EKONOMI

Pse investitorët po synojnë astrologjinë e financave?

07:30 - 08.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fakti që analiza teknike është në modë, tregon njëfarë shqetësimi. Pse u luhatën tregjet? Shumica e investitorëve, analistëve, madje edhe gazetarëve financiarë, do të kërkojnë, para së gjithash, për lajme të reja që nxitën ndryshime.




Ndoshta u publikuan të dhënat e fundit mbi vendet e punës, ndoshta ndonjë kompani njoftoi se do të blihej nga një kompani më e madhe ose një bankier qendror mbajti një fjalim të zymtë.

Megjithatë, një kult i vogël dhe i përkushtuar grafistësh, të ashtuquajtur “analistët teknikë”, beson se luhatja e aksioneve, bonove dhe monedhave, mund të parashikohet nga krijimi dhe interpretimi i grafikëve.

Metodat e tyre janë të shumta, të ndryshme dhe të emërtuara në mënyra krejt të çuditshme. “Kryqi i vdekjes” ndodh kur mesatarja lëvizëse afatshkurtër e çmimit të një aseti, bie nën mesataren lëvizëse afatgjatë.

“Nivelet e korrigjimit të Fibonacci-t” mbështeten në idenë se një aset që rritet në çmim, do të bjerë, përpara se të rritet sërish. Një luhatje e tillë mendohet se ndodh në nivele të bazuara në numrat e Fibonacci-t, si një rënie prej 61.8%.

“Reja Ichimoku”, mjaft e dashur për tregtarët japonezë, mbështetet në idenë e ndërtimit të një reje, duke “hijezuar” zonën midis dy mesatareve të çmimeve të larta dhe të ulëta gjatë javës, muajit apo dy muajve të kaluar. Një çmim mbi këtë “re” është i mbarë; një që ndodhet poshtë saj, është ogurzi.

Një grafist i vërtetë ka nevojë vetëm për një informacion të tillë dhe “nuk i intereson të dijë se në çfarë biznesi apo industrie operon një kompani, për sa kohë që grafisti mund të studiojë grafikun e saj”, thotë Burton Malkiel, një ekonomist në Universitetin Princeton dhe autor i librit “Një shëtitje e rastësishme në Wall Street”.

Këto metoda, ndonëse duken të çmendura, kanë tërhequr vëmendjen kohët e fundit për shkak të mënyrës se si është luhatur S&P 500, indeksi kryesor i aksioneve amerikane. Pas rënies në nivelin më të ulët prej 3,637 më 17 qershor, indeksi filloi të rritet sërish.

Më 16 gusht, ai arriti kulmin prej rreth 4,325, vetëm paksa larg mesatares lëvizëse 200-ditore prej 4,326 – një nivel që mendohet se është kritik. Një aset që ka rënë në çmim, por që po rritet sërish, mendohet se do të hasë “rezistencë” në nivele të tilla.

Për grafistët është shqetësuese kur një aset nuk arrin të “thyejë” një pengesë rezistence, sepse ky është një tregues i rënies së tejzgjatur të çmimeve, dhe jo i një tregu energjik. Dhe kështu duket se ka qenë rasti: aksionet kanë rënë me rreth 8% që nga 16 gushti.

Shumë investitorë përdorin metoda të ndryshme për të ndjekur prirjet e tregut. “Investimi i faktorëve”, i shpikur nga Eugene Fama, ekonomisti i cili fitoi çmimin “Nobel”, dhe nga Kenneth French, përdoret nga fondet sasiore të suksesshme, siç është AQR Capital Management.

Ai zbërthen kthimet, në faktorë përbërës, siç është “madhësia” (kompanitë e vogla arrijnë kthime më të larta se ato më të mëdhatë) ose “cilësia” (bizneset me borxh të ulët dhe të qëndrueshëm arrijnë kthime më të larta se ato më të rrezikshmet).

Një tjetër faktor i tillë është inercia: aksionet që janë në rritje, priren që të vazhdojnë të rriten. Megjithatë, qasja e tyre është më e sofistikuar sesa thjesht shqyrtimi i një grafiku çmimesh. Algoritmet e AQR-së kombinojnë faktorë si inercia, me faktorë të tjerë. Ata mund të blejnë, për shembull, një firmë të vogël, ose me cilësi të lartë, çmimi i aksioneve të së cilës është rritur kohët e fundit.

Sidoqoftë, deri diku është i kuptueshëm fiksimi i grafistëve me nivelet dhe tendencat. Nuk ka asnjë ndryshim të vërtetë midis një euroje me vlerë 1.0001 dollarë apo 0.9999 dollarë, por këto “shifra të mëdha” në tregjet e këmbimit valutor, marrin rëndësi.

Kjo është pjesërisht simbolike dhe pjesërisht praktike: klientët priren të bëjnë porosi me shifra të rrumbullakosura dhe derivatet priren të shiten me çmime të rrumbullakosura. Kjo do të thotë se do të duhet shumë më tepër aktivitet që euro të ulet nga 1.0001 dollarë në 0.9999 dollarë, sesa të bjerë nga 1.0487 dollarë në 1.0485 dollarë.

Kur bëjnë porosi, investitorët përpiqen të kuptojnë se çfarë po bëjnë të tjerët. Kjo mund t’i ndihmojë ata të mbyllin një tregti që po lëviz kundër tyre, në një nivel të arsyeshëm. Nëse mjaftueshëm investitorë vërejnë nivelet teknike për t’u informuar, atëherë këto nivele fillojnë të kenë rëndësi.

Ndoshta vlera reale e analizës teknike qëndron në faktin se çfarë tregon përdorimi i saj për kushtet e tregut. Askush nuk e vret mendjen për vizatimet e bukura të grafistëve kur ekonomia po ecën mirë, kur fitimet janë të larta dhe aksionet po rriten pa problem. Ashtu si njerëzit të cilët ndihen të shqetësuar për drejtimin e jetës së tyre, priren drejt interesit në astrologji, ashtu edhe investitorët që nuk janë të qetë për drejtimin e tregjeve, gjejnë siguri në një diagram tërheqës.

Fakti që disa po fajësojnë lidhjet teknike për luhatjet e verës, tregon se ata nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Ndoshta Buttonwood duhet të nxjerrë një tregues teknik të sajin: sa më rregullisht që dërgohet analiza me grafikë në kutinë e saj postare, aq më e qartë është se askush nuk e ka idenë se pse po luhaten tregjet./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.