LAJMI I FUNDIT

Mbrojtja e interesave, Serbia midis Rusisë dhe BE-së

14:08 - 11.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë, veçanërisht nëse ato janë kaq larg njëra-tjetrës”. Hoyt Brian Yee, asokohe zv.ndihmëssekretar i SHBA-së për çështjet europiane dhe euroaziatike, kishte një mesazh të ashpër për Serbinë në vitin 2017: Beogradi duhet të bëjë një zgjedhje midis Perëndimit dhe Rusisë.




Pesë vite më vonë, politika e jashtme serbe është ende e lëkundur në të dyja anët. Deri tani, as lufta mizore e Rusisë në Ukrainë, nuk ka bërë që presidenti serb Aleksandër Vuçiç të ndryshojë drejtim.

Nga njëra anë, Vuçiç shpreh një përkushtim të sinqertë për ta futur Serbinë në BE dhe për të promovuar integrimin rajonal nëpërmjet nismave si Ballkani i Hapur, një platformë që Serbia e ndan me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, Serbia po i bën qëndresë presionit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe për të ndërprerë lidhjet e thella me shtetin rus. Fluturimet nga Moska dhe Shën Petërburgu zbarkojnë çdo ditë në Aeroportin e Beogradit. Qyteti është plot me rusë të klasës së mesme që përfitojnë nga regjimi pa viza dhe rregullat e buta të qëndrimit të Serbisë, për t’i afruar bizneset e tyre me BE-në dhe për të shmangur dërgimin për të luftuar në Ukrainë. Lidhja serbo-ruse duket më e fortë se kurrë.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, Serbia po merr lëvdata në Bruksel. “Serbia ka përparuar në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një vizitë në Beograd, më 28 tetor 2022.

Lidhja ruse e Serbisë ngre alarmin në të gjithë rajonin. Fqinjët e vendit kanë frikë se luftërat e viteve 1990 mund të rikthehen. Në sytë e tyre, agresioni rus kundër Ukrainës nxit hakmarrjen serbe dhe rrezikon status quo-në territoriale në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Kosovës, e përshkruan Serbinë si një zgjatim të Rusisë së presidentit Vladimir Putin. Kur serbët nacionalistë ngritën barrikada në veri të Kosovës dhe qëlluan ndaj policisë në korrik-gusht 2022, kryeministri Albin Kurti, tha se ishte rritur rreziku i një konflikti të ri midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se para pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, shanset për një luftë të re ishin të ulëta, por më pas situata ndryshoi. “Shembulli i parë për këtë ishte Ukraina.

Nëse kemi një ndodhi të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, janë shumë të larta”. Kurti përmendi paralajmërimin e përsëritur të Vuçiçit se Serbia do të vepronte për të parandaluar një “pogrom” kundër serbëve në Kosovë. Edhe pse tensionet janë ulur kohët e fundit falë përpjekjeve ndërmjetësuese të BE-së, frika nuk është shuar. Një përshkallëzim i ri në veri të Kosovës, i ngjashëm me atë të dhjetorit 2022, nuk mund të përjashtohet.

Kërcënimi që paraqet Rusia në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të fryhet. Duke lënë mënjanë retorikën e dhunshme nacionaliste, Serbia nuk është nën përgjegjësinë e Kremlinit, por përkundrazi, po mbron interesat e saj, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë. Për më tepër, Shteteve të Bashkuara dhe BE-së po i soset durimi, duke rritur trysninë ndaj Vuçiçit për të zgjedhur një rrugë të qartë. Në Beograd, Von der Leyen theksoi se përparimi i Serbisë drejt pranimit në BE ishte i kushtëzuar nga përafrimi i vendit me politikën e jashtme të BE-së. Lufta në Ukrainë mund të bëjë që më në fund të merret parasysh paralajmërimi i Yee.

Trekëndëshi Serbi-BE-Rusi

Politika e tanishme e Serbisë ka rrënjë të thella dhe të kujton qëndrimin e Jugosllavisë në Luftën e Ftohtë. Serbia varet nga BE-ja, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Blloku është prej kohësh partneri kryesor tregtar dhe investues i Beogradit.

Serbët mund të udhëtojnë pa viza në BE, ku një diasporë e madhe jeton prej dekadash. Vuçiç shihet më shpesh në shoqërinë e Von der Leyen, kancelarit gjerman Olaf Scholz, ose presidentit francez Emmanuel Macron, se sa në shoqërinë e Putinit.

Serbia është gjithashtu një kandidate kryesore në Ballkanin Perëndimor, për anëtarësim në BE. Beogradi nisi bisedimet e anëtarësimit në BE në vitin 2014, dhe vetëm Mali i Zi e kishte bërë këtë më herët. Që nga tetori 2022, Serbia kishte hapur 22 nga 35 kapitujt e politikave, duke përfshirë dosjet vendimtare për reformat në drejtësi dhe për politikën e brendshme. E megjithatë, përparimi i Serbisë drejt BE-së nuk mund të quhet aspak sukses. Negociatat e pranimit po ecin ngadalë dhe pas tetë vjetësh, vetëm dy kapituj janë mbyllur përkohësisht. Për krahasim, Kroacisë iu desh e njëjta kohë për të përfunduar anëtarësimin e plotë në BE midis viteve 2005 dhe 2013. Kjo mungesë përparimi ka zemëruar shoqërinë serbe. Një studim i korrikut 2022 nga organizata kërkimore “New Third Way”, zbuloi se 66% e serbëve ndiheshin më afër me Moskën sesa me Perëndimin dhe 40% favorizonin përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Përveç perceptimit se BE-ja nuk ka përkushtim për t’u zgjeruar, mosmarrëveshja me Kosovën është një arsye kryesore për këto ndjenja publike. Ndryshe nga sa thonë autoritetet në Beograd, është e qartë se Serbia nuk do t’i bashkohet bllokut pa e njohur sovranitetin e Kosovës, pasi BE-ja nuk dëshiron të importojë një konflikt të pazgjidhur, të ngjashëm me atë të Qipros. Negociatat e anëtarësimit të Serbisë filluan vetëm pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar në vitin 2013 nga shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e angazhonte Beogradin që të normalizonte lidhjet me Prishtinën, në këmbim të të drejtave më të mëdha për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Megjithatë, dialogu midis Serbisë dhe Kosovës ka qenë prej kohësh në një ngërç. Bisedimet janë acaruar nga krizat e vazhdueshme në Veriun e Kosovës të populluar me serbë, interpretimet e ndryshme të marrëveshjes origjinale, fushatës serbe për të bindur shtetet në mbarë botën që të heqin njohjen e Kosovës dhe një përpjekje në vitet 2019-2020 nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump, për të nxitur një marrëveshje alternative të mbështetur në shkëmbim toke.

/ Ky botim është pjesë e Europe’s East, një projekt i Carnegie Europe mbi politikën europiane ndaj Europës Lindore dhe Rusisë./monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.