LAJMI I FUNDIT

Dita e shenjtë dhe ringritja e figurës së mësuesit

08:50 - 07.03.24 NGA QEMAL ÇEJKU 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA QEMAL ÇEJKU 




Një thirrje miqësore për Ministrinë e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse, në ditën më të shenjtë për mësuesit. Mësuesi është arkitekti i fëmijëve tanë, prandaj mos e shikoni si mbushës të takimeve politike, apo si patronazhist, por si hallka më e rëndësishme e funksionimit të sistemit arsimor në vend sot dhe gjithë shoqërisë në të ardhmen.

Bëjeni atë figurë qendrore në shkollë, jepini dinjitetin që i takon, rishikoni kontratën e punës dhe ndërtimin e një statusi profesional, rishikoni rrogat e tyre, jo vetëm në fushata (shpërblimi dinjitoz i tyre është arsyeja që maturantët ekselentë të zgjedhin fakultetet e mësuesisë), ndryshoni kurrikulën e pazbatueshme tani më. Të ringremë figurën e mësuesit në shkollë e shoqëri, ashtu si roli i tij real, duke mos e lënë gjithçka në supet e tij.

Të trajnojmë mësuesit e rinj dhe ata në prag të pensionit që të ecin krahas zhvillimeve të reja, e trajnimet të zhvillohen në universitetet e edukimit. Boll më me OJF amatore dhe me nivel më të ulët se mësuesit. Mësuesit e mirë ndikojnë në jetën e brezave të rinj. Ne e prekim atë kudo, që nga studimet më të avancuara akademike, deri te pamja e fytyrës së një fëmije. Prandaj diçka që duhet të kujtojmë gjithmonë është se mësuesit duhet të ndihen të vlerësuar për të gjitha mënyrat se si ata arrijnë të jenë një forcë pozitive në jetën e një fëmije.

Dhuratat më të mira të vlerësimit shpesh vijnë nga vetë fëmijët. Nëse nxënësi arrin dhe shkruan urimin për mësuesin më dorën e tij, ajo është dhurata më e çmuar. Mirënjohja i ndihmon njerëzit të ndiejnë më shumë emocione pozitive, të shijojnë përvojat e mira, të përmirësojnë shëndetin e tyre, të përballen me fatkeqësitë dhe të krijojnë marrëdhënie të forta. Për fëmijët e vegjël, mirënjohja shprehet duke thënë vazhdimisht “faleminderit” për të tjerët, duke bërë letra falënderimi dhe duke identifikuar gjëra që i bëjnë ata të ndihen mirënjohës, si një lodër e preferuar ose një vizitë nga gjyshja.

Të bëjmë edhe ne pak a shumë si fëmijët, të shprehim mirënjohjen minimalisht me një faleminderit! Faleminderit që gjeni forcë e motivim për të realizuar misionin, në një shoqëri që po zbeh vlerat!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.