SHËNDET

Ermand Mertenika: Rreziku i përdorimit të bombolave të oksigjenit në shtëpi

12:27 - 08.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza Duro – Edhe pse po arrin gati një vit që prej rasteve të para në Shqipëri, pandemia COVID-19 vazhdon të jetë ende mes nesh. Në Shqipëri numri i të infektuarve është çdo ditë e më shumë në rritje e po ashtu edhe viktimat. Në një intervistë për suplementin Life Pages në “Gazeta Shqiptare”, inxhinieri i pajisjeve respiratore, Ermand Mertenika flet mbi pajisjet respiratore duke nisur nga oksimetri e deri te respiratorët. Ai këshillon që bombolat e oksigjenit të mos përdoren në shtëpi për të sëmurët me COVID pasi mund të ketë pasoja të rënda.

Pasi COVID-19 arrin të depërtojë në trupin tonë, çfarë ndodh në rastet kur prek mushkërinë?

COVID-19 godet sistemin tonë respirator, pra mushkëritë tona. Ai bllokon njësitë më të vogla që quhen Alevola, të cilat dërgojnë oksigjenin në gjak dhe nxjerrin dioksiodin e karbonit. Covid-19 pasi futet në rrugët respiratore infekton qelizat e shëndosha, dhe i shkakton atyre një modifikim të AND-së, e cila e kthen një qelizë, në një fabrikë të prodhimit të këtij virusi. Në këtë mënyrë pacienti i infektuar nuk ka më mundësi të marrë frymë në mënyrë natyrale dhe rrezikon të kalojë në vdekje klinike. Pikërisht kjo pandemi është një sfidë e madhe për inxhinierët fizikantë dhe ato biofizikantë të cilët hulumtojnë zgjidhjet e mundshme dhe gjithashtu inxhinierët gjenetikë të cilët përpiqen të inventojnë në lidhje me bllokimin e metamorfozës së qelizës së shëndoshë nga elementi viral COVID-19. Kjo pandemi, gjithashtu, është një sfidë për mjekët që janë në vijën e parë të trajtimit të pacientëve të infektuar me covid-19.

Aktualisht si paraqitet situata lidhur me pandeminë në vendin tonë?

COVID-19 akoma vazhdon të jetë deri diku problematik. Pra, në këtë moment kemi një numër të madh të qytetarëve të infektuar me covid të cilët e përjetojnë me simptoma të ndryshme duke filluar nga A-simptomatikët deri tek ata të cilët e përjetojnë me simptoma shumë të rënda deri në fazën e fundit të ndërhyrjes e njohur si “Intubimi Invaziv Endotrakeal”. Gjithashtu, vazhdimisht kemi një numër të madh pacientësh të cilët rikuperohen, pra shërohen totalisht dhe kjo investigohet çdo javë, pra reliativisht në çdo javë kemi rritje në mënyrë graduale të pacientëve të shëruar (ky është princip i lidhur me “Imunitetin e Tufës” pra sistemit imunitar të pacientëve). Qytetarët që vuajnë nga sëmundje të tjera adicionale janë deri diku të predispozuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të simptomave Covid dhe këta qytetarë duhet të respektojnë në mënyrë ekstremale rregullat anticovid.

Cilat janë pajisjet e oksigjenit?

Gjatë pikut më të lartë në shkurt-mars karantinimi në Shqipëri ndikoi në perceptimin e trajtimit të këtij elementi viral Covid-19. Dhe duke pasur parasysh që COVID-19 kishte target më tepër mushkëritë e pacientëve u analizua që pacientët të cilët u përshkallëzohej ky element viral, shfaqnin probleme me frymëmarrjen pra çdo ditë kishin vështirësi progresive të mungesës së oksigjenit në organizëm. Sipas kësaj e vetmja zgjidhje për të trajtuar këta pacientë ishin pajisjet e oksigjenit. Në pajisjet e oksigjenit përfshihen pajisjet monitoruese të oksigjenit (vlerës së oksigjenit në gjak) dhe pajisjet oksigjenuese të cilët janë: Bombolat e Oksigjenit, Gjeneratorët e Oksigjenit dhe ajo që ne i themi ndryshe është mushkëria artificiale (Respiratorët – Ventilatorët e Reanimacionit).

Gjatë kësaj periudhe shumë prej nesh kanë blerë oksimetrin për të kontrolluar nivelin e oksigjenit në gjak. Sa janë parametrat normal të tij dhe kur duhet të shqetësohemi?

Oksimetri dixhital është një pajisje e lirë dhe e vogël monitoruese e nivelit të oksigjenit (Saturimit të gjakut me oksigjen) në gjak ku çdokush mund ta ketë në shtëpi. Kjo pajisje të mundëson vigjilencën ndaj pandemisë pra ndikon në perceptimin në kohë të infektimit. Niveli normal i oksigjenit në gjakun e pacientit duhet të jetë mbi 93% pra (94-100%). Oksimetri dixhital është i rëndësishëm në këtë periudhë pandemie, por njëkohësisht shkakton stres psiko-neurotik tek qytetarët pasi mund të alarmohen për një vlerë të devijuar momentale nën 94%. Por nëse vlera e oksigjenit bie nën 93% nuk është e thënë që qytetarët të jenë të infektuar, por kjo mund të jetë dhe ftohje bronkiale, por, nëse vlera 93% qëndron për një kohë të gjatë mbi 1-2 orë dhe nëse përsëri e masim vlerën e saturimit të oksigjenit në gjak dhe vlera ka rënë përsëri, atëherë duhen marrë masa emergjente. Në anën tjetër të medaljes nëse vlera e oksimetrit dixhital tregon momentalisht 93% dhe pas 30 minutave shkon në 98 apo 99% kjo është diçka normale dhe e shëndetshme.

Po monitori i pacientit për çfarë shërben?

Monitori i pacientit është pajisje tjetër monitoruese e cila vlerëson vlerat jetike të pacientëve si rrahjet e zemrës, oksigjenin në gjak, tensionin, vlerat e frymëshkëmbimit, temperaturën etj. Monitorët e pacientit përdoren në qendrat spitalore në (Reanimacion) pasi është pajisje e shtrenjtë, por për çështje preferenciale mund të vendosen dhe në shtëpi.

Kohët e fundit pacientët e infektuar me sars cov 2, jo rrallëherë zgjedhin të marrin terapitë e oksigjenit në shtëpi duke marrë me qira bombola oksigjeni. Sa e këshillueshme është kjo?

Bombola e oksigjenit përmban sasi të lartë oksigjeni me pastërti mbi 90% dhe e pajisur me një kalibrator manometrik, e cila përcakton sasinë e duhur të oksigjenit që mund t’u jepet pacientëve në rast se vlera e oksigjenit në gjak ka rënë nën 93%. Unë nuk u sugjeroj qytetarëve të infektuar me koronavirus të pajisen me bombolat e oksigjenit në shtëpi pasi presioni shumë i lartë i oksigjenit në bombol mund të shkaktojë një shpërthim të mundshëm nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. Gjithashtu, kalibratori manometrik duhet mirëmbajtur me kujdes pasi është metal i thyeshëm dhe mund të shkaktojë dëme në pulmone si rezultat i oksigjenimit me vlerën e saktë. Gjeneratori i oksigjenit është një pajisje e këshillueshme që përdoret te pacientët e infektuar me covid pasi kjo pajisje është e sigurtë dhe nuk ka risk. Gjeneratori i oksigjenit ekstraton (filtron) oksigjenin nga ajri me anë të sistemit të disa filtrave. Vlera që u jepet pacientëve është deri në 10L/min.

Dhe ndalemi tek respiratorët. Si ndodh intubimi?

Mushkëria Artificiale (Respiratorët) janë faza e fundit e trajtimit të pacientëve me covid, pra faza në të cilët virusi ka progresuar në mushkëritë e pacientit dhe ai predispozohet të ketë vlerë shumë të ulët të nivelit të oksigjenit në gjak. Ventilatorët e Reanimacionit ose Respiratorët mbajnë në jetë këta pacientë në rast se intubohen (faza e fundit e trajtimit). Këto pajisje të përfolura janë shumë të rëndësishme në këtë moment pandemie pasi luajnë rolin e mushkërive artificiale. Nëse gjendja e pacientit me covid është përkeqësuar atëherë vetëm respiratorët janë ata që aplikohen. Respiratorët aplikohen në dy mënyra: mënyra më e lehtë e cila është faza e oksigjenimit me maskë ventilimi dhe mënyra e dytë e cila është tubi i drejtuar në trakenë e pacientit pra Intubimi Endo-Trakeal. Këto pajisje duhet të sterilizohen vazhdimisht pasi pacientë të ndryshëm kanë sëmundje adicionale të ndryshme dhe për të evituar ngjitjen e sëmundjeve nga një pacient tjetër tubat e Respiratoreve duhet të jenë ose mono-përdorimshme (një-përdorimshëm) ose duhet të sterilizohen gradualisht. Gjithashtu softueri (programi i respiratorëve të sofistikuar) janë të pajisur me alarme emergjente që duhen kushtuar shumë rëndësi në rast të një alarmi apo indikatori audio-vizual shfaqet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.