ata që nuk dëshirojnë nuk duhen sforcuar, por duhet të jemi të pranishëm për cilindo kërkon ndihmë. E mira është që ndihma të ofrohet përmes një organizate apo një grupi pune.  Ndihma e parë psikologjike nuk kërkon domosdoshmërisht dikë që ka një formim në fushën tonë.  Çdokush që merr përsipër të ndihmojë në këtë situatë tilla duhet të veprojë në atë mënyrë që të respektojë sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat e njerëzve, duhet të veprojë në maksimum të mundësive dhe aftësive që ka, duhet të bëjë që të rriturit dhe fëmijët që ndihmon,  të jenë të sigurt dhe të mbrojtur nga dëmtimet tjera fizike ose psikologjike.

Ju njihni edhe më mirë terrenin. Nga rastet që keni studiuar, si paraqitet gjendja nga afër?

Tërmeti goditi shumë njerëz të pafajshëm, të varfër, njerëz thuajse të harruar.

Edhe pse Tirana  u dëmtua më pak krahasuar me zonat e tjera, ka një gjendje frike dhe paniku tek shumë qytetarë. Por, njerëzit duhet ta kuptojnë se kjo ishte një situatë që po shpjegohet nga shumë specialistë, duhet të kenë më shumë besim tek ekspertët, duhet të dëgjojnë ata që punojnë e veprojnë vetëm në interesin më të mirë të njerëzve. Jo çdo njeri që ka përjetuar tërmetin ka nevojë për ndihmë, edhe pse kur sheh se kudo ke njerëz që janë të frikësuar, më e pakta që mund të bësh është të flasësh me ta. Secili që do të ofrojë ndihmë në këtë situatë, duhet të trajtojë njerëzit me respekt dhe në përputhshmëri me normat e tyre kulturore dhe shoqërore.

Njerëzit rendin për të lëvizur gjatë lëkundjeve nga tërmeti. Në këtë rast, si i këshilloni ju?

Është e rrezikshme të vraposh apo të hidhesh nga dritarja sepse vala e fuqishme e tërmetit mund ti përfshijë dhe të lëndohen. Po të rrinë në këmbë, prej lëkundjeve mund të humbi ekuilibrin, ndaj më mirë të ulen, të qëndrojnë poshtë atyre vendeve, ku shohin më shumë siguri.

Mesazhi juaj për qytetarët për ditët në vijim.

Sot 6 ditë pas tërmetit, ka shumë qytetarë që kanë nevoja më të shpejta se të tjerët dhe këtu fjala është për njerëzit që janë lënduar shumë, që ndodhen ende në rrezik për jetën, që janë tejet të dëshpëruar e  goditur e nuk janë në gjendje të kujdesen për veten ose për fëmijët e tyre, ka njerëz që prej dëmeve të pësuara mund të lëndojnë veten etj.  Mendoj se mendimi, solidariteti dhe ndihma e parë duhet të shkojë fillimisht tek të këta.  Meqë sot qytetarët informohen prej internetit, duhet të lexojnë faqe të posaçme për edukimin, duhen afishuar postera në vende të dukshme ku fëmijët të mësojnë si të mbrohen, njerëzit duhet të bisedojnë mbi planin e shtëpisë, apo edhe të shtëpisë së fqinjëve, të diskutojnë prindërit dhe fëmijët për planin që ka familja në rast tërmeti, duhet të mësojmë si të japin ndihmën e parë, fëmijët të marrin pjesë në ushtrimet për mbrojtje që bën shkolla etj. Duhet të mësojmë si të mbrohemi jo vetëm gjatë, por dhe pas një tërmeti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.