EKONOMI

Pse erdhi mbiprodhimi në vitin 2022?

10:26 - 29.01.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deri në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri janë mbjellë 10,7 mln rrënjë ullinj. Krahasuar me rreth një dekadë më parë (vitin 2010), numri i rrënjëve të ullirit është rritur 30%.




Në vend pati mbiprodhim të vajit të ullirit në vitin 2022. Ministria e Bujqësisë parashikon që prodhimi i ullirit të jetë 40% më shumë se viti 2021, ndërsa sasia e vajit të prodhuar do të vazhdojë të jetë mbi 20,000 tonë. Në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26,000 tonë, apo 26% më shumë se në vitin 2021.

Sipas zv.ministrit të Bujqësisë, Dhimo Kote, arsyeja kryesore e rritjes së prodhimit është ndërgjegjësimi i fermerëve për leverdishmërinë për mbjelljen e kësaj kulture, gjë e cila ka sjellë shtimin e shërbimeve dhe moslënien e prodhimit në dorën e fatit.

Z. Kote shton se edhe kushtet klimatike dhe mosrënia e mizës së ullirit ishin faktorë plus që ndikuan te prodhimi.

“Ndër vite janë mbjellë mbi 10 mln rrënjë ullinj, një pjesë para fillimit të demokracisë. Më pas, shumë rrënjë të vjetra janë zëvendësuar me të reja, të favorizuara nga kushtet klimatike. Pjesa më e madhe e rrënjëve të ullirit janë të reja, të cilat kanë ndikuar te shtimi i sasisë së prodhimit.

2022 ishte ndër vitet më të mbara të prodhimit. Për shkak të motit të mirë, ky ishte ndër vitet e para që gjethet e bimës nuk u dëmtuan nga miza e ullirit dhe syri i palloit.

Në vend, kultivimi i ullirit është kthyer në traditë, gjë që përkon edhe me shtimin e shërbimeve nga fermerët ndaj kësaj kulture. Kjo është edhe arsyeja kryesore e rritjes së prodhimit.

Vite më parë, fermerët nuk i shërbenin kësaj kulture dhe prodhimi u la në mëshirë të fatit. Kultivarët kanë përshtatur investimet e reja bashkëkohore me klimën dhe tokën, që sollën mbiprodhimin”, thotë ai.

Për ekspertin e kulturës së ullirit, profesorit të Universitetit të Kamzës, Drini Imami, mbiprodhimi erdhi për shkak të rritjes së vazhdueshme të sipërfaqes me të mbjella ndër vite.

“Mbiprodhimi vjen për dy arsye. Së pari, për shkak të rritjes së vazhdueshme të sipërfaqes, dhe së dyti, sezoni i fundit i prodhimit u karakterizua nga rendiment i lartë, apo siç mund të thuhet në gjuhë popullore, ishte “vit i mbarë” prodhimi.

Në nivel ferme, ka pasur një tendencë për të rritur sipërfaqet e mbjella me ullinj.

Ajo u mbështet fillimisht nga skemat kombëtare të subvencionimit dhe në vijim, fermerët kanë vazhduar të mbjellin edhe pa mbështetjen e qeverisë.

Edhe në rastin e plantacioneve të reja, është e zakonshme të vërehen ullishte që janë braktisur, mbjellja e ullinjve shpesh është motivuar nga mbështetja e subvencionit, por në shumë raste është parë nga shumë si një mënyrë për të shfrytëzuar tokën me kosto dhe rrezik relativisht të ulët dhe angazhim të kufizuar për shërbimet.

Për shembull, shumë fermerë që kanë migruar në zonat urbane, kanë mbjellë ullinj në tokën e tyre, pasi ulliri konsiderohet një aktivitet produktiv me investime të ulëta, i cili mund të vazhdojë edhe në rast të mungesës së shërbimeve”.

Agron Çakalli, administratori i Federatës Bujqësore në Elbasan, e cila prej vitit 2000 numëron 125 fermerë të bashkuar që prodhojnë vajin e ullirit të markës “Valmi”, shton se mbiprodhimi pritej, për shkak të shtimit të rrënjëve të ullirit në 10-15 vitet e fundit.

“Nga qeveria e mëparshme për 5 vjet, fermeri është mbështetur me subvencione direkte 25,000 deri në 35,000 lekë për hektar për mbjellje të ullirit dhe 100 lekë për litër për shitjen e vajit të ullirit ekstra të virgjër.

Kjo ishte një ndihmë që shkonte direkt te fermeri, duke e nxitur atë të shtonte prodhimin. Nga mbjelljet e asaj periudhe është përfshirë 60% e prodhimit total të këtij viti.

Pjesa e mbetur do të përfshihet në vitet e ardhshme dhe pritet që ky superprodhim të vijojë tre deri në katër vite me radhë”.

Ku po shitet vaji?

Prodhimi i vajit të ullirit është rritur ndjeshëm, duke arritur në rreth 26,000 në vitin 2021, sipas Ministrisë së Bujqësisë. Duke qenë se shumica e ullinjve përdoren për vaj ulliri, prodhimi më i lartë i vajit të ullirit është nxitur nga rritja e prodhimit të ullinjve të papërpunuar.

Pavarësisht rritjes së prodhimit të ullirit, ka një tepricë kapacitetesh përpunuese, shumica e njësive të përpunimit nuk shfrytëzohen në kapacitetin e tyre të plotë, pasi mungon tregu i shitjes së vajit.

Ylli Hajdini, administratori i kompanisë “S.E.D – Borshi”, një ndër prodhuesit e mëdhenj të vajit të ullirit, tha më herët për “Monitor” se nga ullinjtë që iu ka blerë fermerëve zotëron në depozita 150 deri në 160 tonë vaj ulliri.

Edhe pse zotëron më shumë kapacitet depozitimi, z. Hajdini nënvizon se nuk mund të blejë më tepër sasi, pasi tregu është i mbingopur nga vaji i fermerit, ndërsa shitjet në supermarkete të vajit të ambalazhuar shqiptar janë në minimum. Situata është krijuar nga çmimi.

“Bazuar mbi kostot, çmimi i përpunimit të vajit të ullirit arrin në 760 lekë për litër. Përpunuesi e shet në supermarkete vajin me çmim 800 deri në 820 lekë për litër.

Nga supermarketeti, duke përfshirë edhe normën e tyre të fitimit, shitet 980 deri në 1,000 lekë për litër. Në këtë situatë, konsumatori do të kërkojë të blejë vaj ulliri me çmim 500 deri në 600 lekë për litër që po shitet direkt nga fermeri apo 1,000 lekë për litër që tregtohet në supermarkete?”.

Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar. Burime nga përpunuesit e vajit të ullirit thanë se 95% e produktit shitet në informalitet, vetëm 5% e tij shitet në supermarkete.

Shqetësimi i pamundësisë së shitjes së vajit të ullirit në supermarketet vendase u ngrit edhe nga drejtuesit e Federatës Bujqësore në Elbasan, për shkak të çmimit të lartë.

“Në markete, çmimi i vajit shqiptar po shitet gati dyfishin e çmimit të dalë nga fabrika dhe për këtë qëllim, malli mbetet stok, ndërsa pagesat kryen pas shitjes.

Kostoja e prodhimit të vajit të ullirit të markës nga fabrika jonë, duke përfshirë edhe fitimin, është 700 lekë për litër, ndërsa në markete, shitet 1,100 lekë deri 1,200 lekë për litër.

Për këto arsye, ne e shesim vajin te konsumatori familjar, nëpërmjet fabrikës dhe dyqaneve të vogla ushqimore. Në tregun e brendshëm, vajin e prodhuar e shesim më tepër te restorantet, hotelet dhe agroturizmet”, pohon z. Çakalli.

Shqetësim mbetet edhe mbingopja e tregut të brendshëm, për shkak të mbiprodhimit dhe informalitetit të lartë. Shumë fermerë po e shesin vajin e ullirit nën kosto, kurse të tjerë kanë krijuar stoqe në shtëpitë e tyre.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se magazinimi i vajit jashtë kushteve të duhura, në enë plastike dhe jo në depozita inoksi, i humb vlerat ushqyese brenda një kohe shumë të shkurtër, prej tre muajsh.

Në këtë situatë, ata thonë se mbikapacitetet në përpunim nënkuptojnë se investimet në njësi të reja përpunimi nuk do të ishin rentabël, nëse nuk do të gjenden tregjet e eksporteve. Eksportet e vajit të ullirit në Shqipëri vijojnë të mbeten në sasi shumë të ulëta.

 

Harta globale e ullirit, ku renditet Shqipëria

Nga viti 1962 deri në vitin 1987, sipas FAO-s, Shqipëria ka qenë në hartën e 15 prodhuesve më të mëdhenj të ullirit në botë. Në këto periudha, tre prodhuesit më të mëdhenj botërore qenë Spanja, Italia dhe Greqia.

Shqipëria sipas hartës së FAO-s është pozicionuar në vite të ndryshme në vendin e 10-të, 13-të apo 14-të në lidhje me prodhimin e ullirit. Pas periudhës komuniste, Shqipëria është rikthyer në hartën globale të prodhimit të ullirit vetëm një herë, në vitin 2012, duke u renditur e 15-ta.

Në botë, Spanja është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i vajit të ullirit me një peshë prej 49% në 2021, e ndjekur nga Greqia (13%), Italia (11%), Tunizia (11%) dhe Portugalia (10%).

Sipas Agjencisë së Informacionit dhe Kontrollit të Ushqimit (AICA), Spanja prodhoi 1.3 milionë tonë vaj ulliri në vitin 2021, që përbën 42% të prodhimit global të vajit të ullirit. Italia është prodhuesi i dytë më i madh i vajit të ullirit në botë, me rreth 315 mijë tonë në vitin 2021.

Prodhues të tjerë të mëdhenj të vajit të ullirit janë Tunizia (240 mijë tonë), Turqia (228 mijë tonë), Greqia (225 mijë tonë) dhe Maroku (200 mijë tonë). Këto gjashtë vende, përkatësisht Spanja, Italia, Tunizia, Turqia, Greqia dhe Maroku, janë përgjegjëse për 81% të prodhimit global të vajit të ullirit.

A rrezikon Shqipëria të kthehet si Palestina?

Palestina, një nga liderët në botë të prodhimit të vajit të ullirit, nuk gëzon rritje proporcionale të eksporteve, për shkak të konfliktit me Izraelin, i cili nuk e lejon ta shesë në tregjet e huaja.

Studimi i Bashkimit Europian “Shteti i Palestinës, strategjia kombëtare e eksportit 2014-2018”, thekson se mungesa e eksporteve, mund të përbëjë kërcënim serioz për ekonominë palestineze dhe veçanërisht për rreth 100,000 familje vendase, jetesa e të cilave varet nga vjelja e ullirit.

Studimi thekson se dështimi për të përmirësuar status quo-në, ka penguar rritjen e eksporteve të vajit të ullirit të prodhuar në Palestinë, që së fundmi po rrezikon prodhuesit vendas edhe nga importet, shqetësim i ngritur nga Autoriteti Kombëtar (PNA) dhe Ministria e Bujqësisë së Palestinës.

“Sot, vaji i ullirit palestinez kënaq të gjithë popullsinë vendase, por për një sasi të papërfillshme 12,000 tonë/vit të konsumit mesatar nga palestinezët.

Vaji i ullirit palestinez konsumohet kryesisht në vend, dhe në 15- 20 vitet e fundit, oferta e brendshme ka përmbushur plotësisht kërkesën e brendshme.

Furnizimi i tepërt është eksportuar dhe importet kanë qenë të papërfillshme. Vendi kryesor për mbiprodhimin e shtetit të Palestinës, rreth 4,000 tonë mesatarisht në vit, kishte qenë prej kohësh Izraeli. Megjithatë, ky treg i eksportit është dobësuar që nga fillimi i vitit 2000 dhe duket të jetë në nivelin më të ulët historik.

Në 2007 dhe 2008, Izraeli ishte ende shteti me tregun më të madh të eksportit të vajit të ullirit të Palestinës, mesatarisht 890 tonë. Në 2009 dhe 2010, kur mungesa e eksporteve të Palestinës, ishte më e larta ndër vitet e fundit, importet e Izraelit shënuan vetëm 23 tonë, ose 0.5% e totalit të konsumit të vajit të ullirit.

Tregjet e tjera kryesore të eksportit të shtetit të Palestinës shfaqën ndryshueshmëri të lartë nga viti në vit, duke treguar mbijetesë të ulët në marrëdhëniet me shtetet e tjera për eksportet.

Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin tregu kryesor në vitin 2011 dhe i katërti në vitin 2009. Në vitin 2010, këto shtete nuk importuan vaj ulliri.

Në periudhën 2007-2010, 31 vende importuan vaj ulliri palestinez, por më pak se gjysma e tyre e bënë këtë në të katër vitet. Nga 23 vendet ku shteti i Palestinës eksportoi në vitin 2010, shtatë prej tyre nuk importuan vaj ulliri në vitin 2011”, citohet në studim./Monitor.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.