EKONOMI

Vlera e investimeve të reja të bizneseve në prona u rrit me 66% për 6-mujorin!

07:25 - 27.09.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Investimet e biznesit në prona janë në rritje të ndjeshme për këtë vit. Mbështetur në të dhënat e Instat, vlera e lejeve të ndërtimit të destinuar për qëllime tregtare dhe industriale për gjysmën e parë të këtij viti arriti në 7.3 miliardë Lekë ose rreth 62 milionë Euro.




Vlera e investimeve të reja në këto ndërtesa është në rritje me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ka qenë e përqendruar kryesisht në tremujorin e dytë të vitit, me një rritje prej 144% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i lejeve për gjysmën e parë të vitit, megjithatë, paraqitet me një rënie të lehtë në 107, nga 111 që kishin qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, me sa duket, ka rritur edhe interesin e bizneseve për investime të reja në prona. Statistikat japin një tablo më të plotë të pronave rezidenciale, ku çmimet në katër vitet e fundit janë rritur me ritme dyshifrore. Megjithatë, perceptimi pozitiv rreth zhvillimeve në tregun e pronave duket se ka nxitur edhe investimet për ndërtime me përdorim të natyrës tregtare apo industriale.

Rritja e investimeve në prona është gjithashtu mjaft e lidhur me rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë nga pandemia dhe me rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese të bizneseve, çka ka shtuar incentivat në drejtim të investimeve të reja, përfshirë këtu edhe pasuritë e paluajtshme.

Kjo tendencë që duket se po vazhdon edhe këtë vit, pavarësisht kërcënimeve inflacioniste. Sipas Instat, për 3-mujorin e parë të vitit, formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me 15.5% me bazë vjetore. Treguesit e besimit të biznesit këtë vit paraqiten të luhatshme, por tendenca e përgjithshme ngelet pozitive dhe treguesi i ndjesisë ekonomike, i vlerësuar nga Banka e Shqipërisë ngelet sipër mesatares afatgjatë.

Tendenca në rritje e investimeve në pasuri të paluajtshme po dëshmohet paralelisht edhe nga rritja e financimeve bankare për këtë qëllim. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për 7-mujorin e këtij viti bizneset kanë marrë rreth 23 miliardë lekë kredi për blerje ose ndërtim të pronave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia e re për prona është rritur me 42%. Normat e ulëta historike të interesit dhe disponibiliteti i lartë i sektorit bankar për të kredituar kanë ndikuar gjithashtu në nxitjen e investimeve të biznesit në prona.

Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti kryesor edhe në segmentin e bizneseve. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të korrikut porotfoli total i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti në 114.5 miliardë lekë ose rreth 980 milionë Euro. /monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.