EKONOMI

Skandalet e Ceno Klosit/ Zyra për Tatimet në objekt pa leje, qira 25 mijë euro

08:01 - 11.03.23 m.k
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një skandal në kufijtë e të paimagjinueshmes ka përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtuesin e saj Ceno Klosi.




Prej 15 korrikut të 2022, drejtoritë kryesore të tatimeve qendrore duke përfshirë sektorin “VIP” dhe sektorin e hetimit tatimor, po e kryejnë aktivitetin administrativ në një ndërtesë pa leje, e cila është marrë me qira. Firma në kontratë është hedhur as më shumë dhe as me pak nga Ceno Klosi në shkelje të plotë të ligjit.

 Sipas kontratës të cilën “News2 4” e disponon, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë me qira për zyra 2931 metra katrorë në një objekt në Yzberisht, më konkretisht buzë unazës së madhe të Tiranës, në zonën e “Astirit”.

Sipas dokumenteve zyrtare ky objekt ka të regjistruara në hipotekë vetëm 373,3 metra katrorë, pjesa tjetër prej 2559 metrash katrorë është pa leje dhe prej vitesh në procedura legalizimi. Vlera e kontratës është 25 mijë euro në muaj, dhe afati është 1-vjeçar, me të drejtë rinovimi. Nuk dihet ende se çfarë procedure është ndjekur për të arritur në këtë marrëveshje, por Tatimet nuk kanë njoftuar ndonjë tender të hapur, ku subjektet konkurrojnë me çmimet që ofrojnë. Në kontratën ku Ceno Klosi ka hedhur firmën ka absurditete të ndryshme, ku thuhet se qiradhënësi garanton se është pronar i vetëm legal i pasurisë, ndërkohë që vetë objekti është pa leje. Nuk kuptohet se si Drejtoria e Hetimit Tatimor, që ka funksionet e Policisë Gjyqësore dhe bashkëvepron me Prokurorinë, mund të kryej aktivitetin në një ndërtim pa leje të marrë me qira, ku vetë kjo drejtori mund të ketë objekt të punës së saj edhe biznese që operojnë në godina pa leje. Një skandalin i ri përfshiu edhe para pak ditësh drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi, që denoncohet zyrtarisht për shkelje të ligjit, të të drejtave themelore të njeriut, si dhe për fyerje, nga ish-drejtorja e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, Shilda (Kamberi) Hasanaj, e cila ka qenë në këtë detyrë deri në tetor të vitit që shkoi.

Znj. Shilda Hasanaj që ka punuar në Tatime 23 vite i është drejtuar me një ankesë Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku i kërkon ngritjen e një komisioni hetimor pikërisht për abuzimet e Ceno Klosit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në ankesë jepen fakte dhe detaje të frikshme për mënyrën se si Ceno Klosi dhe drejtorët pranë tij i bëjnë presion psikologjik administratës në varësi për të kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Ata që nuk pranojnë, pushohen nga puna. Kështu ka ndodhur edhe me denoncuesen Shilda Hasanaj, e cila thotë se kur nuk ka pranuar të zbatojë urdhrat verbalë e të paligjshëm të drejtorëve të Ceno Klosit, është thirrur në zyrë nga ky i fundit dhe i është bërë presion për të pranuar gjithçka.

Zonja Hasanaj shpjegon në ankesë se nga drejtori i Investigimit të Brendshëm Antikorupsion, Klodian Mema, i janë kërkuar udhëzime se si mund të sulmohej drejtorja e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Vjola Tanto, edhe pse ishte shtatzënë dhe e aftë profesionalisht. Ai i ka paraqitur një letër gjoja anonime, por që në fakt ishte e shkruar në zyrat e administratës tatimore. Më tej në shkresën drejtuar Komisionit të Ligjeve thuhej se Drejtori i Përgjithshëm, Ceno Klosi, ka mashtruar lidhur me moskryerjen e inspektimeve në rajone nga ana e Shilda Hasanajt, ndërkohe që projekt raportet ishin firmosur nga vetë ai. Raportet e inspektimit janë fshehur ose zhdukur pasi vartësit e Klosit nuk kanë pranuar t’i marrin në dorëzim me firmë dhe në zyrën e protokollit nuk lejohet të protokollohen në kohë shkresat sipas ligjit se kanë frikë se mos lënë gjurmë./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.