AKTUALITET

Si u liruan nga Gjykata greke tre vite më parë vrasësit e Artan Cukut/ Kush e pengoi ekstradimin e Bledar Jambellit!

12:05 - 15.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy djemtë që u akuzuan për ekzekutimin e komisarit të Policisë, Artan Cuku, u arrestuan në Greqi për shkak se ndaj tyre ishin lëshuar dy urdhër-arreste ndërkombëtare dhe se nën akuza të ndryshme u tha se ndaj tyre kishte prova të mjaftueshme që i implikonin në ngjarje!




Ata ikën në drejtim të Greqisë, vend në të cilin jetonte familja e atij që u konsiderua edhe porositësi i vrasjes së ish-kryepolicit të Vlorës, ndërkohë që arrestimi i tij erdhi pas më shumë se një viti e gjysmë ndërsa e ndërmjetësit, Kristaq Leci pas gati dy vjetësh nga vrasja. Emrat e tyre dolën nga atentatori i Cukut, Mikel Shallari, të cilit iu patën premtuar 20 mijë euro për ekzekutimin por ai mori vetëm 3 mijë. Ai i tregoi policisë dhe prokurorisë së vrasja ishte bërë për llogari të Bledar Jambellit por që premtimi dhe mjetet ishin siguruar nga kushëriri i tij Kristaq Leci. Grekët pasi i arrestuan dy shqiptarët i lanë të lirë e madje me një vendim gjykate që e konsideronte ekstradimin e Jambellit si të diktuar politikisht pasi ai dhe familja e tij ishin minoritarë e për pasojë ai rrezikonte një proces politik në Shqipëri.

Jambelli në fakt jetonte në Greqi me emër tjetër dhe me pasaportë tjetër, me të dhëna krejt të tjera, ndonëse gjykata greke kur mori përsipër shqyrtimin e ekstradimit të tij tregonte të gjitha transformimet që kishte pësuar identiteti i shqiptarit që kërkohej për vrasjen e një ish-zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit, zyrtar që në fakt e braktisi policia fillimisht dhe më pas edhe shteti, në momentin kur ai u largua nga posti i drejtorit të Policisë së Vlorës, nga ku mendohet se erdhi edhe shkaku i ekzekutimit të tij. Por dy ditë më parë policia greke ka publikuar detajet e një operacioni të bujshëm të arrestimit të dy shqiptarëve të cilët akuzoheshin për një ngjarje me 5 të plagosur në një furrë buke në Voula janarin e këtij viti, duke u penduar për atë që kishin bërë me lirimin e tij pas arrestimit për llogari të drejtësisë shqiptare. Ata sërish bënë me dije se dy shqiptarët ishin arrestuar për llogari të hetimit të masakrës në furrën e bukës, por nuk harruan të kujtojnë se dy të rrezikshmit ishin të kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e komisarit të Policisë, Artan Cuku.

REAGIMI I POLICISË GREKE DJE

Sipas të dhënave të mediave greke bëhet me dije se Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci janë arrestuar mbrëmjen e së mërkurës nga autoritetet greke për grabitje të dhunshme, pasi janë përfshirë në një përleshje të përgjakshme në një furrë buke në Voula janarin e kaluar. Policia greke në një deklaratë zyrtare ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Jambellit dhe Lecit, të cilët janë shpallur në kërkim nga pala shqiptare për vrasjen e Artan Cuku. Policia greke ka njoftuar se në banesën e Jambellit u gjet dhe u sekuestrua: pistoletë me fole silenciatori dhe karikator me 14 fishekë në dhomën e tij, 132 fishekë, 3 karikatorë, pistolete, 2 thika, sëpatë, pajisja e interferencës së sinjalit elektronik (bllokues GPS), detektor i pajisjes elektronike – gjurmimi i gabimeve, jelek antiplumb, dioptri me armë të gjata, 2 “wireless” portative, tabletë, 6 celularë, 3 pako lidhje telefonike, mjeti në pronësi të tij, i cili është përdorur për kryerjen e veprimeve të mësipërme, shuma prej 10.750 euro.

Ndërkohë, në posedim Lecit janë sekuestruar: thikë, celular, “takxi D.X.E”. Ndaj të pandehurve është ngritur akuza për vrasje të shumëfishtë e mbetur në tentativë dhe lëndime të rrezikshme trupore në kuadër të organizatës kriminale. NGJARJA NË VOULA Në janar të këtij viti, në zonën e quajtur “Ermu”, pas një konflikti për larje hesapesh mes dy grupeve shqiptarësh jashtë një furre buke, u plagosen me armë 3 persona, ndërsa 2 të tjerë me sende të forta. Nga hetimet paraprake të Departamentit të Prokurorisë ,u konstatua se të pandehurit kanë formuar një grup me role të ndryshme, për të shkuar të takonin dy prej viktimave, të shoqëruar nga tre persona të tjerë në një furrë buke në Vula, për të diskutuar për mosmarrëveshjet mes tyre. Gjatë takimit që zhvilluan, dy nga të pandehurit dhe dy nga viktimat janë ulur së bashku në një tavolinë në dyqan, ku fillimisht kanë biseduar dhe më pas ka pasur një sherr, me pjesëmarrjen e të gjithë autorëve, të cilët duke përdorur armë zjarri dhe thikë, plagosën 5 persona dhe më pas u larguan me makinë. Të arrestuarit me dosjen e ngritur ndaj tyre do të dërgohen në Prokurorinë Penale të Athinës.

SI I SHPËTOI EKSTRADIMIT BLEDAR JAMBELLI, DUKE U MBËSHTETUR POLITIKISHT

“…rezultoi se i kërkuari ka nënshtetësi shqiptare, por është homogjen nga Vorio Epiri nga zona e tij e … dhe familja e tij dhe veçanërisht babai dhe xhaxhai i tij, të krishterë, kanë zhvilluar aktivitet të dendur politik duke marrë pjesë në organizatën politike ‘.…..’, e cila mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe veprimi i saj nuk i pëlqen shtetit shqiptar dhe organizatës nacionaliste ‘……’, e cila po persekuton homogjenet e saj grekë. Konkretisht, familja e të kërkuarit ka qenë gjithmonë pjesëmarrëse në ngjarjet e komunitetit grek në Shqipëri që kanë pasur gjithmonë një karakter të fortë politik, ata votojnë për kryebashkiakun grek të rajonit.

Ne vitin 1997 kur K. M (K. B ne shqip), vajza e themeluesit të organizatës, ishte kandidate për deputete nga minoriteti grek ‘……’, e cila aktualisht është kryetare e Minoriteteve dhe zëvendësministre – këshilltare e Kryeministrit të Shqipërisë, e mbështeten atë, duke siguruar votat për zgjedhjen e saj. Babai i tij është kërcënuar nga ‘çamët’ për veprimin e tij politik, ndërsa vetë i kërkuari, i cili deklaron origjinën e tij greke dhe voton për partinë e pakicës, ka marrë pjesë shumë herë në mitingjet e saj politike, si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri dhe në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri, ai së bashku me N. T, që është Nënkryetar i Bashkimit … të Greqisë, mbrojti kutitë me flamuj dhe shkruan slogane në favor të komunitetit grek. Në fakt, kur në vitin 2012 u gjet në paraburgim si i dyshuar për vrasjen e dy shtetasve shqiptarë S. M dhe E. S, akuzë e cila u metodizua nga autoritetet shqiptare dhe përfundimisht u shpall i pafajshëm, ai u godit me thikë në burg nga persona të nxitur nga Policia shqiptare.

Të gjitha faktet e mësipërme rrjedhin kryesisht nga ajo që ka deklaruar i padituri, i cili pretendon se ndjekja penale për të cilën kërkohet ekstradimi është e rremë dhe se ka arsye hakmarrjeje për pikëpamjet e tij politike dhe kombëtare, se në Shqipëri është në rrezik jeta dhe se nuk do të ketë gjykim të drejtë dhe janë konfirmuar me qartësi dhe kategorizim nga dëshmitarët e pyetur D. – F. M, Kryetar i Sindikatës ‘…’ në …, N. T, nënkryetar i Sindikatës …. , K. M., kryetare e minoriteteve dhe zëvendësministër i Shqipërisë dhe H. K., të gjitha figura të shquara të minoritetit grek në Shqipëri dhe me pjesëmarrje aktive në ngjarjet e komunitetit grek. Nisur nga këto rrethana, ka të ngjarë që nëse lejohet ekstradimi i të kërkuarit në Shqipëri, ekziston rreziku që ai të ndiqet penalisht për një vepër të ndryshme nga ajo për të cilën kërkohet ekstradimi dhe në veçanti lidhur me çështjet e tij politike, pikëpamjet fetare dhe kombëtare mund t’i rrezikohet jeta…” /panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.