EKONOMI

Buxheti arkëton 480 milionë euro më shumë për 9 mujorin

07:39 - 20.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 9 – mujore (Janar – Shtator 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve. Buxheti arkëtoi 425.7 miliardë lekë në 9 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat u rritën me 15.7%, ose rreth 58 miliardë lekë (480 milionë euro) më shumë.




Në shtator u arkëtuan në buxhet gati 49 miliardë lekë, me rritje 13.7% në krahasim me shtatorin e 2021-n. pas ngadalësimit në korrik, ritmet e rritjes së të ardhurave janë përshpejtuar sërish në gusht dhe në shtator. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 411 miliard LEK me një realizim në masën 93 për qind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.7 për qind më i lartë ose rreth 12.9 miliard LEK më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15 miliard LEK nga rreth 18 milion lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard LEK.

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 425.7 miliardë Lekë ose 100.7 % të planit të9-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +58 miliard lekë ose +15.8% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 379.9 miliardë lekë, 60.9 miliardë ose 19.1% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 4.1 miliardë ose 1.1% më shumë se plani 9-mujor për vitin 2022.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 164.4 miliardë lekë, 28.5 miliardë lekë ose 21% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe 1.8 miliard lekë ose 1.1 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 9 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 9 mujorin rezultojnë 115.5 miliardë lekë, 24.6 miliardë lekë ose 27.1 % më shumë se një vit më parë, si dhe 2.6 miliardë ose 2.3% më shumë se plani për 9 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 39.4 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se viti 2021, si dhe 728 milionë lekë ose 1.8% më pak se plani i akcizës për 9 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.3 miliardë lekë, 1.5 miliardë ose 87.5% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 98.5% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.3 miliardë lekë, 899 milionë lekë ose 16.7% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe realizim në masën 101.1% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT),  për 9 mujorin 2022 u realizuan në masën 215,5 miliardë lekë, 32.4 miliardë ose 17.7% më shumë se 9 mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.3 miliardë lekë, ose 1.1% më shumë se plani i 9 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 28.4 miliardë lekë, 8 miliardë ose 39.4% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe 1.8 miliardë ose 6.9% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 9 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 9 mujore 2022 janë 13.8 miliardë lekë, 7 miliardë lekë ose 33.7% më pak se 9 mujori 2021, si dhe 120 milionë lekë ose 0.9% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 9 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 34 miliardë lekë 9.2 miliardë lekë, ose 36.9% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe 310 milionë lekë ose 0.9% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 34.1 miliardë lekë, 3.9 milardë lekë ose 13% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe 1 miliard ose 2.9% më pak se plani i 9 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për peridhën 9 mujore 2022 u realizuan në masën 31.9 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 9.2% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe 314 milionë lekë ose 1% më pak se plani i përcaktuar për 9 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 87.1 miliardë lekë, 8.6 miliardë lekë ose 10.9% më shumë se 9 mujori 2021, si dhe realizim 101.7 % të planit për 9 mujorin 2022.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 410.7 miliard LEK me një realizim në masën 93 përqind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.7 përqind më i lartë ose rreth 6.9 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 64.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 62.2 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.12, datë 29.07.2022 (AN nr.12).  Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 9 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.4 përqind dhe 81.1 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në: 67.8 përqind dhe 42.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar respektivisht 68.2 përqind dhe 45.1 përqind të planit vjetor sipas AN nr.12.

Shpenzimet korente për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 344.1 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.9 përqind më i lartë ose rreth 12.9 miliard LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 9 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 50.7 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 29.5 përqind më i ulët ose rreth 21.3 miliard LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15 miliard LEK nga rreth 18.7 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard LEK, për periudhën 9 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.