DOSSIER

Zbulohet ditari sekret i Enverit: Haxhi Lleshi e teproi me lidhjen intime me sekretaren! Ka marrëdhënie seksuale edhe me mbesën e Myslim Pezës!

11:02 - 14.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

AFRIM IMAJ, Gazeta Panorama.alIshte fillimi i viteve ‘80 kur diktatori komunist hidhte në treg me një eufori të shfrenuar kolanën e veprave me kujtime. Të nxitur prej tyre, mjaft liderë të tjerë, nën shembullin e komandantit, nisën të hidhnin në letër bëmat e tyre. I vëmendshëm ndaj kësaj manie, Enver Hoxha mundohej ta kishte nën kontroll, në mënyrë që të gjithë të konvergonin me linjën e kujtimeve të tij.




Ndryshe historia do të bëhej çorap e do dilnin në pazar gjërat që ishin retushuar prej tij. Kjo procedurë me të cilën merreshin redaktorët më të besuar të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, deri diku funksionoi rregullit. Rasti i vetëm ku ngeci ishte momenti kur u paraqitën për botim kujtimet e Myslim Pezës e Haxhi Lleshit. Ata, të plakur e të mënjanuar nga portofolet e rëndësishme politike, por jo nga privilegjet e regjimit, u futën në delirin e kujtimeve, me qëllimin e vetëm për t’u rikthyer edhe një herë në vëmendjen e të tjerëve para vdekjes. Këtë radhë aventura e tyre nuk do ta kapërcente filtrin e laboratorit të censurës.

I njohur me to në dorëshkrim, Enver Hoxha kundërshtoi prerë botimin e tyre dhe aty për aty u kujtua për t’iu rikthyer sjelljes së dy ish-bashkëpunëtorëve të dikurshëm, të cilët mund t’i sillnin probleme të paparashikuara. Nga hulumtimet e bëra rezultonte një situatë kritike. Më në fund zbulohet se Haxhi Lleshi e Myslim Peza nuk janë ata që ka propaganduar Partia, por njerëz me karakter të dyzuar, me qëndrime jo parimore e sjellje negative. Gjithsesi, Enver Hoxhës që i ka zhdukur të gjithë protagonistët e luftës, në rastin e tyre i duhet të bëjë lëshime, së paku për t’i lënë të vdesin ashtu si janë njohur, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Pikërisht këtë histori, diktatori e ka dokumentuar në ditarin që mbante sekret, të rezervuar vetëm për njerëzit e afërt…

DITARI I PANJOHUR

Përveç ditarit zyrtar dhe atij për çështjet ndërkombëtare, të cilët janë zbardhur në serinë e veprave të tij, Enver Hoxha ka mbajtur edhe një ditar tjetër të panjohur e të ruajtur sekret. Deri në fundin e viteve ‘70 ai ka shkruar aty me dorën e vet. Në fillimin e viteve ‘80, kur dora nuk i bindej e ndjehej i pamundur, Enver Hoxha ka “shkruar” me zë, gjithnjë për çështje e tema delikate, që duheshin rezervuar me siglën sekret. I shkërmoqur nga mosha e i tronditur nga goditjet e njëpasnjëshme, diktatori mbyllej në kabinetin e punës e pasi vinte përpara diktofonin e dhuruar nga marksist-leninistët e Perëndimit, fillonte ligjëratën si të komunikonte me një auditor të zgjedhur, duke rrëfyer e tërhequr vërejte për probleme të ndryshme të Partisë e të jetës së vendit.

Është periudha kur sa ka bërë publike “Tablonë Sinoptike” për grupin më të rrezikshëm armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu dhe i paraprin zbulimit të një grupi tjetër. Ato çka flet, me përkujdesjen e afërt të të shoqes Nexhmije Hoxhës, zbardhen brenda ditës dhe në mbrëmje ia kthejnë t’i lexojë edhe një herë. Aty për aty bën vërejtjet e rastit dhe porosit ç’të mbetet e ç’të hiqet nga ditari. Në rastin e kujtimeve të Myslim Pezës e Haxhi Lleshit, të cilat i ka arkivuar në shënimet e datave 21 dhe 22 qershor 1982, Enver Hoxha për herë të parë flet për intriga e orgji të panjohura në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Po çfarë thotë konkretisht…

E HËNË 21 QERSHOR 1982
Me shokët Ramiz (Alia-shënim i red.), Simon (Stefanishënim i red.) dhe Kadri (Hazbiu) bisedova për çështjen e shokut Haxhi Lleshi, i cili nuk është korrekt nga ana morale, gjë që e ka shtyrë në një rrugë të kundërt me shokët që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këta të fundit i kanë vënë në dukje qëndrimet armiqësore të një farë D.S. që punon atje dhe që, duke mbajtur Haxhiu (Lleshi) qëndrime jo normale me të, kjo grua po vepron në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor si një provokatore e vërtetë, si një intrigante e përsosur.

E MARTË 22 QERSHOR 1982

Po na lind një shqetësim i ri, i rrezikshëm. Kush e shkakton? Ku është burimi? Në kohën kur zbuluam puçin e Beqir Ballukut e kompani, Haxhi Lleshi u fut në konflikt me gruan e tij dhe me të gjithë fëmijët, djem e vajza. Gruaja e Haxhiut, me prejardhje bajraktarësh (Famija Jegeni ka të arratisur politikë në Jugosllavinë titiste) filloi të flasë hapur me këdo, kundër Haxhiut. Ajo po bën këtë veprim skandaloz kundër Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me Hysninë (Kapon) e thirrëm një herë e dy Haxhinë dhe ia kemi vënë në dukje këto që po ndodhin i thamë të merrte masa, ose të ndalonte që gruaja e tij të izolohej në ndonjë fshat.

Përgjigjja e Haxhiut ishte: “Ku të thotë Partia!” Po në këtë kohë filloi edhe lufta e fëmijëve kundër babës (Haxhiut). Djali i tij R.(që punonte në aparatin e Komitetit Qendror) e akuzoi babën e vet si “tradhtar”. U thirr të shpjegohej, ai nguli këmbë në të tijën. U thirr nga Hysniu, Haxhiu. Ky i tha se nuk ka ç’i bën djalit. Hysniu atëherë i shprehu mendimin: Nuk e dërgojmë dhe këtë në fshat të punojë tok me nënën e vet, gruan e Haxhiut?! Ky si zakonisht, ishte dakord duke thënë “Si të thotë Partia!” Kështu u mbyll kjo çështje, megjithatë mbeti e dyshimtë për ne. Ku ishin shkaqet?! Kaluan vitra. Marrëdhëniet e Myslim Pezës me Haxhi Lleshin, si kurdoherë ishin të shkëlqyeshme, pa asnjë re. Por gjatë vitit të fundit, papritur e pa kujtuar, filloi të vërehej qielli i kësaj miqësie. Myslim Pezës, që Partia dhe unë ia kemi vënë shumë mirë në dukje rolin që ka lozur në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, i hipi në kokë që në moshën 80 e ca vjeçare dhe i verbër nga sytë, të shkruajë kujtime në “Tri vëllime”.

Ai u mur vesh me Haxhi Lleshin, i cili i rekomandoi që të vinte t’ia regjistronte në shtëpi sekretarja e tij. Dhe kështu u bë. Filloi regjistrimi, por Myslimi nuk “kish durim”, ky donte t’ia shtypte këto sa më shpejt. Pse? Nuk dihet. Myslimi u zemërua dhe u shpreh se “kjo grua nuk është e mirë, regjistrimet e kujtimeve të mia ajo po i mban në sirtar, pse kërkon t’i përdorë edhe Haxhi Lleshi për veten e tij”. Në fakt, edhe Haxhi Lleshi kishte filluar regjistrimin e kujtimeve të veta. Të dy po vepronin paralelisht dhe të dyja palëve po ua regjistronte këto kujtime e njëjta grua D.S

Myslimi kërkoi me zemërim t’i dorëzoheshin regjistrimet e tij, pse mendonte që “Haxhiu po i hante bukën”. Iu morën regjistrimet kësaj gruaje, e cila nguli këmbë të mos i jepte, pastaj u urdhërua me protesta në Komitetin Qendror. Myslimit iu dha një person tjetër nga Partia për të vazhduar regjistrimin dhe ky ia regjistroi, ia zbardhi, iu dha një kopje aparatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe një kopje iu dha vetë Myslimit. Ky priste që Komiteti Qendror t’ia dërgonte shtypit, por kjo punë po vonohej. Atëherë Myslim Peza shpejt e shpejt ia dërgoi këto Ndërmarrjes së Botimeve, ku personi i ngarkuar me këtë punë, duke i lexuar “këto kujtime”, vuri duart në kokë nga përmbajtja, prandaj lajmëroi Komitetin Qendror të Partisë.

Këto kujtime po studioheshin në këtë kohë nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë, që kishte ardhur në konkluzionin se nuk mund të shtypeshin, pse kishin të bënin me një histori plot aventura të Myslimit, që ai i konsideronte si akte “heroizmi, patriotizmi” etj., deri në fillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ai mori kontakt me ne. As ngjarjet historike të Pezës, që janë vepër e Partisë, as lufta e pezakëve nuk përmëndeshin në këto rregjistrime, bile vetë lufta e Myslimit errësohet aty me gojën e tij, jo vetëm me mendime të çoroditura individuale, subjektiviste, të përsëritura, duke u futur në cikërrimat e katundit e të fshatrave, por çka është më e rëndësishmja, në këto materiale janë rregjistruar pjesë që kanë të bëjnë me plot aventura të Myslimit në emigracion, në Jugosllavinë e kralëve të Sërbisë. Në këtë pjesë të jetës së tij Myslimi tregon se merrte para nga jugosllavët, se këta i kishin propozuar ta bënin agjent, po ai “nuk pranoi”. Megjithatë jugosllavët, tregon aty Myslimi, vazhdonin ti jepnin rrogë.

Kur Myslimi ish akoma në Shqipëri, në kohën e Zogut, Legata Jugosllave i dha 500 napolona, “po Myslimi nuk i mori ato në dorë, por hallexhia” Dhe Myslimi vazhdon të tregojë kështu mbi propozimet për të bashkëpunuar kundër Zogut me Gani Kryeziun, familjen e Lleshit (Haxhiut), apo me Irfan Ohrin. Me ndihmën e serbëve Myslimi zgjodhi kështu familjen e Lleshajve, familje “me shumë autoritet në Jugosllavi dhe në Beograd” Atje ai u njoh me Haxhi Lleshin dhe vazhdojnë të tregohen aventurat e të dyve që i ka rregjistruar me gojën e tij. Gjatë gjithë jetës dhe punës që bëmë së toku me Myslimin, asnjëherë ky nuk më ka folur për këto ngjarje të jetës së tij.

Pse i mbante ai fshehur këto ngjarje nga unë dhe nga Partia? Pse i nxjerr tash në këtë kohë, kur zbuluam komplotin e Mehmet Shehut? Mos kërkon t’i dalë rrezikut përpara? Mos ka frikë se ia zbulojnë të tjerët? Me këto kujtime që Myslimi kërkon t’i shtypë me këmbëngulje, ky errëson vetë figurën e tij që ia ngritën lart Partia dhe lufta. Po t’i lejojmë ne të shtypen këto aventura të Myslim Pezës, atëherë i kemi dhënë një armë në dorë armikut dhe opinionit: “Me të tillë njerëz ka bashkëpunuar Partia? Po ne nuk do t’ia japim këtë sadisfaksion as Myslimit, as jugosllavëve. Ne do të bëjmë çmos që Myslim Peza ta ngrysë jetën kështu siç është, me të këqijat dhe të mirat e tij.

Enveri, Myslim Pezës në ‘79: Ti, heroi i të gjitha epokave

Ndërsa në shfaqjet publike Enver Hoxha artikulonte merita të jashtzakonshme për Myslim Pezën duke e etiketuar “tribun të madh popullor” dhe “atdhetar të flakt”, në rrethe të ngushta shprehte rezerva, madje dhe opinione përbuzëse për “plakun e ccorientuar” dhe liderin e “pompuar nga propaganda e partisë”. Gjithsesi, diktatorit ja deshi puna ta emëronte vazhdimisht në krye të organeve të larta shtetërore, fillimisht zëvendëskryetar të qeverisë së parë komuniste, të ashtuquajtut “qeveria demokratike” dhe që nga viti 1946 e deri në 1982, zëvendëskryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në 2 maj të vitit 1979, gjatë një ceremonie zyrtare Enver Hoxha i dorëzoi me dorën e tij Myslim Pezës dekoratën me titullin “Hero i Punës Socialiste”. Përkundër shënimeve të ditarit sekret të vitit 82, ku Peza anatemohet nga diktatori si njeri i cekulibruar, në ceremoninë e 79-tës, nuk ka rreshtur për të fluksi i konsideratave pozitive. Më poshtë po botojmë përshëndetjen e Enverit me rastin e dekorimit të Pezës…

“Këtë titull nuk ta japim se je më i moshuari nga ne, por ky ka një kuptim të madh politik për ato që thashë dhe për veprimin tënd që në kohën e Zogut, kur dhe sinjalin e revoltës dhe vrave pikërisht Osman Balin, torturuesin dhe vrasësin e Haxhi Qamilit, shërbëtorin e Vërlacit e të Ahmet Zogut. Gjesti yt trimëror e burrëror, s’ishte një gjest i thjeshtë hakmarrës ose terrorist, por një gjest politik sepse ai simbolizonte dorën e fshtarësisë sonë patriote që ngrihej kundër tiranëve. Ty këmba – këmbës të ndoqi regjimi i Zogut, prandaj u detyrove të shkoje në mërgim, ku jetove si patriot shqiptar dhe i ndershëm në gjirin e shqiptarëve që jetonin nën varfërinë e kralëve serbe.

Ti ashtu jetove, por mendjen e kishe në Pezë, në Shqipërinë e dashur që vuante, pavarësisht se në krye kishte një mbret që vetë emrin kishte shqiptar, sepse në fakt ai ishte i huaj, i shitur, tradhtar, njeriu i të gjitha të këqiave për popullin tonë fisnik e të shumëvuajtur. Më ka njohur me ty miku yt dhe i imi patrioti Esat Dishnica. Kemi kaluar ditë të vështira bashkë, por edhe caste të lumtura kur kemi parë zhvillimin e vendit në rrugën e partisë e të marksizëm-leninizmit…” (gazeta “Zëri i Popullit” 3 maj 1979).

Mirëpo mënyra si riprodhon historinë dhe trajton ngjarjet e së kaluarës, për Enver Hoxhën janë të papranueshme, madje siç vëren ai, ato zbehin edhe vetë figurën e Myslimit dhe sidomos kontributin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare. I vëmendshëm ndaj kujtimeve të bashkëpunëtorëve, diktatori fund e krye përpiqet ta ketë në kontroll tërë procedurën e zbardhjes së tyre. Pikërisht këtë ua beson redaktorëve më të mirë të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, të cilët shërbejnë si filtri i botimeve të kësaj natyre. Në rastin e kujtimeve të Pezës, ata ndërhynë në kohë, duke sugjeruar se janë përçartje apolitike dhe si të tilla duhet kthyer mbrapsht.

Enver Hoxha bashkohet me mendimet e tyre dhe aty për aty kujtohet për t’iu rikthyer sjelljes së ish-bashkëpunëtorit të dikurshëm, i cili mund t’i sillte probleme të paparashikuara. Ajo që konstaton është kritike. Myslim Peza, por edhe bashkëpunëtori tjetër Haxhi Lleshi, nuk janë ata që ka propaganduar Partia, por njerëz me karakter të dyzuar, me qëndrime jo parimore e sjellje negative.

Gjithsesi, Enver Hoxhës që i ka zhdukur të gjithë protagonistët e luftës, në rastin e tyre i duhet të bëjë lëshime, së paku për t’i lënë të vdesin ashtu si janë njohur, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Shënimet në vazhdim në ditarin e diktatorit flasin për skandalet e Presidentit Lleshi dhe aventurat e këtij të fundit me personelin e institucionit…

E MARTË 22 QERSHOR 1982
Me këtë “çështje të Myslim Pezës” plekset njëkohësisht edhe çështja e Haxhi Lleshit. Nga gjumi i rëndë ku kish rënë, pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, u zgjua edhe Haxhiu (Lleshi). Gruaja D.S me biografi të mirë, nëpunëse në Presidiumin e Kuvendit Popullor, na është bërë sekretare e Haxhiut, por ky e ka tepruar me të, siç flitet midis nëpunësve të Presidiumit të Kuvendit, të cilët po i shkruajnë Komitetit Qendror të Partisë, që “të pengohet ky skandal”.

Por e keqja mbi të këqijat është se kësaj i është rritur aq shumë mëndja, sa po ngatërron gjithë aparatin, duke bërë atje “ligjin” në emër të Presidentit. Por çfarë ligji? Ajo është kthyer në një provokatore pa kufi, flet keq për udhëheqjen kryesore të Partisë dhe arrin deri atje sa t’i thotë një shoku komunist që punon në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe është ky që i shkruan këtë Komitetit Qendror të Partisë se “Kur të vdesë Enver Hoxha, fuqinë do ta marrë Haxhi Lleshi”.

Është e qartë se këto veprime të rrezikshme janë muhabetet që ia bën asaj Haxhi Lleshi, të cilit e pakta që mund t’i themi është se Haxhi plakut i ka hipur në kokë marrëzia dhe “ç’i ka barku, ia nxjerr bardhaku”. Kjo është një. E dyta: Siç duket, Haxhi Lleshi ia futi edhe Myslimit këtë grua që t’ia regjistronte kujtimet për të parë çfarë pohon ky për periudhën kur ishte i internuar në Jugosllavi. Ç’flet për Haxhinë, për babanë dhe xhaxhallarët e tij me Aqif Lleshin? Haxhiu (Lleshi) pa se në këto kujtime ai dhe familja e tij po komprometohej me jugosllavët nga ana e Myslimit (Pezës). Haxhiu nuk ia kthente këto shkrime Myslimit deri sa ky u zemërua dhe u detyruam D.S t’ia dorëzonte.

Është e qartë për ne se Haxhiu u vu në pozita të vështira nga shoku i tij i vjetër, prandaj krijoi një intrigë të re, thelbi i së cilës mund të jetë i vërtetë. Në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor punon edhe një grua tjetër, që është mbesa e Myslim Pezës. Kjo me siguri duhet t’i ketë treguar Myslimit për marrëdhëniet e Haxhiut me D.S. dhe ambiciet, xhelozitë e këtyre dy grave janë bërë problem në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Pas çështjes së regjistrimit të kujtimeve të Myslimit, Haxhi Lleshi përpara shokëve anëtarë të Komitetit Qendror që punojnë në Presidium të Kuvendit Popullor, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit dhe Xhafer Spahiut, ngre çështjen: të përjashtohet nga aparati i Presidiumit një punonjës i Presidiumit dhe mbesa e Myslim Pezës, pse kanë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin” . Shokët i kërkojnë Haxhiut të japë fakte, po ky nuk dëgjon të japë dhe flet në mënyrë provokative se “duhet bërë kështu si them unë”. Shokët e refuzojnë propozimin e tij dhe Haxhiu, “shoku President” u thotë: “Dua të shtrohet ky problem në organizatën bazë të partisë”. Këtë skandal e mori vesh Myslim Peza, i cili thirri Xhafer Spahiun dhe i tha se “po e bëri Haxhiu këtë, më ka turpëruar mua, dhe unë do të pres çdo marrëdhënie me të”.

Haxhiu i thotë Partisë “shkel brezin që po të lëshoj” dhe të bëhet skandal. I bën njëkohësisht shantazh edhe Myslim Pezës, që edhe ky nga ana e vet e kërcënon. U këshilluan anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit që ta trajtojnë çështjen me gjakftohtësi të madhe, se ajo po merr formën e një provokacioni nga ana e Haxhi Lleshit. Të mos transferohet asnjë nga ata të dy nga aparati i Presidiumit, siç do Haxhiu dhe asgjë të mos shtrohet në organizatën bazë. Gjatë kësaj kohe në Komitetin Qendror të Partisë dhe mua më vijnë letra anonime për lidhjet e Haxhiut me D.S. I vinë letra të tilla dhe Ramizit, me firmë nga një shok komunist që është në Presidium, për pikëpamjet armiqësore që shpreh gruaja, e cila punon sekretare e Haxhi Lleshit. Letra anonime i dërgohet Haxhiut nga sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Simon Stefani, që të marrë dijeni. Haxhiu i përgjigjet Simonit (të gjitha këto letra ndodhen në arkivin e Komitetit Qendror).

Haxhi Lleshi tërhiqet nga kërkesa që kishte bërë për përjashtimin e mbesës së Myslim Pezës, por ngul këmbë që të përjashtohet nëpunësi në fjalë dhe si arsye nxjerr disa gjëra të kota. Shokët i vënë në dukje Haxhiut se arsyet që ai jep nuk janë me vend, sidoqoftë ta përjashtojmë nga aparati si atë, si D.S se po na bëhet skandal dhe i numërojmë Haxhiut sjelljet arrogante dhe armiqësore të saj (pa i dhënë gjë për lidhjet me të). Haxhi Lleshi u përgjigjet se ai nuk është dakord me ta. “D.S unë nuk lejoj të përjashtohet nga Presidiumi i Kuvendit dhe të shkojmë në organizatën bazë”. Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, që punojnë në Presidium, i thonë Haxhiut të mos çohet ky problem në organizatë bazë të Partisë, se atëherë do të na dalin në shesh shumë gjëra, që do ta ulin prestigjin e tij si President i Presidiumit. Haxhiu shkoi deri atje, sa t’u thotë shokëve “le të më nxjerrë Partia në pension, duke më hequr nga Presidiumi”.

Këto janë dy probleme që këta dy persona i nxjerrin në shesh dhe i krijojnë kokëçarje Partisë në këtë kohë. Të dy këta dhanë një kontribut në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Partia dhe unë i kemi nderuar, kemi vënë në dukje meritat e tyre, në popull ata njihen si shokë udhëheqës. Për çfarë arsyeje të dy këta, Myslimi dhe Haxhiu, i hapin për herë të parë këto letra të vjetra të tyre dhe në një kohë që Partia po kapërcen me sukses punën shumë armiqësore të Mehmet Shehut si agjent i jugosllavëve? Këta po na krijojnë me këtë një kokëçarje të re. Mos vallë qëndron gishti i jugosllavëve prapa tyre? Përvoja e luftës kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm na ka dhënë mësime të mëdha.

Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi vigjilentë për të mbrojtur atdheun, Partinë, socializmin. Do të dëshiroja që në çështjet e këtyre dy shokëve të mos ketë gisht armiku, por vigjilent duhet të jem dhe do të veproj në mënyrë që sadisfaksion armikut jugosllav të mos i jap asnjëherë dhe të mos bie në provokacionet e këtyre dy shokëve në qoftë se janë provokacione. Me gjakftohtësi do të veproj që të mbrohet atdheu, të shmanget skandali që kërkon të bëjë armiku dhe këta dy shokë “të vjetër” të bëhen të parrezikshëm dhe në interesin e Partisë, që sulmohet vazhdimisht nga armiqtë, të marrim ato masa që vetëm armiku të dështojë, kurse Partia e populli të triumfojë.

Haxhi Lleshi në 92: Kombi dhe Enver Hoxha nuk duhen prekur

Enver Hoxha rezervonte për Haxhi Lleshin, ish presidenti komunist dhe njëri nga “Heronjtë e Popullit”, deri në çastet e fundit të jetës, nuk rreshti duke artikuluar për meritat e jashtëzakonshme të diktatorit, pa të cilin, siç shprehej ai, Shqipërinë do ta kishin copëtuar të huajt.

Pavarësisht se Lleshi nuk u njoh kurrë me ato që shkruante Enveri në ditarin e tij, ku e akuzonte si intrigant e amoral, ai asnjëherë nuk e vuri në dyshim rolin e diktatorit në zhvillimin e vendit. Madje edhe në ditët e demokracisë, Haxhi Lleshi u bë protagonisti kryesor i lëvizjes “Vullnetarët e Enverit” në mbrojtje të figurës së tij. Ja si shprehet Lleshi për Enverin në media në mesin e viteve 90…

“Mua me Enver Hoxhën më lidhi lufta partizane për liri. Dola në luftë si mijëra të tjerë. Unë e shumë shokë të mi patëm edhe funksione të larta në këtë luftë. Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane i kam njohur të gjithë këta komandantë e komisarë. Sot mund të dalin shumë trima e shumë heronj, por unë, Haxhi Lleshi, edhe para plumbit e litarit do të bëja deklaratën time se, të gjithë ne mund të kryenim detyrat sipas funksioneve që na u besuan, por asnjëri nga ne, absolutisht asnjëri nga ne, nuk ishte në gjendje të udhëhiqte luftën në tërësi, përveç Enver Hoxhës.

I vetmi burrë që mund të na udhëhiqe e të çonte në fitore ishte Enver Hoxha. Tjetër s’kishte. Pa zgjuarsinë e Enver Hoxhës e talentin e tij si udhëheqës legjendar i pagabueshëm lufta e popullit tonë do të zihej rob. Meritat e Enver Hoxhës për liri, pavarësi e socializëm nuk i peshon as mali i Korabit. Enver Hoxha është udhëheqësi më i madh që ka lindur kombi. Kjo është fjala e nderit e Haxhi Lleshit. Kombi dhe Enver Hoxha nuk duhen prekur…”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.