Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albraight.
Në mesazhin e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se “Sot mësuam me dëshpërim ndarjen nga jeta të Madeleine Albraight, ish Sekretares së Shtetit të ShBA.
Albright ishte një politikane, shtetare dhe diplomate e shquar, e cila i shërbeu me përkushtim atdheut të saj të dytë, ShBA, ku emigroi në moshën 11-vjeçare nga vendlindja e saj, Çekosllovakia.
Ajo hyri në shërbimin publik dhe jetën politike për tiu përkushtuar vendit të saj, kombeve dhe njerëzve kudo në planet, si një njeri i lirë, vizionare dhe luftëtare e paqes. E 64-ta Sekretare e Departamentit të Shtetit dhe e para grua në këtë detyrë, Albright kontribuoi që Shtetet e Bashkuara të bëhen një udhëheqës moral, komb dhe faktor i domosdoshëm dhe thelbësor në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke kombinuar rolin vendimtar të ShBA me aleancat dhe vendimet multilaterale.
Shqipëria dhe shqiptarët i jemi mirënjohës Sekretares Albright për kontributin e saj përcaktues në vendimin për sulmet e NATO-s, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës.
Pushoftë në paqe!”