Kosova

“Nëse nuk arrihet kompromisi për targat dhe dokumentin e…”/ Lista Serbe kërcënon sërish për dalje nga institucionet e Kosovës!

17:38 - 22.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lista Serbe të hënën edhe një herë kërcënoi se do të largohet nga institucionet e Kosovës nëse “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe dokumentin e hyrje-daljes të Kosovës”.




“Së pari ne politikanët, e pastaj të gjithë me radhë, edhe prokurorët, edhe gjyqtarët, edhe policia”, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, gjatë një fjalimi për media të caktuara serbe në veri të Kosovës.

“Në këtë mënyrë do të ketë një shpërbërje totale të dialogut të Brukselit”, shtoi ai.

Lista Serbe ripërsëriti se i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme, por me garanci se nuk do të lejohet “persekutimi dhe pogromi” i popullit serb.

Beogradi zyrtar kundërshton vendimin e fundit të Kosovës për t’u lëshuar dokument për hyrje/dalje atyre që posedojnë dokumente serbe pas hyrjes në Kosovë. Ata posaçërisht janë kundër faktit që një gjë e tillë vlen për serbët në veri të Kosovës, ku janë katër komuna me shumicë serbe.

Serbia ka lëshuar një dokument të tillë për qytetarët e Kosovës që kur për këtë ishte rënë dakord në Bruksel mes dy palëve në vitin 2011.

Përveç atij dokumenti, autoritetet kosovare kanë vendosur edhe që të gjitha automjetet me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës të riregjistrohen në ato të Republikës së Kosovës – RKS. Veturat me targa të tilla si KM, PR e të ngjashme deri më tani kanë lëvizur vetëm në veri.

Për shkak të vendimeve të tilla, serbët në veri ngritën barrikada në këtëpjesë para fillimit të zbatimit të tyre më 1 gusht, për t’i hequr ato pasi Qeveria e Kosovës e shtyu zbatimin për një muaj.

Në takimin e javës së kaluar mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, nuk u arrit marrëveshje për këtë çështje. Serbia kërkoi që lëshimi i dokumentit të Kosovës të mos vlejë për qytetarët në veri të Kosovës dhe që automjetet të riregjistrohen me targa status-neutrale, KS, në vend të RKS.

Vuçiq tha në konferencën e së dielës se Kosova e refuzoi një gjë të tillë, por shtoi se në 10 ditët e ardhshme do të kërkojë një zgjidhje kompromisi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.