Raundi i dytë i protestës për të kërkuar drejtësi për vogëlushen, Jonada Avdia, e cila u vra nga një skaf, që drejtohej nga komisari i policisë, Arjan Tase, mbahet këtë të hënë në kryeqytet, para Ministrisë së Brendshme.
Protesta pritet të nisë në orën 19:30, nën moton “Drejtësi për Jonadën”, e cila humbi jetën ndërsa pushonte me familjen në plazhin e Himarës, kur skafi i komisarit Arjan Tase e përplasi dhe i mori jetën në vend.
Pak para nisjes, policia është parë të rrethojë ministrinë e Brendshme.
Protestuesit do të kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Demonstruesit vendosën një afat prej 72 orësh, ku kanë kërkuar nga Kryeministri Rama shkarkimin e dy ministrave dhe drejtorit, por duket se ky afat ka skaduar. Protesta mbështetet edhe nga opozita.