AKTUALITET

‘Inceneratorët’/ Gjykata e Lartë rrëzon për herë të dytë kërkesën e Lefter Kokës për ndryshimin e masës!

08:24 - 08.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur po afrohet viti që është vënë në pranga, Lefter Koka është rrëzuar për të dytën herë nga Gjykata e Lartë. I vënë nën dy masa arresti dhe nën dy akuza të rënda, ish-ministri i Mjedisit, nuk ia ka arritur dot ta bind Gjykatën për t’i ndryshuar masën e sigurisë, atë të arrestit me burg, masë që e ka kundërshtuar që në krye të herës.




Ai përveç faktit që ka kërkuar të lërë garanci pasurore edhe ka parashtruar faktin se nuk përbën rrezik as për prishje provash dhe as për largim nga Shqipëria.

Në fakt, Koka është zyrtari më i lartë që gjendet në burg për aferën më të madhe të ndodhur në vendin tonë viteve të fundit. Ai ka dëshmuar muaj më parë, por ende nuk dihet se në çfarë faze janë hetimet për qindra miliona euro të përvetësuara nëpërmjet djegësve që nuk u ndërtuan e as u futën në punë asnjëherë.

E ndërsa skandali u thellua me persona konkretë që në padijeninë e tyre rezultuan posedues të miliona eurove, gjykata vendosi të nxjerrë vetëm dy ditë më parë nga qelia edhe vartësin e Kokës, Alqi Bllakon. Ai doli për faktin se ka fëmijë të vegjël e duhet të kujdeset për ta.

REKURSI

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë të 4 zyrtarëve të arrestuar për inceneratorin e Fierit. Në këtë mënyrë, anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk kanë pranuar rekursin e ish-ministrit Lefter Koka, Arenc Myrtezanit, dhe Pëllumb Abeshi, të cilët do vijojnë të qëndrojnë në burg të paktën deri në përfundim të hetimeve.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë vendosën mospranim të rekursit edhe për Etleva Kondin, për të cilën do vijojë masa e arrestit shtëpiak. Kujtojmë se mëngjesin e 29 marsit të këtij viti, me urdhër të SPAK-ut u ekzekutuan 9 urdhra arresti për aferën e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.

Më 15 prill për mbi 2 orë, ish-ministri i Mjedisit u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm në lidhje me inceneratorin e Fierit. Teksa u pyet për shpronësimin e tokës ai tha: “Kjo tokë është shpronësuar si tokë arë dhe çdo gjë tjetër duhet saktësuar”.

Ai kërkoi të dërgohej në arrest shtëpiak duke ofruar si garanci pasurore shumën prej 200 mijë euro, kërkesë e cila nuk gjeti miratim.

ARRESTIMI I KOKËS

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor të vitit të kaluar, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët. Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”. Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit, ndërkohë që Koka akuzohet edhe për inceneratorin e Elbasanit dhe për të njëjtat shkelje sipas SPAK-ut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.