AKTUALITET

Veliaj me kreun e Komunës së Ulqinit: “Tiranën do e keni gjithmonë krah; ndihmë për projektet e rijetëzimit, siç po bëjmë me Tuzin dhe Preshevën”

17:30 - 08.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tirana po kthehet në një qytet frymëzimi për të gjitha komunat shqipfolëse në rajon. Ulqini, qyteti me më shumë shqiptarë në Malin e Zi, do të rijetësojë Pazarin e Vjetër sipas të njëjtit model me Pazarin e Ri të Tiranës, i cili tashmë është kthyer në një pikë turistike për vizitorët.




Në takimin me kreun i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktarin, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës është e gatshme të japë kontributin e saj për ta kthyer Ulqinin në një qytet edhe më tërheqës.

“Tiranën do e keni gjithmonë krah. Do të ishim shumë të gatshëm t’ju ndihmojmë në arkitekturën apo urbanistikën e re të Ulqinit, apo nëse mund të rinovojmë diçka nga e kaluara, siç kemi bërë këtu me Pazarin e Ri dhe Kalanë, njësoj siç po kontribuojmë për Tuzin dhe Preshevën. Mezi pres të bashkëpunojmë sepse unë besoj fort se suksesi juaj është edhe suksesi ynë, ose anasjelltas: sa herë që ndodh diçka e mirë në Tiranë, është edhe suksesi i të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave që mundohen të ecin përpara me këtë vizion,” tha Veliaj.

Nga ana e tij, Bajraktari vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe tha se Tirana është kthyer vërtet në një model, jo vetëm për Ulqinin, por për të gjitha komunat e vendit fqinj.

“Mendoj se menaxhimi i Tiranës është model, jo vetëm për shqiptarët e Malit të Zi, por për gjithë Malin e Zi, për të gjitha komunat atje. Është një shembull shumë i mirë për shqiptarët në rajon, se si ne jemi të gatshëm të udhëheqim një qytet të madh, se si jemi të gatshëm të transformojmë një qytet të madh në një qytet model, në një qytet europian, në një kryeqytet të Rinisë, nesër qytet Europian të Sportit. Është me të vërtetë një krenari, sidomos për ne nga Ulqini, që vijmë nga një qytet pak më i vogël, por shumë i rëndësishëm, i cili është ndoshta dera perëndimore e parë e shqiptarëve në rajon. Jemi shumë dakord që të vazhdojmë me disa projekte urbanistike të Pazarit të vjetër, t’i marrim disa praktika nga Tirana, të bashkëpunojmë, që Ulqini të fitojë një pamje model, që nuk do ta humbë kontaktin me të kaluarën, identitetin e saj,” u shpreh Bajraktari.

Kryebashkiaku i Tiranës i dhuroi kryetarit të Komunës së Ulqinit Kullën e Sahatit, si një ogur simbolik për këtë bashkëpunim të ri mes qyteteve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.