DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: SEKRET, Nikolas Gage mbledh dy liderët e PS në ishullin grek Nano-Meta, takim i fshehtë në Korfuz

07:00 - 05.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

5 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 SEKRET, Nikolas Gage mbledh dy liderët e PS në ishullin grek

Nano-Meta, takim i fshehtë në Korfuz

Një kompromis i mundshëm për Presidentin e Krryeministrin e ardhshëm në prani të shefit të lobit grek

Nano-Meta, takim sekret në Korfuz

Dy drejtuesit e PS dje në ishull me ftesë të Nikola Geixh

 Kush është Nikola Geixh

Greko-amerikani Nikola Geixh u bë i njohur në Shqipëri në harkun kohor të viteve 94-95. Ishte koha kur president i vendit ishte Sali Berisha dhe u arrestuan 5 minoritarë grekë me akuzën për spiunazh në favor të Greqisë. Geixh ishte shefi i POAKA, Organizatës Panepirote të Amerikës dhe një nga drejtuesit kryesorë të lobit grek në SHBA. Ai drejtoi fushatën kundër Berishës në SHBA duke e sulmuar si “diktator”. Presidenti i atëhershëm e ndaloi hyrjen e Geixh në vendin tonë duke e quajtur si “antishqiptar”. Por Geixh ka pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me të majtën shqiptare. Madje në shtyp u shkrua se Metës takimin me Bushin një vit më parë ia mundësoi ai.

Takim i fshehtë Nano-Meta (të paktën kështu u tentua të mbahej sërish ky takim) kësaj here në ishullin grek të Korfuzit dhe kësaj here jo kokë më kokë. Pashkët ortodokse, dy liderët e PS i kanë ‘festuar” dje në shoqërinë e shefit të lobit grek në SHBA Nikola Geixh(Gage).

 Mbështetja e Nanos për postin e kryetarit të shtetit dhe kthimi i Metës në krye të Qeverisë, mësohet të kenë qenë dy prej temave kryesore të bisedimeve joformale që janë zhvilluar në Korfuz vetëm 3 milje larg nga amfiteatri i Butrintit, ku si për koinçidencë- kryeministri Majko kishte shkuar për të parë Festivalin e Fyejve.

 

 

Itinerari

Takimin mes dy “armiqve” të dikurshëm e ka organizuar Nikola Geixh (Gage). I pari në aeroportin e Korfuzit ka mbërritur Meta. Dy ditë më parë, me një avion çarter të kompanisë ADA-air, ish-kryeministri ka lënë Tiranën për të takuar sërish Nanon. Ai (Meta) shoqërohej nga bashkëshorja e tij Monika Kryemadhi. Bashkë me ish-kryeministrin kanë qenë gjithashtu dhe bosi i ADA Air, Marsel Skëndo, e shoqja e tij dhe dy gazetarë të “Oborrit”. Një ditë më vonë ën Korfuz ka mbërritur dhe lideri i PS, Fatos Nano. Ai ka lënë Athinën, ku gjendej që prej një jave dhe bashkë me Xhoanën ka shkuar në “festën” e Geixh(Gage). Në këtë shoqëri është përfshirë dhe një biznesmen i njohur shqiptar si dhe një anëtar i kabinetit “Majko”. Të ftuarit e fundit që kanë mbërritur dje në mesditë kanë qenë Nano me Xhoanën.

Bisedimet

Nano, Meta e Gejxh(Gage) janë shkëputur nga të ftuarit e tjerë dhe kanë biseduar për disa orë rresht. Pakti mes tyre tashmë është i qartë. Ilir Meta rikthehet në postin e Kryeministrit dhe Fatos Nano zgjidhet President. Takimi me Gejxh(Gage), njeriun që i mundësoi Metës vizitën në Shtëpinë e Bardhë, bëhet pikërisht ditën kur Meidani është nisur për në SHBA dhe në shoqërinë e Majkos pritet të takohet me Bushin në mesjavë. Pasi i kanë dhënë fund bisedimeve tre politikanët janë bashkuar me të tjerët për të festuar Pashkët.

Nano dhe Meta kishin zhvilluar bisedime të fshehta dhe një javë më parë në periferi të Tiranës në vilën e ish-kryeministrit. Frut i atyre bisedimeve që u zhvilluan thuajse në mesnatë ishte zgjedhja e detyruar e Servet Pëllumbit në krye të Parlamentit. U bënë dhjetë ditë që Meta e Nano nuk shfaqen në publik. Bashkëpunëtorët e tyre thonë se ata kanë munguar për arsye shëndetësore. Por mungesa e tyre ka ndodhur në një sfond tërësisht misterioz. Lufta politike mes Nanos dhe Metës që zgjati plot gjashtë muaj dhe që u pasua me krijimin e qeverisë Majko kishte lënë shumë gjëra pezull. Si do jetë tani, pas paqes, raporti i forcave në strukturat drejtuese të PS dhe mbi të gjitha kush do jetë Presidenti i ardhshëm i vendit, janë dilemat që kushtëzoheshin nga marrëdhëniet Nano-Meta. Takimi i djeshëm duket se i ka dhënë fund hamendësimeve që filluan të qarkullojnë një muaj më parë kur Kryesia e PS hartoi Paktin Politik brenda partisë. Nikolas Gage me Nanon dhe Metën, nuk është aspak një takim për t’u anashkaluar, kur njihet tashmë influenca e rëndësishme greko-amerikane që Gage përfaqëson jo vetëm në politikën shqiptare.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.