EKONOMI

Bonot 12-mujore, yied-et arrijnë në kufirin e 4%, prekin nivelin më të lartë që prej vitit 2013

07:22 - 21.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Yield-et e bonove 12-mujore u rritën më tej në ankandin e kësaj jave dhe u afruan shumë pranë nivelit të 4%. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 3.95%, nga 3.73% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në fund të muajit gusht.




Ndërkohë, yield-i mesatar i thjeshtë madje e kaloi nivelin e 4% dhe shënoi nivelin 4.01%, nga 3.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Yield-i maksimal i pranuar në ankand arriti në 4.44%.

Ashtu siç pritej, edhe ankandi i radhës provoi tendencën e qartë në rritje të yield-eve, tendencë që po regjistrohet për të gjitha maturitetet e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare. Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore tashmë ka arritur nivelin më të lartë që prej shtatorit të vitit 2013.

Një zhvillim pozitiv i ankandeve të fundit është stabilizimi i kërkesës së investitorëve. Ministria e Financave arriti të sigurojë të plotë shumën e kërkuar prej 7 miliardë lekësh, megjithëse e gjithë shuma konsistonte në huamarrje të re dhe jo rifinancim të një borxhi të maturuar. Duket se tregu e ka kaluar momentin e hezitimit, kur investitorët dhe bankat preferonin të prisnin sa më shumë që të ishte e mundur, në pritje të rritjes së mëtejshme të yield-eve. Ky hezitim bëri që qeveria të mos arrinte të plotësonte shumën e kërkuar të huamarrjes në shumë prej ankandeve të zhvilluar në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit.

Në fakt, yield-et janë rritur me ritme shumë të shpejta qysh prej muajit mars dhe tashmë kanë arritur nivele mjaft tërheqëse për investitorët. Në harkun e një viti, yield-i mesatar i ponderuar i Bonove 12-mujore është rritur me 2.18 pikë përqindje ose, e shprehur në përqindje ndaj niveleve të vitit të kaluar, me 123%. Kjo rritje mund të shpjegojë një interes gradual në rritje për të investuar në bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare.

Alternativat kryesore për mbajtjen e kursimeve, depozitat bankare, ngelen ende në nivele shumë më të ulëta, megjithëse kanë filluar të japin sinjalet e para të rritjes në muajt e fundit.

Tregu po krijon kushte më të favorshme për individët dhe subjektet që kanë para’ për të investuar, por, nga ana tjetër, po sjell rritje të mëdha të kostove të borxhit për huamarrësit. Qeveria vetë po paguan një çmim gjithnjë e më të lartë për borxhin e ri, por e njëjta gjë po ndodh gradualisht edhe me huamarrësit privatë. Kreditë me interesa të ndryshueshme kanë si benchmark apo normë reference pikërisht yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë. Rritja e yield-eve po sjell edhe rritjen e interesave të kredisë në rivlerësimin periodic, sipas frekuencës së parashikuar në kontratë.

Rritja e shpejtë e yield-eve të titujve qeveritarë po krijon kushtet e për përcjelljen e qëllimit të politikës monetare, që në kushtet e inflacionit të lartë synon të nxisë kursimin dhe të frenojë kreditimin dhe shpenzimet, për të ngadalësuar kërkesën e brendshme./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.