AKTUALITET

“Rasti i Duamena-s të trajtohet si vrasje”- Mjeku Sinamati: Kush është ai katran doktor i mbuluar me bluzë të bardhë që ka firmosur për së gjalli skedën e vdekjes së kapitenit të ‘Egnatias’?

15:06 - 12.11.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mjeku Admir Sinamati, ka reaguar në lidhje me vdekjen e kapitenit të Egnatias, Rafael Duamena, duke kërkuar që rasti të trajtohet si vrasje.




Sinamati ngre pyetje nëse klubi Egnatia kishte një raport mjekësor për dosjen e Duamenas dhe nëse po, kush ishte mjeku që firmosi për së gjalli skedën e vdekjes së kapitenit rrogozhinas nga Gana.

“Futbolli është dhe duhet të jetë sport e jo skllavëri!”, shkruan ndër të tjera mjeku.

Postimi:

Vdekja në fushën e blertë e kapitenit të “Egnatia” futbollistit ganez Rafael Dëamena nuk duhet të trajtohet si aksident apo vdekje e papritur por si një vrasje. Ai u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017, ndaj në Janar të vitit 2020, ndërsa ishte i federuar në Levante UD, atij iu implantua një kardioverter-defibrilator i implantueshëm (ICD) përmes operacionit, i cili i mundëson të sëmurëve të tillë vazhdimin e jetës normale por duke shmangur mbingarkesën fizike dhe kontrollin e vazhdueshëm të funksionit të kësaj paisje mjekësore të implantuar. Në tetor 2020, pas konsultës së mjekëve, ICD tregoi parametra kardiakë të cilat u konsideruan shumë të paqëndrueshme dhe si rezultat klubi i tij në atë kohë (Vejle Boldklub), e tërhoqi atë nga aktivitetet e ekipit.

Në tetor 2021, në ndeshjen e Kupës së Austrisë gjatë pjesës së parë të lojës së Blau-Weiss Linz kundër Hartberg, Dwamena u rrëzua në fushë dhe vetëm pas ndihmës së shpejtë dhe stabilizimit të aparatit ICD, ai vazhdoi jetën por jo lojën, pasi ekipi i tij nuk e aktivizoi kurrë më.

Lind pyetja: A ka klubi i “Egnatia” një raport mjekësor në dosjen e Dëamena-s, dhe nëse po, kush është ekipi i mjekëve që i ka dhënë “OK” skllavërisë së këtij fatkeqi?

Kush është ai katran mjek i mbuluar me bluzë të bardhë që ka firmosur për së gjalli skedën e vdekjes së kapitenit rrogozhinas nga Gana duke e bërë atë fizikisht të aftë për futboll?! Përtej ngushëllimeve, keqardhjes, dhe solidaritetit me familjen e të ndjerit, kolegët apo tifozët e Rrogozhinës; Federata Shqiptare e Futbollit nëse nuk e ndjen veten fajtore duhet të gjejë përgjegjësit e kësaj vdekjeje të paralajmëruar në mes të fushës dhe përpara mijëra syve të sportdashësve. Futbolli është dhe duhet të jetë sport e jo skllavëri!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.