AKTUALITET

Kreu i Kishës katolike në Kosovë për situatën në veri: Ndonjëherë njeriu duhet të heqë dorë nga e drejta për të mirën e përgjithshme

14:39 - 15.07.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress duke komentuar situatën e tensionuar të muajit të fundit në veri kërkon të ndërmerren veprime të matura pasi nuk duhet të rrezikojmë atë që e kemi fituar më 1999.




Gjergji shprehet se deri më tani janë parë “sjellje prej adoleshenti të një shteti” që bën gabim të mendojë se nuk ka nevojë për ndihmën e atyre që e sollën deri në këtë ditë.

Kreu i Kishës katolike në Kosovë tregon edhe idenë e parealizuar të komunitetit fetar për të ndihmuar në lidhje me situatën në veri, ndërsa pyetet rreth dyshimeve të ngritura se Kisha ortodokse serbe po kontribuon në destabilizimin e vendit dhe për raportet e acaruara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Më 26 maj kryetarët e zgjedhur të komunave Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq tentuan të hyjnë në objektet komunale për të filluar punën, por hasën në rezistencën e protestuesve serbë. Nga ajo ditë pasuan akte të dhunshme në drejtim të policëve, trupave të KFOR-it dhe gazetarëve. Një situatë e brishtë ende po mbretëron në atë pjesë.

Imzot Gjergji thotë se situata e krijuar në komunat më veriore të Republikës duhet të zgjidhet me urtësi.

Kreu i Kishës katolike, duke nënkuptuar aleatët kur përmend figurën e “prindërve” thotë se ndonjëherë “njeriu duhet të heqë dorë nga e drejta vetë për të mirën e përgjithshme”.

Ipeshkvi Gjergji tregon edhe iniciativën e parealizuar të klerikëve që të lutën te ura e Ibrit. Megjithëse, nuk tregon se kush e pengoi një iniciativë të tillë, Gjergji shprehet se e vetmja rrugë për të dalë nga situata është paqja dhe pajtimi.

Gjergji beson se shqiptarët dhe serbët do të gjejnë rrugën e pajtimit dhe se për këtë ka edhe një vullnet të ndërkombëtarëve.

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë nuk shprehet i shqetësuar as me obligimin që ka marrë Kosova në marrëveshje me Serbinë për atë që është interpretuar si më shumë autonomi për Kishën serbe.

Megjithëse është i shkurtër dhe i kujdesshëm në fjalët që zgjedh, Gjergj thotë se do të ishte e papranueshme nëse Kisha ortodokse serbe po shfrytëzohet për destabillzim të vendit, siç u pretendua së fundmi edhe në Parlamentin britanik nga deputetja Alicia Kearns, që deklaroi se armët e kontrabanduara nga Serbia në Kosovë po mbahen në kishat ortodokse.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur edhe për raportet mes liderëve, Gjergji u shpreh se “duhet të ulen gjakrat” dhe të mësohemi të flasim edhe me ata që mendojnë ndryshe./KosovaPress


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.