DOSSIER

“Sot, më vjen turp nga vetja, pasi u atë ditë janari të 1975-ës, teksa pashë gjeneral Ramohiton, të dilte i nxirë nga Komiteti Qendror, u gëzova se…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

07:26 - 20.10.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpendi Topollaj 




Memorie.al / Shoqëria njerëzore, gjithmonë është përkundur midis të vërtetës dhe gënjeshtrës; por në Shqipërinë e periudhës komuniste, kjo përkundje, anoi aq shumë nga gënjeshtra, sa mori kuptimin e saj të plotë, thënia e Deni Didëroit, se; “Të vërtetën njeriu e do më fort, atëherë kur çdo gjë është e rreme”. Në atë periudhë, aq të ngjeshur me ngjarje të kurdisura mbi bazën e shpifjes e të mashtrimit, ne, edhe pse bënim sikur besonim në ato që na thuheshin, përsëri e donim të vërtetën, pavarësisht se nuk kishim se ku ta kërkonim dhe gjenim atë. E veçanërisht ne, që pamë dhe jetuam ato absurditete e makabritete që ngjanë në ushtri, e kemi detyrë para brezave, që të paktën tani në demokraci, në kushtet e lirisë së mendimit dhe të shprehjes e, nën dritën e shumë e shumë fakteve, të kontribuojmë në zbardhjen e të vërtetës.

Kjo është detyrë historike, morale dhe njerëzore. Pse është kuptuar kështu, nga shumë kuadro kryesore të ushtrisë, janë shkruar e botuar një sërë librash me vlerë. Por, duhet pohuar, se fatkeqësisht, ka ende nga ata që hezitojnë të pranojnë faktin, se shkaktari kryesor i asaj tragjedie të pashembullt, që i kushtoi aq shumë atdheut, popullit dhe ushtrisë tonë, paradoksalisht, ishte vetë Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha.

Ata shprehin keqardhjen, për gjithë ato viktima të panumërta dhe një sërë budallallëqesh të tjera, që patën një kosto aq të madhe, por nuk marrin guximin t’i vënë gishtin, shkaktarit të tyre, atij që me voluntarizma dhe teka faraoni, vrau, burgosi, internoi dhe poshtëroi, “Heronjtë e popullit”, (ata që iu përkushtuan me gjithë forcat e tyre shpirtërore dhe fizike atdheut), dhe familjet e tyre të ndershme.

Asnjëherë nuk e kuptova, se kujt i duhet ky ngurrim në denoncimin e krimeve të Hoxhës, që as hoxhallarët nuk i la rehat dhe kujt i shërben kjo lloj besnikërie e pakuptimtë?! Si mund të pranosh, se si vrasësi, si të vrarët, ishin burra të mirë dhe të denjë për vendin e tyre. Kanë kaluar 32 vjet nga zvarritja e turpshme e monumentit të diktatorit dhe të qëndrosh përsëri në një llogore me të, nuk është fare normale! Madje, do të shtoja, se kjo është e dëmshme, pasi çorodit ata që nuk e kanë jetuar atë kohë.

Është e vërtetë se gjithkush nga ne, e ka një brejtje ndërgjegje, pasi dashje pa dashje, u bëmë pjesë e një skenari djallëzor. Me konformizmin tonë, që shpesh kaloi në një entuziazëm të pafre, me dëshirën qëllimkeqe, për t`i parë ata që ishin ngjitur atje lart, të rrëzoheshin në humnerë, apo me synimin për të treguar besnikëri pa kufi, ndaj partisë, se kështu mund të bënim karrierë, pra me frikën dhe servilizmin që manifestuam, pas atyre plenumeve kobzeza, që nuk e forcuan, por e dobësuan ushtrinë, ne u bëmë bashkëfajtorë.

Thamë gjëra të paqena, që i rënduan ata që u quajtën padrejtësisht “puçistë” (pavarësisht se fati i tyre, qe paracaktuar) dhe duartrokitëm, kur atyre iu hodhën hekurat apo u qëlluan me plumb pas koke. Iu turrëm njëri-tjetrit me kritika, që sot duhet të na skuqet faqja, shkuam deri aty, sa shpifëm edhe për veten tonë, duke pranuar faje të paqena, se gjoja jemi parimorë të mëdhenj dhe u pajtuam si burracakë, me ato që na servireshin, nga fantazia e sëmurë e një paranojaku që e kishte dhënë me prova, qysh gjatë Luftës, pashpirtësinë e tij dhe etjen për pushtet. Në këto kushte, ‘mea kulpa’, do të ishte më e pakta, që duhej të bënim para historisë, dhe jo të dërdëllisnim e të spekullonim, me dinakëri orakujsh.

Nuk ka pse të mbetemi të verbër në besnikëri. “Fanatik – thoshte Çërçilli – është njeriu, që nuk mund të ndërrojë mendje…”! Ne, aspirojmë të gjithë të shkojmë drejt qytetërimit perëndimor, por atje shkohet me të vërteta dhe jo me mendësi bizantine. Është kjo arsyeja, që kujtimet e Bedri Spahiut, Liri Belishovës, Rrahman Parllakut, Ernest Jakovës, Josif Zegalit e, shumë personaliteteve të tjera, janë pritur aq ngrohtë. Njerëzit e dinë mirë kuptimin e thënies së Bielinskit se “E vërteta më e hidhur, është më e mire, se mashtrimi më i ëmbël”.

Ndaj dhe i përshëndesin ata që kanë kurajon të pranojnë të vërtetën, paçka se kjo për ta mund të ketë edhe kosto, sidomos ndaj mërisë që do t’i kundërvënë, ata që ende ruajnë konsiderata, për “gjeniun e marksizmit”, që në fakt, ishte gjeniu i së keqes të shqiptarëve, atij që zbatoi me kokë poshtë, konstatimin e Brutusit, se; “Lavdi pa viktima, nuk ka”, duke krijuar viktima edhe mes shokëve dhe miqve të tij. Është ky rrëfim i mençur dhe sidomos i sinqertë, që më bëri të shkruaj diçka rreth librit të gjeneral Halim Ramohitos, “Në shërbim të atdheut tim”. Duke qenë vetë pjesëtar i Forcave të Armatosura, më shumë si oficer, sesa si shkrimtar, e ndjeva detyrë të shkruaj për këtë libër, të denjë për një Institut Historie, apo për pena akademike.

Me Halim Ramohiton, jam takuar shumë vonë. Nuk e di, por dikur, me ato grada si ar e shiritat e kuq, serioz, që s’para qeshte kollaj, kur e shihja rastësisht në rrugë, më është dukur pak nopran dhe i sertë. Një ditë, diku aty nga fillimi i vitit 1975, duke shkuar drejt universitetit, për të dhënë një provim, e pashë duke dalë nga Komiteti Qendror, me një fytyrë ku dukej qartë hidhërimi. Duke ditur se ç’po ngjiste në udhëheqjen e lartë të Ushtrisë, sepse ndjeva një ngazëllim të brendshëm dhe me vete thashë; “E hëngri edhe ky”. Ai, kushedi se në ç’gjendje të rënduar shpirtërore ishte, kurse unë kënaqesha që po dënohej…!

Jemi shumë të mistershëm e të pashpjegueshëm ne njerëzit. Dhe sidomos jemi të tillë, kur na sundon idolatria dhe fetishizimi ndaj Njëshit. Sot, më vjen turp, që po e tregoj këtë moment dobësie, që nuk më nderon, por derisa flas për nevojën e të vërtetës, për të cilën Dekarti thosh se; “Vetëm e vërteta është e bukur”, mendoj se këtë, nuk kam pse ta fsheh dhe nga ana tjetër, e çliroj disi ndërgjegjen, nga ky mëkat i vogël, çlirim që bëhet edhe më bindës, duke shkruar gjerësisht për vlerat e atij njeriu, që ka kurajën të analizojë objektivisht, shkaqet e tragjedisë që shkaktoi komunizmi në Shqipëri dhe sidomos në ushtrinë e saj.

Në çdo faqe të librit të gjeneral Ramohitos, shpaloset jo vetëm pafajësia e tij dhe e shokëve të tij, por edhe shpirti i madh dhe i pastër, sa njerëzor aq dhe atdhetar. Ata, nuk kishin lindur udhëheqësa e gjeneralë. Ndoqën një rrugë të gjatë luftarake, plot vështirësi, sakrifica e privacione. Pasi kishin kaluar zjarrin e Luftës Nacionalçlirimtare, ata u shkolluan dhe u kulturuan, brenda dhe jashtë vendit. Kishin ideale dhe sedër, ndaj mendonin se nuk përfaqësonin vetëm veten.

Ata besonin se duhej të nderonin kudo që të ishin, Shqipërinë. Prandaj, me vullnet, këmbëngulje e përkushtim, u rritën si drejtues e komandues të një ushtrie, që fundja ishte vepër e tyre. Ata shkrinë jetën për atë ushtri, se e shihnin atë si mbrojtëse të fitoreve dhe garantuese të së ardhmes. Kishin dalë nga gjiri i popullit të thjeshtë, ndaj dhe i qëndruan besnikë të palëkundur atij.

Në gusht të 1949-ës, gjatë Provokacioneve të monarko – fashistëve grekë, e treguan me vepra, sesa e deshën atdheun. Po ashtu, të njëjtin qëndrim kishin mbajtur edhe më parë, ndaj synimeve të jugosllavëve, sikurse e treguan veten, në ndodhitë e viteve gjashtëdhjetë, kur ngjau prishja me ish-Bashkimin Sovjetik. Ngjarjet në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, përbëjnë një epope. Për nga burrëria, trimëria dhe atdhedashuria, ato kalojnë çdo ideologji e politikë dhe do të mbeten shembulli i përkryer i qëndresës, në mbrojtje të interesave të vendit. Jo më kot, autori i këtij libri, pikërisht këtu e nis rrëfimin e tij.

Ai fillimisht, na përshkruan trevën ku zhvillohen ngjarjet, këtë vend që ai e quan një mrekulli të natyrës, një vend ku sipas gojëdhënës; “po të jetosh këtu, nuk plakesh kurrë, se të shëron era e luleve dhe bukuria e natyrës”. Por, nuk është vetëm ana romantike, ajo që i jep vlerë atij. Ja si shprehet autori: “Rëndësia strategjike e këtij vendi, shpjegohet edhe me faktin se, jo vetëm nëpërmjet Gjirit të Pashalimanit, por sidomos nëpërmjet ishullit të Sazanit, i cili mund të konsiderohet edhe si ‘çelësi i derës’ i hyrjeve dhe daljeve në kanalin e Otrantos dhe në hapësirat e Detit Mesdhe, mund të kontrollohen me lehtësi edhe lëvizjet e anijeve, deri në Adriatikun e Mesëm dhe të Sipërm”.

Ja pse ia kishin vënë syrin kësaj baze ushtarako – detare, mareshallët sovjetikë, e deri Nikita Hrushovi, i cili thosh hapur: “Çfarë gjiri i sigurt qenka ky, në rrëzë të këtyre maleve, këtu në Pashaliman (Vlorë)!… Që këtej me një flotë të fuqishme, ne mund të shtiem në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e, gjer në Gjibraltar. Kështu, që këtej ne, mund të bëjmë zap këdo…”! Jo pa qëllim, në libër, autori, këtu nis rrëfimin e tij, pasi në këtë skenë u luajt me përmasa reale, drama shqiptaro-sovjetike, që për spektatorë. pati gjithë opinionin ndërkombëtar.

Luhej me fatet e atdheut, me nderin e Shqipërisë, prandaj të gjithë, gjeneralë dhe ushtarë, u bënë grusht dhe ditën të mbrojnë dinjitetin dhe krenarinë e të qenurit shqiptar. Ata nuk u trembën nga madhësia e ushtrisë të pamatë ruse dhe kjo histori, tërhoqi vëmendjen edhe të ShBA-ës, ku zëdhënësi i Departamentit të Jashtëm, deklaronte se; “Kjo është një goditje e rëndë, për perandorinë Sovjetike”. Si e tillë, ajo dhe denoncimi i Traktatit të Varshavë, nuk mund të harrohen. Dhe veç të tjerave, ajo evidentoi edhe një here, dashurinë dhe besnikërinë e udhëheqjes së lartë të ushtrisë, të cilën edhe Enveri e çmoi së tepërmi.

Halim Ramohitos, i ra në pjesë që të përballonte role shumë të vështira, pasi ai, nga shtatori i vitit 1957, qe emëruar si përfaqësues ushtarak i Shqipërisë, në Komandën e Bashkuar të Forcave Ushtarake të Traktatit të Varshavës dhe njëkohësisht edhe atashe ushtarak në Moskë. Qindra djem shqiptarë, studionin në shkollat ushtarake të atij vendi. Ndaj nuk ishte e lehtë t`i takoje, t`i sqaroje dhe t`i bindje ata që të mbanin qëndrimin e duhur në interes të vendit të tyre.

Gjeneral Ramohito, e kreu më së miri këtë detyrë të rëndësishme. Ata që e kanë njohur ato ditë, në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, ku survejoheshin e provokoheshin nga çdo anë, e mbajnë mend mirë, se mesa seriozitet dhe kompetencë, e kryente ai misionin e tij.  Në libër, ka shumë shembuj, që flasin më së miri për qëndrimin trimëror dhe në pajtim me interesat e vendit, të gjeneralëve shqiptarë, si; Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Halim Ramohito, e të tjerëve, aq sa as fantazia më e zhvilluar, nuk do ta shkonte ndërmend, se këta burra, do shpalleshin me një të rënë të lapsit, “armiq të popullit e atdheut”.

Interesant është përshkrimi i takimit të pritshëm me Malinovskin, ministrin e Mbrojtjes të Ushtrisë sovjetike, i cili u mundua ta përbuzte delegacionin shqiptar, të kryesuar nga shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-leijtnant, Petrit Dume. Ai, (Petriti) shumë i revoltuar, aq sa i habiti të gjithë, ngrihet të ikë dhe deklaroi se; “Ne, përfaqësojmë ushtrinë e një populli, që nuk e meriton të tallet me të mareshall Malinovski”.

Me të njëjtin ton, gjeneral Dume, i përgjigjet edhe mareshallit tjetër, Greçkos: “Nuk lejojmë asnjë njeri, të hedhë baltë mbi popullin tonë. Ne jemi një popull i vogël, por fisnik dhe liridashës, që edhe pa ndihmat tuaja, do të mbijetojë, ashtu siç e ka mbrojtur vendin e vet në shekuj. Ne, po qe nevoja, me sëpata dhe hanxharë, do ta mbrojmë vendin tonë, siç kemi bërë dikur…”! E njëjta situatë përsëritet, kur Malinovski e thërret Halimin në zyrë dhe me arrogancë e ton fyes, i thotë: “Çfarë doni ju shqiptarët…?!

Jeni bërë të padurueshëm, si ‘piper i kuq’” dhe merr përgjigjen që meritonte. I dinte mirë këto qëndrime Enver Hoxha, se fundja, kishin të bënin drejt për së drejti me karrigen e tij. E megjithatë, si mosmirënjohësi më i madh që njohu historia jonë, do t`i kryqëzonte ata heronj, me sajesa nga më të ndyrat. Vetë Halimi, i shpallur “non grata”, nga qeveria sovjetike, shpallet i tillë edhe në vendin e tij. Dhe sikur të mos mjaftonin vrasjet, burgosjet dhe internimet, Enver Hoxha, duke i vënë kundër njëri-tjetrit, deshi edhe t`i turpërojë ata.

Për dikë, që ngjarjet në ushtri, gjatë atyre plenumeve butaforike, që nuk ndryshonin asgjëkund me gjyqet e inkuizicionit, i ka soditur nga larg, ndofta, mund të lindin shumë pikëpyetje, lidhur me qëndrimin e drejtuesve kryesorë të ushtrisë, apo dhe me korpusin e gjerë të kuadrove ushtarake. Mund të thonë; se ata vetë, akuzonin shoku-shokun dhe nuk patën guximin të mbronin të vërtetën, apo veten e tyre, për të mos thënë edhe ta eliminonin Enver Hoxhën, që ishte shndërruar në një tiran gjakësor i paparë. Mirëpo, nuk është ashtu.

Enveri, kishte autoritet perëndie, por mendjen e kishte prej djalli, dhe shpirtin prej sadisti. Ai zbavitej, kur u hiqte kokat shokëve të tij. Atij, as që i bëhej vonë, se duke u marrë jetën atyre, duke i prangosur, duke i izoluar nga shoqëria, po i sillte një dëm të madh atdheut. Atdheu për të, ishte vetë ai. Dhe këtë bindje, kërkonte t`ua rrënjoste të gjithë shqiptarëve. Qoftë dhe me forma violente. Kur fliste me hipokrizi, se nuk e zinte gjumi për popull e atdhe, ai gënjente syleshët, pasi tërë merakun, e kishte për vete.

Tmerri na zinte kur bëheshin ato mbledhje të pafund. Të tërë prisnim të trembur, se çdo ngjasë. E dinim mirë se asgjë të keqe nuk kishim bërë, dhe përsëri ishim të rrezikuar. Shpik kritika e bëj autokritika, deri edhe para ushtarëve dhe fshatarëve hallexhinj, duke filluar të dyshonim edhe tek vetja. E gjithë kjo, në emër të “parimeve”. Oh!  çfarë hataje, që zgjati vite me radhë. Pa na sollën injorantë nga gjiri i klasës punëtore të cilët na shihnin me urrejtje dhe vigjilencë.

Ne, bijtë më të mirë të atdheut, trajtoheshim si të ishim Katilinat e socializmit. Besnikërinë, ne e patëm gjënë më të shenjtë, ai ishte virtyti ynë më i madh. Por edhe këtë na e nëpërkëmbën, na bënë që pa asnjë faj, të ulnim kokat para popullit. Madje, duhej të falenderonim partinë që ishte treguar zemërgjerë me ne. Mark Aureli, njëherë pati thënë se “Pasojat e zemërimit janë shumë më të rënda se shkaqet e tij”. Ashtu është.

Por ç`t`i bësh, kur Enver Hoxha nuk pati asnjë, e theksoj, asnjë shkak, për t`u zëmëruar dhe për të bërë tërë atë gurgule me ne. Si mund të harrohet, ajo që na punoi? Dhe si mund të ketë akoma njerëz (në çdo pozicion që të kenë qenë në radhët e ushtrisë aso kohe, apo sikur të mos u ketë hyrë asnjë gjemb në këmbë), që kanë parë me sytë e tyre, tragjedinë që ndodhi, dhe të ruajnë nostalgji për atë përbindësh?! Në këtë pikë, gjeneral Halimi është i pa ekuivokë: u persekutua gjeneraliati i ushtrisë tonë dhe e vuajti goditjen e pabesë, e tërë ushtria shqiptare, por e gjithë kjo, e pati një përgjegjës.

Dhe ai që do të përgjigjet para historisë, quhet Enver Hoxha. Të mos pranosh këtë të vërtetë të hidhur, do të thotë ose të jesh pa tru, ose të jesh pa zemër! Kjo do të thotë, të thellohesh në atë qëndrim të gabuar, që u mbajt atëherë dhe të marrësh pjesë në një çoroditje të brezave, në një falsifikim të vetë historisë. Sikur të mos na jepen këto fakte, sot, që aktorët janë gjallë, sado që ta vrasin mendjen historianët nesër, përsëri do ta kenë të vështirë ta zbulojnë deri në fund, me saktësi, atë katrahurë.

Do ta kenë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, pasi gjurmët e shkruara, që kalemxhinjtë e Komitetit Qendror na servirën dhe vetë fjalimet që Enveri mbante, janë përpiluar me aq kujdes, sa nuk u gjen dot të çara. Aty do ndeshësh vetëm “komplotistë”, “grupe armiqësore dhe puçistë”, të cilët i zbuloi qysh në fillim, Komandanti dhe i ndëshkoi Partia, për të mos thënë, mbarë populli.

Duke bërë fjalë për idenë e shkruarjes së këtij libri, autori (Halim Ramohito), thotë se; “Enver Hoxha, për qëllimet e tij të mbrapshta, për të ruajtur pushtetin e tij në ato vite, herë na akuzonte ne, gjeneralëve, si agjentë të NATO-s dhe herë si agjentë të ‘Traktatit të Varshavës’, të sovjetikëve, të jugosllavëve, e deri edhe të Kinës”. Me këto akuza të çmendura, operoi gjithë jetën Enveri dhe turpi le të bjerë mbi ne, që e ndoqëm nga pas këtë Neron.

Por të paktën tani, le të mbledhim mendjen dhe t`i japim atij, atë që meriton: mallkimin që të provojë në kurrizin e tij, atje në “Ferrin” ku e kanë çuar, gjithë vuajtjet shpirtërore dhe fizike, që u shkaktoi të tjerëve, pa bërë asnjë faj. Virgjili ka shkruar, se; “Ka momente, kur s`mund të thuhet asgjë; ka momente, kur mund të thuhen ca gjëra; por asnjëherë, nuk vjen momenti, kur mund të thuhen të gjitha”. Mund të jetë kështu, por unë sepse dua të besoj, se sot, është momenti të thuhen të gjitha. Nuk kemi nga kush të ruhemi, veç ndërgjegjes tonë.

Nuk kemi pse të kemi frikë, nga kurrkush, për t`i thënë gjërat, ashtu si i pamë dhe ashtu siç i realizojmë tani, që kanë dalë në dritën e diellit, aq e aq fakte tronditëse. A mund të anashkalohet ajo letra e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ekspozuar në Muzeun Historik, që paracakton me cinizëm, fatin e gjithë atyre burrave: “Një pjesë do të vdesin në burg, një pjesë do të sëmuren mendërisht. Deri tani, kanë vdekur në burg, gjeneralët; Gjin Marku, Vaskë Gjino dhe Abaz Fejzo dhe, si të sëmurë, mund të përmendim Halim Ramohiton, i cili vuan nga mania e persekutimit të familjes, një traumë kjo që e ka marrë qysh në hetuesi…”!

Me aq sa dimë edhe gjyqet e zhvilluara nga nazistët, pas atentatit të Fon Shtaufenbergut, më 24 korrik të 1944-ës, kundër jetës së Hitlerit, ishin disi më të pavarura dhe më të drejta, se ato turpe juridike që inskenoheshin te ne, hetuesive dhe gjykatave, ku me akuza hipotetike, vetëm pse ashtu kishte fantazuar mendja e sëmurë e udhëheqësit në Plenumin e gjashtë të Komitetit Qendror të PPSh-së, të 17 dhjetorit të vitit 1974, u torturuan dhe dënuan ekstremisht, komandantët legjendarë të ushtrisë, luftëtarët trima e sypatrembur të orëve të para, ata që në çdo rrethanë nuk ishin lëkundur nga dashuria për Atdhe dhe besnikëria ndaj popullit dhe vetë Enverit!

Vetëm ai që pa bërë asgjë të keqe, ka vuajtur vite të gjata në ferr – burgjet e komunizmit mjeran shqiptar, e di se ç`është burgu. Vetëm ai, di të shpjegojë dhembjet e shpirtit dhe të trupit, mallin për fëmijët, gruan apo nënë zezën. Dhe këto i ka përshkruar fare natyrshëm, Halim Ramohito. Ja sesi shprehet ai: “Vdekjen e mendoja që mund të më ndodhte në çdo moment, por, që ne të përfundonim në burg, pas gjithë asaj lufte partizane, për çlirimin e vendit dhe punës të vështirë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, nuk më shkonte kurrë ndërmend…në të gjithë mjedisin, si brenda dhe jashtë qelisë, nuk kishte asnjë rreze dielli, por vetëm hije dhe ngjyra gri na rrethonte nga të gjitha anët, një gri e zymtë, e rëndë dhe vrastare, që i shkonte aq shumë, gjendjes tonë”!

Dhe ngado, roja mizore, nga ata që shtynin dhe rrëzonin përtokë, njeriun me shumë sedër, atë që e vlerësonte si të shenjtë dinjitetin, gjeneralin Abaz Fejzo, komandantin e shquar të tankeve, të drejtin si një hyjni, por dhe rebelin e pandreqshëm. Halimi, ka fiksuar shumë detaje nga jeta në burg, por atij i ka lënë një përshtypje të thellë, veprimi i klerikëve të dënuar “… të cilët edhe në burg, gjenin mënyra për të sfiduar pushtetin e diktaturës, jo vetëm me heshtjen e tyre të plotë, por dhe me mbjelljen e luleve në territorin e burgut. Dhe ishte një gjë e bukur dhe fisnike, t`iu përgjigjeshe masave dhe padrejtësive çnjerëzore të pushtetit diktatorial, duke mbjellë lule, bimët më të bukura dhe më të pafajshme të natyrës”!

Por në daç mbill lule, në daç ngule shikimin te muret e ftohta të qelisë, burgu është “gjëja më e keqe që mund t`i ndodhë njeriut. Ai është i rëndë dhe të gërryen çdo ditë, si ai ndryshku që gërryen edhe hekurin më të fortë. Sado burrë të jesh, sado të durosh e të tregohesh i fortë e i paepur, në çdo ditë që kalon të duket sikur humbet diçka të shenjtë nga burrëria dhe personaliteti yt, nga gjithçka që më parë e ke pasur të dashur e të shtrenjtë”.

Libri i gjeneral Ramohitos, është i gjerë dhe rrok një galeri të pafund personazhesh e tematikash. Ai shtrihet deri në Rusi e Kinën e largët, nga Lufta Nacionalçlirimtare, vitet e karikaturës së socializmit, e deri në ardhjen e demokracisë. Flitet aty, për shumë e shumë ngjarje e figura të njohura, si: Qemal Stafa, Ramize Gjebrea, Nako Spiru, Zaho Koka, etj., përshkruhen takime me burra shteti, si; N. Hrushovi, J. Tito, Mao Ce Dun, Çu En Lai, G. Zhukovi, etj., dhe shkruhet një himn, për nënën dhe brengat e saj. Por unë parapëlqeva të ndalem, vetëm tek goditja që iu bë ushtrisë nga marria e Enver Hoxhës, marri e krim, që ende mbrohet edhe sot e kësaj dite me fanatizëm, nga disa njerëz, të cilët pa pikë turpi, e përgjegjësie, i drejtohen Halimit, me fjalët e pamenduara: “Mirë ua bëmë (juve, gjeneralëve puçistë) që u dënuam…”!

Po t`i kishte kapur ata vetë, “kosa” e pamëshirshme e diktatorit shtrigan, kuptohet që do flisnin krejt tjetërsoj. Por, të mësuar me drejtimin e Komiteteve të Partisë apo, Degëve të Punëve të Brendshme, hipur në ato “Gaz”-et e frikshme, mbetur qysh nga koha e Berias, ku u bënin gjëmën të tjerëve dhe duke përfituar nga privilegjet e pamerituara, vazhdojnë me të njëjtin avaz, t`i bien zurnasë, me pjesë të kompozuara nga sharlatanët e popujve, Marks, Engels, Lenin, Stalin dhe “i barabarti” me ta, “Enveri ynë”, duke harruar se njerëzve nga këto melodi bajate, u dhembin veshët dhe dikujt edhe shpirti.

Për gjithë këto që thashë, u bë shkak ky libër i shkruar me kulturë, sinqeritet dhe logjikë të shëndoshë, prej analisti me përvojë, nga një gjeneral i nderuar, ku ka bërë një punë të lavdërueshme edhe redaktori Apostol Duka, libër i cili duhet lexuar, për të nxjerrë mësime nga historia, sidomos kur për ato ngjarje, ka shkruar një njëri që ka të drejtë të përsërisë fjalët e Virgjilit, tek “Eneida”: “Quorum pars magna fui”, që do të thotë; “Në të cilën unë, pata një rol të rëndësishëm”!

Kështu edhe vetë çlirova ndërgjegjen, për atë gëzimin subkonshient, e gjithsesi të padrejtë, kur pashë të dalë i nxirë në fytyrë nga hidhërimi, nga dera e Komitetit Qendror, një gjeneral, që tani nuk rron më, më ishte dukur gabimisht nopran dhe i sertë, por që paska pasur gjithë këtë shpirt të madh e të ndjeshëm atdhetar dhe që kishte bërë aq shumë për Shqipërinë, por që shërbimin më të madh, po e bënte tani, duke shkruar një libër të tillë, ku merr jetë thënia e bukur e Tagorës, se; “Balta mund t`i përlyej diamantet, por nuk mund t`i kthejë në baltë”! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.