Vdekja e afro-amerikanit Xhorxh Floid ka nxitur protesta të dhunshme në Amerikë.
Pasi u përplasën me forcat e rendit, disa qytetarë rrethuan dhe bastisën rajonin lokal të policisë, duke i vënë zjarrin godinës. Autoritetet bënë thirrje për largimin e personave nga ndërtesa pasi rrezikonin jetën nëse zjarri do u afrohej tubave të gazit dhe materialeve të tjera eksplozive që strehoheshin aty.
Presidenti Donald Trump shprehu zhgënjim për incidentet ndërsa paralajmëroi kryebashkiakun e qytetit të ulë tensionet përndryshe do thërrasë ushtrinë.
Shkak për përplasjet treditore është dhuna policore ndaj komunitetit me ngjyrë në vend, që të hënën do i merrte jetën 46-vjeçarit afro-amerikan, Xhorxh Floid.
Policia dyshonte se i ndjeri zotëronte kartëmonedha të falsifikuara dhe tentoi ta arrestojë. Kur viktima i rezistoi ndalimit, një nga policët e mbajti bllokuar për disa minuta duke i mbështetur këmbën mbi qafë.
46-vjeçari ankohej se po asfiksohej, por thirrjet e tij dhe të qytetarëve përreth u shpërfillën, dhe ai ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.Katër policët që ishin prezentë në vendngjarje janë shkarkuar nga detyra ndërsa organet e drejtësisë dhe FBI-ja po e hetojnë incidentin.
Në shtete të ndryshme të Amerikës u mbajtën protesta në sheshe duke bërë thirrje për ndaljen e dhunës policore dhe racore në vend.Disa prej tyre u shoqëruan me thyerjen e xhamave të automjeteve dhe me bllokim trafiku, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.