AKTUALITET

Historia e marrëdhënieve Kurti-Rama/ A janë mospajtime politike apo edhe inate personale?

15:38 - 07.07.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-kreu i komunës së Prishtinës dhe ish-pjesëtari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti komentoi marrëdhënien e komplikuar midis kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti, kur tha që në fillim se krisja e parë mes tyre daton herët qysh kur Rama lidhi koalicion me Ilir Metën. Ndërsa Radio Evropa e Lire në një analizë të saj vëren se përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, nuk kanë të bëjnë vetëm me çështje politike, por me gjasë edhe personale, referuar disa analistëve.




REL e fillon konfliktin me anulimin e mbledhjes nga ana e kryeministrit Edi Rama e planifikuar të mbahej më 14 qershor. Rama kërkoi  t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Situata e sigurisë në atë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Kurti nuk i përfilli kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot”, tha Rama muajin e kaluar.

Sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive u anulua paarsyeshëm.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, vlerëson në një prononcim për REL se përplasjet Kurti-Rama ndodhin për arsye objektive dhe subjektive.

E para, sipas tij, lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, thotë Hasani, Rama po përpiqet ta luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal.

Sipas tij, ai po përpiqet të ndërmjetësojë mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”.

Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet mes dy kryeministrave, sipas Hasanit, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tash, por edhe më herët”.

Sipas tij, janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si nj lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i Qeverisë së Kurtit”, thotë Hasani.

“Por, Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar ose në dështim e sipër. Kjo është esenca e problemit”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Ervis Iljazaj, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Evropian të Tiranës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka “sjellje paternaliste” ndaj autoriteteve të Kosovës, ngjashëm sikurse edhe kryeministrat e mëhershëm shqiptarë.

Sipas Iljazajt, Rama ndjek një linjë politike që dallon nga ajo e Kurtit, për sa u përket çështjeve të Kosovës. Por, siç thotë ai, kjo nuk e justifikon faktin që ata të mos takohen.

Kurti, thotë Iljazaj, pretendon që Rama duhet t’i mbështesë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në sfidat që ka në veri me Serbinë, por edhe në raportet e krijuara me partnerët perëndimorë.

Iljazaj konsideron se Shqipëria deri më tash, përmes politikës së Ramës, është sjellë si shtet neutral dhe jo si palë në konflikt.

Prej kur datojnë mosmarrëveshjet?

Radio Evropa e Lirë nënvizon në analizën e saj se në verën e vitit 2018, mekanizma të ndryshëm shpërfaqën idenë e “korrigjimit” apo “përcaktimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Kurti, asokohe, e kritikoi Ramën për mbështetjen e kësaj ideje.

Në dhjetor të po atij viti, Kurti mbështeti protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim.

Më 10 tetor të vitit 2019, pastaj, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan një deklaratë që çoi drejt marrëveshjes për “Mini-Schengenin” ballkanik, e që më vonë u riemërua si “Ballkan i Hapur”.

Kurti – asokohe kandidat për kryeministër të Kosovës – e kundërshtoi nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e krejt në fund edhe Serbinë.

Këtë nismë e kundërshtuam edhe udhëheqës të tjerë politikë në Kosovë.

Më 25 prill 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, garoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, por mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë e fitoi Rama.

Kurti dhe Rama i shprehën publikisht edhe mospajtimet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit komuniteti ndërkombëtar insiston në vazhdimësi.

Muajin e kaluar, Rama tha se ka dorëzuar një propozim të draft-statutit të këtij asociacioni te zyrtarët e lartë të BE-së, si dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe te presidenti francez, Emmanuel Macron – gjë që ngjalli pakënaqësi te Kurti dhe autoritetet e tjera të Kosovës.

Po inate personale?

Profesori Hasani vlerëson se Qeveria e Kosovës, aktualisht, po vepron sipas logjikës së “arsyes shtetërore”, për t’i mbrojtur ato që i konsideron “interesa shtetërore”. Sjelljet e Ramës, “duke iu qasur Kosovës thuajse nuk është shtet”, i dëmtojnë këto interesa, thotë Hasani.

Megjithatë, ai nuk beson se mospajtimet e dy kryeministrave lidhen edhe me inate personale.

“Jo, nuk janë shndërruar… Ato [inatet personale] kanë qenë të tejkaluara shumëfish dhe kanë pasur raporte shumë të përzemërta ideologjike. Dhe i kanë akoma. Unë pres që ata, në një moment, prapë të vijnë në pikën e njëjtë – edhe Kurti, por edhe Rama – sepse të dy janë të majtë të devotshëm”, thotë Hasani.

Profesori Iljazaj mendon ndryshe.

“Po t’i shikosh, që të dy janë politikanë me mbështetje të madhe, për momentin. Janë politikanë me karizëm të fortë, që të dy. Kështu që, sigurisht, ka edhe një përplasje egosh, ka një garë protagonizmi të botës shqiptare të këtyre dy politikanëve”, thotë ai.

REL vëren se Hasani dhe Iljazaj pajtohen se përplasjet ndërmjet Kurtit dhe Ramës nuk do të çojnë në ndonjë çarje serioze të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Unë dhe Albin Kurti kemi të njëjtin qëllim, qind për qind. Dallojmë tek ajo se si arrihet qëllimi”, tha Rama më 6 korrik, duke komentuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili tash për tash ka ngecur.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.