EKONOMI

Rritja e normave dhe rreziku i rifinancimit, Ministria e Financave synon të ulë peshën e borxhit afatshkurtër

07:47 - 20.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të synojë të ulë gradualisht huamarrjen afatshkurtër, për të ulur rezikun e rifinancimit të borxhit. Në fund të vitit të kaluar, borxhi i brendshëm me maturim deri në një vit përbënte 46.6% të portofolit total. Mbështetur në Strategjinë e Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2022-2026, synohet që brenda vitit 2026 pesha e këtij borxhi të ulet në jo më shumë se 40% të totalit.




Ky proces pritet të sjellë edhe një zgjatje graduale të afatit mesatar të maturimit të portofolit të borxhit të brendshëm. Në fund të vitit 2021 maturiteti mesatar ishte afërsisht 2.2 vite, ndërsa synimi është që në fund të vitit 2026 të arrijë në 2.5 vite.

Sipas Ministrisë së Financave, niveli ekzistues i borxhit dhe struktura e përcaktuar e pagesave vjetore të principalit gjenerojnë nevojën për rifinancim të konsiderueshëm në shuma vjetore deri në 20% të PBBsë, nga e cila mesatarisht rreth 90% e këtyre shumave i korrespondon borxhit të brendshëm.

Në këtë aspekt, vlerësohet si i nevojshëm vazhdimi i masave të ndërmarra për reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj këtij risku, duke pasur si objektiv rritjen e përqendrimit të titujve afatmesëm dhe afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm, nëpërmjet uljes graduale të financimit me tituj afatshkurtër në linjë me hapësirat që mundëson tregu vendas;

dhe shpërndarjen sa më të njëtrajtshme të profilit të maturimeve, duke vlerësuar mundësinë edhe për përdorimin e ankandeve të parablerjes (buyback) dhe shkëmbimit (exchange). Sipas Ministrisë së Financave, kushtet ekzistuese në tregjet financiare vlerësohet se vijojnë të ofrojnë mundësinë e zgjatjes së maturitetit mesatar të borxhit dhe balancimit të profilit të maturitetit, së bashku me uljen e peshës së borxhit afatshkurtër në totalin e portofolit të borxhit të brendshëm.

Pesha e lartë e huamarrjes afatshkurtër e ekspozon borxhin publik ndaj rreziqeve të rifinancimit, por edhe të rritjes së kostove, për shkak të luhatjes së normave të interesit.

Një situatë tipike e këtij lloji po verifikohet këtë vit. Ndryshimi i kahut të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë ka sjellë jo vetëm rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve, sidomos në segmentin afatshkurtër, por edhe vështirësi për të siguruar shumat e programuara të huamarrjes.

Ministria e Financave ka ndërtuar edhe një skenar stres-testi apo analizë ndjeshmërie, për të treguar efektin që do të kishte një rritje e supozuar e normave të interesit në shpenzimet për interesa.

Sipas një skenari pesimist, kur normat e interesit në tregun e brendshëm do të rriteshin me 1.5% dhe 1.75% në 2022 dhe 2023, ato të euros përkatësisht me 1% dhe 2%, si dhe ato të dollarit amerikan përkatësisht me 2% dhe 1.5%, shpenzimet për interesa ndaj PBB-së do të arrinin në 2.7% në 2023, nga 1.9% që priten të jenë për këtë vit.

Rritja me ritme të ngjashme e normave të interesit do të sillte rritje të mëtejshme të shpenzimeve për interesa deri në 3.9% në vitin 2026.

Megjithëse Ministria e Financave e ka konceptuar këtë rritje si skenar të rënduar, në fakt, deri tani rritja e normave të interesit po i tejkalon supozimet e këtij skenari. Yield-i i bonove 12-mujore është rritur rreth 3 pikë përqindje me bazë vjetore, ndërsa euribori me afërsisht 3.2 pikë përqindje.

Mbështetur në orientimet e dhëna nga bankat qendrore, rritja e interesave do të vazhdojë më tej në pjesën e mbetur të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm, çka shton rreziqet rreth një rritjeje të shpejtë të shpenzimeve buxhetore për interesa./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.