AKTUALITET

ILD përfundon hetimin disiplinor ndaj magjistratit të Vlorës, i kërkon KLGJ nisjen e procedimit disiplinor!

12:26 - 25.10.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

ILD përfundon hetimin disiplinor ndaj magjistratit Bevis Shehaj, zv.kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, i kërkon KLGJ nisjen e procedimit disiplinor ndaj tij.




Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Vërejtje publike” ndaj gjyqtarit Bevis Shehaj.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj magjistratit Bevis Shehaj, i nisur bazuar në ankesa në vazhdimësi pranë ILD-së nga kancelarja, pasi magjistrati në pozicionin e zv.kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e pengonte në ushtrimin e detyrave ligjore, duke mos lejuar funksionimin normal të gjykatës.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

– Magjistrati Bevis Shehaj ka lejuar moszbatimin, pa shkaqe të justifikuara, të vendimit të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me kancelaren e gjykatës, si dhe në mënyrë të përsëritur, gjatë dy mbledhjeve të Këshillit të Gjykatës, nuk ka respektuar dispozitat ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave.

– Ndërmarrja e këtyre veprimeve nga magjistratit përbëjnë mospërmbushje të detyrës së zv.kryetarit, i cili ka përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e gjykatës si institucion, dhe ka krijuar konfuzion mbi ushtrimin e kompetencave të kancelares, e cila është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor.

– Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e tij profesionale të magjistratit. Ato mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin etik dhe profesional të tij, por janë të natyrës që magjistrati duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.

– Moszbatimi pa shkaqe të arsyeshme nga ana e tij si drejtues i një vendimi të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësohet si një sjellje joprofesionale, e cila diskrediton pozitën e drejtuesit të një gjykate dhe figurën e gjyqtarit në veçanti.

Në përfundim të hetimit, ILD duke mbajtur në konsideratë mes të tjerash, natyrën e shkeljes disiplinore, ekzistencën e rrethanës lehtësuese, e lidhur me shkeljet për herë të parë; bashkëpunimin e magjistratit gjatë hetimit; si dhe ndihmën në mënyrë aktive për të zhdukur ose pakësuar pasojat e shkeljes; arrin në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e zv.kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Bevis Shehaj, përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga nenin 102 pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; si “Shkelje disiplinore e lehtë”.

Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Bevis Shehaj, për shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”.

“Vërejtja publike” përmbush dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.