Speciale

Aksioni i policisë në kampin Ashraf 3: Kontroll rutinë apo sulm? 

15:41 - 25.06.23 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xheni Shehaj




Një kontroll, në dukje i zakonshëm i policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve në Manëz u kthye në një sulm të mirëfilltë duke lënë pas një të vdekur dhe të tjerë të plagosur. Qindra forca policie, në ditën e refugjatëve (20 qershor) “pushtuan” vendstrehimin e muxhahedinëve.
Po çfarë ndodhi në të vërtetë në kampin Ashraf 3 ku janë vendosur prej disa vitesh opozitarët iranianë?
Si rrodhën ngjarjet që situata agravoi deri në pikën që një person humbi jetën e të tjerë u plagosën?
Nëse do të ishte një kontroll normal nuk kishte asnjë arsye që të hidhej spraj piper, apo të shkonte puna tek përdorimi i forcës.
Çfarë do të ndodhë pasi të përfundojë kontrolli i serverave e kompjuterave dhe në to të mos gjendet asgjë që mund t’i implikojë muxhahedinët me terrorizmin, krimin kibernetik a diçka tjetër?
Pyetjet që shtrohen janë të shumta e një pjesë e tyre janë ende pa përgjigje.

Të kontrollosh një bazë, një organizatë, një shoqatë etj, është tërësisht normale. Përderisa iranianët qëndrojnë brenda territorit të Shqipërisë është më se e drejtë të mbahen nën monitorim e hera – herës të kryhen kontrolle rutinë. Por sigurisht që për këto kontrolle nevojitet një urdhër a mandat dhe ka një procedurë që duhet ndjekur. Ndonëse urdhëri ekzistonte (vetë muxhahedinët e pranuan që policia u paraqit me një urdhër kontrolli) a ishte mjaftueshëm i qartë ky urdhër sa për ta kuptuar shtetasit iranianë? Mos të harrojmë që muxhahedinët janë shtetas iranianë dhe, edhe pse disa prej tyre e kanë mësuar gjuhën shqipe dhe e flasin mirë atë, shqipja e tyre nuk është në të tillë nivel sa për të kuptuar qartësisht se çfarë shkruhet në letër, duke patur parasysh terminologjinë ligjore që përdoret në urdhërat që lëshohen nga gjykatat.
Duket se ka një ngërç që në gjenezë të kontrollit të shkaktuar nga komunikimi, moskuptimi mes palëve e cila çoi në përkeqësim të situatës.
Nuk bën sens fakti që policia të shkatërrojë dyer, të thyejë xhama, të shkulë me forcë kompjuterat, të hedhë spraj e të mbjellë terror. Nuk bën sens sepse hyrja për në kampin e muxhahedinëve (dhe është diçka që e pashë me sytë e mi e nuk e kam me të dëgjuar a lexuar nga portalet) ngjasonte me një film aksion ku prapa portës së hekurit të shtrembëruar nga goditjet shihje sy të përlotur, fotografi të personit që ndërroi jetë, fytyra të skuqura nga i nxehti e duar të mbledhura grusht si për të treguar pafuqinë që mbizotëronte ato momente. Furgona policie, postblloqe nëpër rrugë, policë të armatosur, ambulanca që vinin e iknin me të plagosurit dhe një turmë njerëzish që armë të vetme kishin zërin e tyre.

Sulmi në kampin Ashraf 1, në Irak ndodhi afër mëngjesit, e sdi përse ngjason me shembjen e teatrit tonë. Historia ka tendencën e çuditshme që herë pas here përsëritet pavarësisht vendit, kohës, rrethanave. Nata është koha më e mirë për të sulmuar. Njerëzit janë të papërgatitur, nuk ka media në vendngjarje, mbështetësit flenë qetësisht në banesat e tyre dhe policia e ka më të lehtë të veprojë. Mirëpo dje ishte mëngjes dhe kontrolli do të kryhej nën dritën e diellit. Por edhe pse ishte ditë duket se diçka shkoi keq, media ia behu në vendngjarje dhe lajmi mori dhenë. Shumë njerëz filmonin, fotografonin nga çdo cep e kënd. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar që prej fillimit hyrjen e makinave e furgonave të policisë krejt qetësisht në rrugët e kampit. Natyrshëm lind pyetja: derisa forcat e policisë nuk ndeshën kundërshtim nga ana e muxhahedinëve për t’u futur brenda kampit ç’nevojë kishte të reagohej brutalisht?
Ç’nevojë kishte të përhapej terror mes turmës së pambrojtur e të paarmatosur?

Irani i ka pranuar ndërhyrjet përmes sulmeve kibernetike në sistemin tonë. Irani është një superfuqi. Pak kohë më parë shteti shqiptar përzuri e mbylli ambasadën iraniane në Shqipëri pikërisht se ata po na sulmonin duke nxjerrë informacione e të dhëna. I njëjti shtet ndërhyri në kampin Ashraf 3 me pretendimin që muxhahedinët kryenin sulme kibernetike ndaj sistemit tonë.
Historia sërish ka tendencën e çuditshme që hera pas here përsëritet, veçse ndryshojnë personazhet.

E gjithë ngjarja mbetet për t’u qartësuar e sigurisht që kjo detyrë i takon organeve përkatëse. Zhurma mediatike, kaosi që na rrethon, gjithëdija që na karakterizon do ta mbajnë në hije të vërtetën. Por e vërtetë gjithmonë e gjen rrugën. Deri atëherë, le të shpresojmë që të mos ketë më ndërhyrje që agravojnë e dalin jashtë kontrollit, mos të ketë viktima e as të lënduar pasi ngjarje të këtij lloji jo vetëm nuk na nderojnë por na nxjerrin në dritë të keqe, e sa për errësirë jemi zhytur mjaftueshëm në terr.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.