AKTUALITET

“I.M bashkëpunëtor i Sigurimit/ Alibeaj del pro Nikollës: Për ne të rëndësishme janë standardet, jo emrat e përveçëm, kemi nevojë ulëritëse për transparencë

15:07 - 27.07.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka marrë sot një ftesë nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla për të parë nga afër materialet e mbërritura nga Autoritetit i Dosjeve për politikanin I.M.




Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Alibeaj bëri të ditur se për PD-në i rëndësishëm është transparenca dhe jo emrat e përveçëm.

Statusi i Alibeajt

Sot paradite pata një ftesë të papritur nga Kryetarja e Kuvendit zonja Lindita Nikolla. Kërkoi të më vinte në dijeni të materialeve të mbërritura nga Autoriteti i Dosjeve, si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Refuzova të njihesha me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M.!

Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë.

I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë uluritëse të dekomunistizohet.

Ne kemi qenë ata që kemi kërkuar përjashtimin e sigurimsave nga emërimet në reformën në drejtësi dhe ia kemi arritur.  PD jo vetëm ka kërkuar, por ka përgatitur dhe projektligjin për dekomunistizimin. Kemi depozituar projektligjin për kthimin e Spaçit dhe Tepelenës në muze kombëtarë. Kemi kërkuar sistematikisht deklasifikimin e dosjeve të sigurimit të shtetit, madje edhe 1 javë më parë në Kuvend, e do depozitojme iniciativën përkatëse për këtë qëllim.

PD ka inicuar dhe mbështetur çdo përpjekje ligjore, politike dhe të shoqërisë civile për transparencën e munguar për dosjet e diktaturës. Vetëm kështu makthet e shpirtrave të trazuar në komunizëm do të zhduken dhe psikoza e shantazhit do marrë fund.

Fakt i hidhur mbetet që gjatë 30 viteve, klasa politike në Shqipëri ka qenë e paaftë t’ju ofrojë shqiptarëve të vërtetën e plotë të dosjeve të sigurimit të shtetit. Sikundër të njëjtët politikanë i kanë përdorur dosje të tilla për shantazhe të interesave të pushtetit personal.

PD e ka të qartë dhe të palëkundur qëndrimin e saj për çështjen e dosjeve dhe bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.

Transparenca e munguar është drejtësia e mohuar për ata mijëra shqiptarë që vuajtën gjatë diktaturës komuniste. Çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën. Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojrave të vogla politike.

PD u krijua si forcë antikomuniste dhe do të vijojë të përmbushë misionin e saj, rivendosjen në vend të dinjitetit të nëpërkëmbur dhe vlerave të mohuara gjatë diktaturës komuniste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.