AKTUALITET

Flasin prindërit e 1-vjeçarit që doli nga spitali me HIV/AIDS: Kush na ka infektuar fëmijën? QSUT ka tentuar të fshehë provat?

18:28 - 18.12.22 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prindërit e fëmijës 1 vjeç i konfirmuar si të infektuar me HIV/AIDS me ndërkohë që ata vetë ishin negativë akuzojnë sistemin shëndetësor shqiptar për marrjen e këtij infeksionit që djalit të tyre do t’i kushtojë jetën.




“Ne na dëmtuan fëmijën pranë spitalit qendror të Shqipërisë, QSUT dhe nuk ka patur kurrfarë reagimi. Është bërë çdo tentativë e mundshme për të fshehur provat”-tha babai i djalit.

“U kujdesëm shumë që gjatë shtatzënisë unë të isha shumë e shëndetshme, por pa ditur se vetë sistemi shëndetësor do të m’a dëmtonte fëmijën tim.”- tha nëna.

Report Tv që pas publikimit të lajmit më 1 Dhjetor të 2022, në ditën botërore të Sidës  është përpjekur të zbardh detaje dhe rrethanat e kësaj ngjarje që për prindërit e foshnjës ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë.

“Ne jemi prindër të një vogëlushi një vjeçar i cili u shfaq kudo në tituj lajmesh si fëmija i infektuar me  HIV/AIDS me dy prindër negative. Sot kam zgjedhur të mos flas si nënë sepse e kam të pamundur” -tha nëna.

Vetë shefja e departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino, në një komunikim në whtasapp me nënën e fëmijës nuk e përjashton mundësinë e infektimit në sistemin shëndetësor.

Nëna: Ku u infektua im bir, zonja Bino, me prindër negativë?

Bino: Në sistem u infektua, pra ne nuk e përjashtojmë sistemin, por nuk mund të gjejmë se ku dhe kjo sa është problem i madh për ty aq edhe për ne.

Gjithçka nisi në 28 nëntor 2021 me një bronokopneumoni të shfaqur te foshnja e tyre një muaj pas lindjes. Mjekja që e ndoqi ishte Ilirjana Bakalli. Më pas u  bë shtrimi i parë në pediatri, në reaminacion në terapi intensive. Shtrimet në spital janë ripërsëritur disa herë dhe gjithmonë për arsye të ndryshme.

“Tri javë më vonë pasi fëmija doli në datën 9 dhjetor nga reaminacioni ne e morëm në shtëpi dhe në datën 31 Dhjetor fëmija pati një temperaturë të pazakontë me 39 gradë celcius.

Gazetarja: Po

Në muajin janar përsëri kaloi një infeksion të rëndë urinar. Në muajin shkurt djalit i  lind një polipnemë. U detyruam t’a shtrojmë në spital në pavionin e pneumologjisë të drejtuar nga zonja Luli Kote. Sipas mjekes djali të gjithë këto shqetësime, polipneja, temperatuara, të gjitha këto komplikacione i shfaqeshin nga probleme kardiovaskulare. Pasi dolëm nga spitali përsëri djali vazhdonte me polipnemë, doli i pakuruar dhe na u desht t’a shtronim përsëri”, tregojnë prindërit.

Disa analiza të kryera në datën 2 Mars të 2022 do të sillnin rezultate që dy prindërit e rinj as nuk i imagjinonin.

“Djali ynë iu nënshtrua disa analizave ku ndër to ishte dhe analiza e HIV-it për të cilën ne nuk kishim dijeni. Ne prindërit e tij negativë dhe nuk e dimë sesi u infektua. Gjëja e fundit që mund të mendonim ishte kjo diagnozë. Për fatin tonë të keq dhe të vogëlushit tonë fëmija rezultoi pozitiv me katër teste pozitive. Na ka mbetur përgjithmonë në mendje mënyra sesi u konfirmua diagnoza pa asnjë psikolog pranë dhe krejt të vetëm me 3 mjek që vërtiteshin rreth nesh dhe bënin rrotullime të pakuptimta, derisa konfirmuan zyrtarisht që djali ynë ishte i infektuar me Hiv”, tregojnë prindërit.

Komunikimi i radhës do të ishte me Institutin e Shëndetit Publik, pasi duhej zbuluar ngarkesa virale të cilën duhet ta kryenin në Turqi.

“Sigurisht që ngarkesa rezultoi pozitive dhe çdo shtet e ka obligim të lajmëroj shtetin homolog për një rezultat të tillë. Pas lajmërimit të MSH në Shqipëri paralelisht me ne mjekët ngulmonin pasi ne të dy rezultuam negativë që ky ishte një rast shumë i çuditshëm dhe i rrallë dhe që fëmija të rezultonte pozitive. Gjithsesi të shqetësuar vendosëm të zhvillonim një takim me z. Shpëtim Qyra. Sipas tij ndarja për të patur një rezultat të saktë ishte pas 6 muajsh. I besuam këmbënguljes së tij dhe me kërkesë të z.Qyra vendosëm t’ia përsërisnim sërish analizën. Doctor Shpëtim Qyra për çudi shumë të madhe na thoshte se djali nuk e ka HIV-in. Mund të gjendemi në një cross COVID-i që mund të ndodhte kjo”, vijojnë rrëfimin prindërit.

Të shqetësuar prindërit kontaktuan vetë një tjetër mjek infeksionist.

“Vendosa të marr në takim një specialist në fushën e HIV-it  z.Arjan Harxhi. Doktor Harxhi vendosi të kishte një komunikim me telefon me z.Qyra i cili kërkoi për çudi të ulej zëri i telefonit në mënyrë që mos kishim mundësi ta dëgjonim. Pas këtij komunikimi dr.Harxhi mori të njëjtën qasje si të gjithë mjekët që ishim përballur duke reflektuar dyshime duke sugjeruar dhe ai përsëritje të analizave”, tha ato.

Dyshimet e forta të mjekëve i detyruan prindërit të niseshin drejt Gjermanisë ku bën dhe hapin e fundit, AND e fëmijës për t’a verifikuar edhe dyshimin e  tmerrshëm që fëmijën mund t’a kishin zëvendësuar në repart, në maternitet, pasi prindërit janë testuar disa herë dhe nuk e kanë virusin HIV/AIDS.

“Rezultatet nuk ndryshuan përsëri. Djali rezultoi pozitiv me virulencë të shtuar dhe ne të dy negative. Përsëri z.Shpëtim Qyra nuk ishte i bindur dhe na kërkoi t’i ribënim analizat . U realizua analiza ”, thonë prindërit.

Pas 3 muajsh analiza të vazhdueshme mjekët shqiptarë konfirmuan më në fund pozitivitetin e foshnjes me HIV/AIDS, por këto vonesa në diagnozë çuan në përkeqësimin e shëndetit të fëmijës.

“Mosbindja e mjekëve çoi në përkeqësim të sëmundjes duke vënë në rrezik serioz djalin tonë për shkak të mosndjekjes në mënyrë rigoroze të protokollit. Si për të mos mjaftuar dëmet e pafundme djalit i dolën 3 linfolodula në krahë të shkaktuara nga vaksina e tuberkulozit si pasojë e diagnozës me HIV pozitiv“, vijojnë rrëfimin e tyre.

Fjalët e mjekëve ‘vranë’ këto prindër më shumë.

“Mos u lodhni kot se kurrë nuk do ta gjeni ku është infektuar fëmija, pasi ka patur dhe raste të tjera që kanë mbetur të papërcaktuara”, thonë prindërit.

Mirëpo, ISHP nisi hetimin epidemiologjik vetëm me kërkesën e prindërve, por pa i njohur ata më pas më rezultatet.

“Raporti i plotë është punë teknike dhe shumë specifike  e grupit të punës dhe në kuadër të ligjit të mbrojtje së të dhënave personle nuk mund të shpërndahet”, thuhet në dokument.

Edhe në studio e Report TV, mjeku Harxhi e ka pranuar nisjen e hetimeve, por pa dhënë detaje se e njihte mirë rastin.

‘Nuk ka nevojë për ndonjë analizë të veçantë, ka nevojë për një vlerësim investigim, epidemiologjik hap pas hapi për të parë mënyrën e transmetimit. I kemi mundësitë që si fëmijët dhe të rritur të trajtohen, kemi pasur shumë raste të fëmijëve të trajtuara”, tha mjekur në studion e Report Tv.

Për çështjen në fjalë u bë dhe një kallëzim në prokurori.

“Ne me datën 21 qershor në vitin 2022 kemi bërë një kallëzim në prokurorinë e Tiranës dhe për çudi prokurori I çështjes z.Sajmir Hysa e mbylli çështjen pa e hapur fare, pa na thirrur neve të dëshmonim. Është mbyllur nga prokuroria e Tiranës. U detyruam të marrim avokat dhe iu drejtuam shkallës së pare Tiranë e cila na njohu të drejtën duke urdhëruar prokurorin të nis hetimet mbi bazën e provave të dorëzuara nga ne, por për çudi prokurori nuk po vepron, por shfrytëzon hapësirat që i jep ligji duke apeluar vendimin e shkallës së parë të gjykatës Tiranë. Veprimi i tij na ka indinjuar më tepër pasi po kryhet një krim tjetër ndaj fëmijës tonë”, kanë rrëfyer prindërit për Report Tv.

Prindërit e fëmijës së infektuar me HIV/AIDS gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar 2 takime me zv.ministren Mira Rakacolli, ndërsa vetë ministrja nuk i ka pritur në një takim

“Gjendja shëndetësore e fëmijës mund të rëndohej dhe për këtë arsye morëm rrugën drejt një shteti fqinj. Djali po trajtohet, djali u operua, e futën në urgjencë sepse jeta e fëmijës ishte shumë në rrezik, linfolodukat ishin në një masë të lartë e mund të shpërthenin dhe jeta e fëmijës vihej në pikëpyetje nëse mund ta kalonte këtë gjë”, thanë ato.

Tani mbetet misteri kryesor për t’u sqaruar ku dhe si është infektuar me HIV/AIDS një fëmijë 1 muaj të lindur nga prindërit pa SIDA, dhe mbi të gjitha kush mban përgjegjësi për këtë tragjedi?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.