Kryesore

Shqipëria merr Presidencën e KS/ Rama: Drejtësia e paqja ecin krah për krah. Plotësisht të angazhuar në këtë drejtim!

08:18 - 01.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga sot 1 qershor, Shqipëria do të marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbaj për 30 ditë. Në këtë kuadër, Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në SHBA bashkë me ministren e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka, do të drejtojë nesër 2 qershor debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.




Kryeministri Rama ka shpërndarë mëngjesin e sotëm një videomesazh me rastin e kryesimit nga Shqipëria të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB. Në këtë videomesazh, Rama shprehet se drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

VIDEOMESAZHI I KRYEMINISTRIT RAMA:

Videomesazh i Kryeministrit Edi Rama me rastin e kryesimit nga Shqipëria të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB.

Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

 U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë.

Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

 Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh. 

 Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur.

 Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

 Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

 Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

 Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.

PLANI I PRESIDENCËS SË SHQIPËRISË NË KËSHILLIN E SIGURIMIT:

Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Debati i kryesuar nga kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Takimet e kryesuara nga kryeministri Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror, të tillë si:

Debat i hapur drejtuar nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor);

Sesion informimi, drejtuar nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian  (16 qershor);

Debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i RSH në OKB, NY (28 qershor).

Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju York kryeministri dhe Ministrja e Jashtme do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

Nga 1 janari 2022 Shqipëria u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike.

Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.