DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Prag shpërthimi, 1.5 kile dinamit me fitil të ndezur. Zbulohet tritol në burgun e Bënçës

07:00 - 18.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

18 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Prag shpërthimi, 1.5 kile dinamit me fitil të ndezur. Zbulohet tritol në burgun e Bënçës

Si u shmang hedhja në erë e qelive të burgut të famshëm të Tepelenës dhe roli i Gaxhait që ishte transferuar tre ditë më parë në Tiranë. Pistoletat e gjetura në dhomat e të dënuarve dhe shpikja e lajmit për revoltë. Kush janë autorët e ngjarjes dhe në ç‘pikë janë hetimet

Terrorizëm në burgun e sigurisë së lartë në Tepelenë, 1.5 kg tritol kapet pak sekonda para ndezjes

Dinamit për të shpërthyer Bënçën

Zbulohen 10 kallëpe në qeli, kapen dhe 3 pistoleta

Ngjarja

Burime shumë të sigurta nga Ministria e Drejtësisë pohojnë se “dinamiti ka qenë gati për të shpërthyer”. Polici i shërbimit ka dëgjuar erën e fitilit që po digjej dhe më pas ka parë pakon e mbështjellë me copë të bardhë. Në këtë moment ka dhënë alarmin dhe vetëm për punë sekondash burgu i Tepelenës do të kishte shpërthyer. Pasojat e këtij akti terrorist do të kishin qenë të paparashikueshme. Në të njëjtën qeli me dinamitin janë gjetur edhe pistoletat dhe krehërat e tyre. Menjëherë është dhënë alarmi dhe në Burgun e Tepelenës kanë mbërritur dhe e kanë rrethuar qindra forca policore. Në ndihmë kanë shkuar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Tepelenës. Gjirokastrës e Beratit. Është lajmëruar edhe Ministria e Rendit Publik, që ka çuar në burg ekspertët kriminalistë.

 

 

Pakot e dyshimta janë transportuar menjëhërë në laboratorin kriminalistik në Tiranë për të zbuluar formulën e lëndës shpërthyese.

Në vendngjarje ka shkuar urgjent edhe drejtori i sapoemëruar i Burgjeve, shefi i Policisë së Burgjeve, të cilët kanë ngritur një grup pune për të analizuar situatën për të nxjerrë përgjegjësitë dhe për të ndëshkuar administrativisht përgjegjësit. Armatimi i gjetur është sekuestruar dhe po u nënshtrohet ekspertizave të nevojshme. Specialistët e Burgjeve, të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë së Tepelenës kanë nisur menjëherë hetime për të përcaktuar mënyrat, rrethanat dhe personat që kanë mundësuar futjen në burg të gjithë këtij armatimi. Gjithnjë sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, por jo zyrtare, mësohet se “ka nisur hetimi për disa punonjës policie” që dyshohet se kanë ndihmuar me ose pa dashje të dënuarit për sigurimin e sasisë së armëve. Hetimet kanë nisur edhe për motivet e shkaqet e kësaj “strategjie” për hedhjen në erë të Burgut të Tepelenës.

Pohimi mohues

Askujt nga drejtuesit e Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Rendit “nuk ia ka nxënë goja” që të pohojë publikisht e zyrtarisht gjetjen e “sendeve të ndaluara në burg”. Në një njoftim zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pohuar se “më datë 17.04.2002 në Burgun e Bënçës (Tepelenë) nga kontrollet e bëra nga stafi i Policisë së Burgjeve janë gjetur disa sende të ndaluara”. Duke shprehur “gatishmërinë e Drejtorisë së Burgjeve për nisjen e hetimeve për këtë çështje”, zëdhënësja e Drejtorisë së Burgjeve “përgënjeshtron lajmin se në këtë burg ka pasur revoltë dhe siguron opinionin publik se situata në këtë institucion është e qetë”.

Gaxhai

Në fakt të gjitha mediat si “pronar” të sasisë së armatimi kanë publikuar Gazmend Brakën, i mbiquajtur Gaxhai, por ky i fundit vetëm tri ditë më parë, pikërisht më datën 15 prill, është transferuar drejt Burgut të Sigurisë së lartë 302 në kryeqytet. Dhe kjo është një alibi e mirë pafajësie e tij. Megjithatë burimet operative nga Drejtoria e Burgjeve janë shprehur se ditën e transferimit të tij, Gaxhai ka kundërshtuar ashpër, madje edhe ka kërcënuar efektivin e burgut. Gjithsesi, grupi hetimor i ngritur për këtë problem po heton për ndonjë lidhje të mundshme midis armatimit të gjetur dhe Gaxhait.

Hetim: Kush ishte “pronari” i tritolit dhe kush e fuqi në qeli

Nën hetim administrata e burgut të Bënçës. Menjëherë pas ngjarjes në burgun e sigurisë së lartë të Tepelenës, kanë nisur “disa hetime” njëherësh. Ka qenë prokuroria e rrethit të Tepelenës, që ka hapur një dosje penale për të gjetur, identifikuar dhe dënuar “pronarët” e tritolit dhe të pistoletave, qëllimi i përdorimit të tyre si dhe policët që kanë kontribuar për futjen e tyre në qeli. Ndërkaq, vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë ngritur një grup pune ku bëjnë pjesë veç krerëve të drejtorisë edhe specialistë të hetimit të brendshëm. Ky do të analizojë situatën, do të nxjerrë  përgjegjësitë dhe do të propozojë masat. “Deri tani janë pyetur të gjithë policët e turnit. Por masat do të publikohen së afërmi, dhe mund të shtrihen në të gjitha nivelet’, thanë burimet zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve. Në fakt, rrogat e vogla dhe trajtimi që u bëhet policëve të burgut janë premisa shumë të mira për korruptimin sa më të lehtë të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.