Dossier

Nga Dash Shehi te Bashkim Kopliku e Genc Ruli, gazetari Hamdi Jupe rrëfen ‘rebelët’ e PD-së që kërkuan largimin e Berishës në 1997: Çfarë deklaronte Këshilli Kombëtar për zgjidhjen e krizës

14:33 - 07.01.22 Gazeta Shqiptare

Nga Hamdi Jupe



Kriza e fajdeve ishte në kulmin e saj. Thuajse të gjitha kompanitë rentiere kishin falimentuar. Qytetarët që kishin humbur kursimet  kishin dalë në protestaa të dhunshme kundër pushtetit të Partisë Demokratike. Në shumë qytete të vendit ishin djegur institucionet publike si zyra, komiisariate policie, degë të bankave etj prej protestuesve të revoltuar.

Në Vlorë kishte një javë që vazhdonte protesta e qytetarëve pas falimentimit të firmës piramidale  “Gjallica”, e nisur më 6 shkurt.  Përpjekjet e përsëritura të shtetit për të shpërdarë turmat e revoltuara me dhunën e policisë kishin dështuar. Pamjet që vinin nga mediat për përplasjet e qytetarëve vlonjatë me policinë ishin të frikshme. Shteti kishte humbur kontrollin mbi pjesë të territorit të vendit. Zgjidhje politike nuk dukej në horizot.

Në këto rrethana u mblodh në Tiranë më 12 shkurt 1997 Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për të analizuar situatën dhe për të marrë masat për përballimin e gjendjes së rënduar. Në mbledhje ishte i pranishëm si gjithmonë “anëtari i kryesisë”, Presidenti i Republikës, Sali Berisha. Prej tre vjetësh në krye të partisë qëndronte si kukull zoti Tritan Shehu.

Ish – kryetari i mëparshëm i PD-së Eduard Selami, ishte sikterisur nga atdheu për në SHBA, pas një deklarate  të bërë në PD-në e Shkodrës në fundin e vitit 1994, menjëherë pas Refrendimit të humbur të Kushtetutës. Ai kishte thënë: “U  bë gabim që e hodhëm Projektin e Kushtetutës për miratim në referendum (6 nëntor 1994) Duhet ta kishim miratuar atë me konsensus në Parlament”. Kritika ishte e drejtëpërdrejtë për ideatorin dhe realizuesin e  fushatës së Referendumit të humbur, zotin Berisha. Kjo deklaratë “fëminore” i kishte kushtuar ish – pedagogut të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 largimin e tij në ekzil, sepse kishte kritikuar “Zeusin” Berisha. Kush kundërshton Berishën pra, është i humbur.

Përplasje të qytetarëve me policinë 1997

Por situata tani ishte më se e rëndë prandaj një grup ministrash, deputetësh dhe anëtarësh të tjerë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kërkuan një zgjidhje “radikale” për krizën. Ata kishin hartuar edhe një deklaratë të përbashkët që u paraqit në mbledhje në emër të tyre. Ne të ata kërkuan  gjëra të papërfytyrueshme deri atëhere dhe, për rrjedhojë, të papranueshme nga Berisha, prandaj ai i refuzon me forcë ato.

Kush ishin këta “rrebelë” të partisë? Këta ishin ministra, deputetë, kryetarë bashkish dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Partisë Demokratike në Tiranë e rrethe. Ja lista me katërmbëdhjetë emra: Dashamir Shehi, Alfred Serreqi, Tomorr Malasi, Leka Toto, Tomorr Dosti, Maksim Konomi, Bashkim Kopliku, Genc Ruli, Dritan Osmani, Zafer Ypi, Ariana Nati, Petrit Berhami, Shpëtim Mezini, Gëzim Zilja (kryetar i bashkisë së Vlorës)  Flitej se me këkresat e tyre ishte dakord edhe kryeministri Aleksandër Meksi. Çfarë kërkonin ata në deklaratën e tyre?

Pas shqetësimit për situatën e krijuar në vend ata shprehnin “idetë për gjetjen e rrugëzgjidhjeve dhe kalimit të situatës së jashtëzakonshme që ekziston sot në Shqipëri”. Deklarata theksonte që Partia Demokratike “të shprehet publikisht dhe me kurajë për gabimet dhe përgjegjësitë që i takojnë” për situatën e krijuar. “Brenda partisë duhet të rivendoset në mënyrë emergjente demokracia dhe funksionimi i hapur e transparent i të gjitha organizmave partiake statutore në qendër e në bazë” – vazhdonte deklarata.

Ajo vinte gishtin në plagë lidhur me demokracinë e brendshme në parti kur theksonte: Qëndrimet e PD-së duhet të jenë qëndrime rezultante e kolegjiale të gjithë partisë dhe jo vetëm të disa individëve që shfaqin egoizëm dhe mungesë largpamësie e gjykimi politik.” Për kë e kishte fjalën deklarata  vallë, në mos për vetë Berishën? Dhe ja “lepuri i madh” që fshihet te “ferra e vogël” e deklaratës:

“Presidenti i Republikës të shkëputet nga partitë në këtë periudhë kritike dhe, duke ruajtur rolin e asnjanësit,  të bëhet garantuesi i debatit ndërpartiak dhe i paketës kushtetuese. Kjo presupozon largimin e tij nga ndikimi që ka ushtruar deri tani mbi pushtetet e tjera.” Më qartë se kaq nuk kishte si thuhej: të largohej Berisha nga partia dhe nga ndikimi mbi “pushtetet e tjera.”

Deklara më tej kërkonte “Të hapet dialogu i sinqertë dhe impenjues me të gjitha forcat politike shqiptare për gjetjen e zgjidhjeve mbi bazën e një konsensusi sa më të gjerë politik”, shprehje kjo e panjohur deri atëherë në politikën shqiptare pas ardhjes së PD-së në pushtet. Ajo mbyllej me kërkesën që qeveria “Meksi 2” të jepte  dorëhejqen dhe të krijohej një qeveri e re për të përballuar situatën. Deklarata shoqërohej më tej me një sërë propozimesh konkrete për daljen nga kriza e rëndë që kishte mbërthyer vendin.

Këto kërkesa u hodhën poshtë me mospërfillje nga Berisha në mbledhje. Të tjerat pastaj dihen. Vendi u zhyt në flakët e ferrit. Qeveria “Meksi 2” e dha dorëheqjen shtatëmbëdhjete ditë më vonë, më 1 mars, kur vendi ishte përfshirë nga flakët e protestave të armatosura tanimë dhe nuk mbante më ujë pilafi. Qeveria e re u krijua më 9 mars, kur e kishte marrë ferra uratën. Deklarata e 12 shkurtit 1997 e një grupi të udhëheqjes politike të PD-së ishte një shuplakë për të gjithë politikanët që nuk donin ta lexonin  në kohë vullnetin e popullit.

ENVERI-4-709x450 (1) JUPE-289x350 ENVERI-2-600x315 ENVERI-600x338 (1) ENVERI-600x338 ENVERI-4-709x450
<
>

Deklarat e plotë e plotikanëve të PD- së, 12 shkurt 1997

Ne, një grup anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, duke parë situatën e rëndë politike dhe ekonomike që është krijuar në vend dhe duke ndjerë përgjegjësinë e madhe që kemi përpara Shqipërisë dhe historisë, i parashtrojmë Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por edhe opinionit publik në përgjithësi, idetë tona për gjetjen e rrugëzgjidhjeve dhe kalimit të situatës së jashtëzakonshme që ekziston sot në Shqipëri:

Për një forcë politike serioze dhe të ndërgjegjshme, momenti i një krize të thellë është edhe momenti i një analize të thellë nga e cila duhet të dalin domosdoshmërisht vendime të rëndësishme që të përçojnë një kthesë të ndjeshme në jetën e Shqipërisë, demokracisë dhe të vetë Partisë Demokratike. Jemi të bindur plotësisht se brenda Partisë Demokratike ekziston ende potenciali i idealeve dhe energjive që krijuan dhe zhvilluan PD-në dhe demokracinë shqiptare deri më sot, kuraja dhe impenjimi historik i bazës popullore të saj.

Partia Demokratike si partia me konsensusin më të madh elektoral dhe me kontroll të plotë të institucioneve themelore të shtetit, mund dhe duhet të mbajë peshën më të madhe të përgjegjësisë së situatës së krijuar dhe të shprehet publikisht dhe me kurajë për gabimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Brenda partisë duhet të rivendoset në mënyrë emergjente demokracia dhe funksionimi i hapur e transparent i të gjitha organizmave partiake statutore në qendër e në bazë, të cilat janë cenuar rëndë dhe në mënyrë të përsëritur. Qëndrimet e PD-së duhet të jenë qëndrime rezultante e kolegjiale të gjithë partisë dhe jo vetëm të disa individëve që shfaqin egoizëm dhe mungesë largpamësie e gjykimi politik.

Të hapet dialogu i sinqertë dhe impenjues me të gjitha forcat politike shqiptare për gjetjen e zgjidhjeve mbi bazën e një konsensusi sa më të gjerë politik. Krahas parlamentit, të funksionojë rregullisht tryeza e përbashkët e partive si institucion i këtij konsensusi. Të përgatitet sa më shpejt nga një komision mbarëpartiak projekti i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili më vonë t’i nënshtrohet miratimit parlamentar dhe referendar. Presidenti i Republikës të shkëputet nga partitë në këtë periudhë kritike dhe duke ruajtur rolin e asnjanësit të bëhet garantuesi i debatit ndërpartiak dhe i paketës kushtetuese.

Kjo presupozon largimin e tij nga ndikimi që ka ushtruar deri tani mbi pushtetet e tjera. Të japë dorëheqjen qeveria “Meksi”, duke pasur përgjegjësi për situatën e krijuar dhe të diskutohen të gjitha opsionet e mundshme të krijimit të një qeverie të re, si e vetmja zgjidhje e shpejtë politike për rikthimin e besimit për institucionet e qeverisjes. Qeveria e re që do të krijohet nga Partia Demokratike të ketë të gjitha prerogativat dhe kompetencat e një qeverie të “Shpëtimit Publik”.

Tiranë, 12 shkurt 1997

(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.