DOSSIER

“Pas 18 orë udhëtimi në Adriatik, motori i barkës ku ishte Abaz Kupi prishet”- Zbulohet letra e panjohur për Mbretin Zog: Qëndrojnë në mëshirën e detit dhe…

08:01 - 07.04.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nga Sulejman Gjana




Pjesa e katër

– Raport-informacioni i major Abaz Kupit dhe profesor Gaqo Gogo, mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore –

‘Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit’, ofron një këndvështrim dhe një version tjetër të zhvillimeve politiko-ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, krejt të ndryshëm nga ai i historiografisë zyrtare komuniste. Me anë të një raporti daktilografik për Mbretin Zog, asokohe në Londër, të shkruar nga Kajro në 31 faqe, e që mban datën 2 gusht 1945, Kryetari, major Abaz Kupi dhe Sekretar i Përgjithshëm i OKLL, Prof. Gaqo Gogo, na japin një pasqyrë tejet interesantë të rezistencës antifashistë dhe zhvillimeve kryesore politike e ushtarake në Shqipëri, gjatë periudhës; prill 1939 – nëntor 1944. Qartësia e mendimit, gjuha e shkruar bukur dhe tejet e figurshme, ngjyresat emotive në përshkrimin e zhvillimeve, punës konkrete dhe qëndrimeve politike të OKLL, shënojnë një kulmim të publicistikës epistolar dhe koncepcionit filozofik e politik, të njërës nga tre partitë që përfaqësuan dhe dominuan jetën politike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
THIRRJE POPULLIT dhe gjithë PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE

Më 26.VIII.’44, z. Abaz Kupi lëshon një thirrje popullit dhe gjitha partive Politike Shqiptare:

“Vëllezër shqiptarë! Shqipëria e jonë e shtrenjtë është e mbytur në gjak e në tmerr; e zhytur në anarki, në një vëllavrasje, në një katastrofë: Atdheu është në rrezik. Ekzistenca e jonë po pëson tronditjen më të madhe të historisë.

Ky rrezik nuk mund të largohet deri sa shqiptarët të përçarë e të përndarë nuk do të bashkohen të gjithë rreth një qëllimi të vetëm: “Shpëtimin e Shqipërisë”.

 

Dramaciteti i gjendjes së sotme është i pa krahasueshëm me çdo tragjedi që ka kapërcyer vendi i ynë, dhe ky dramasitët po na trondit e, është gati të përmbysë e të shkretojë gjithë themelet e mbetur të gërmadhave shqiptare.

Kësaj gjendje duhet t’i japim fund. Duhet të bashkohemi dhe zisë e rrebeshit që po pëson vendi i ynë, t’i themi “ndal” dhe “mjaft më”. Le të lihen me një anë pasioni, frika, simpatitë e antipatitë. Le të harrohen këto dhe t’i zgjatim dorën njëri-tjetrit, sepse një trupëzim forcash të këtilla, mund të sigurojë shpëtimin e Shqipërisë dhe shpëtimin nga zhdukja e përjetshme e popullit shqiptar.

Ideologjitë, rrymat politike, antagonizmat lokale, mëritë personale e pasionet politike, duhet të mënjanohen deri sa të kapërcejmë greminën e rrezikut dhe deri sa të sigurohet shpëtimi i Shqipërisë. Katundet që digjen, shtëpitë që shkatërrohen, rrugët e urat që prishen, nuk mund të ndreqen me të hollat e popujve të huaj, por me mundimet dhe djersën t’onë.

Mesatarja e përditshme midis të vrarëve e të plagosurve ndërmjet bijve të vendit t’onë, është e tmerrshme dhe kjo vëllavrasje nuk ka kuptim. Përse derdhet ky gjak? Vetëm për t’u shkatërruar. Bashkimin na e imponon interesi i Atdheut, sepse po të veprojmë kështu, jo vetëm miqtë t’anë, po edhe armiqtë, do t’i detyrojmë që të na nderojnë më tepër. Kjo është rruga e shpëtimit dhe e lumturisë, prandaj Zoti na ndihmoftë dhe le të bashkohemi sa më parë që të jet’e mundur, për me i pre hovin çdo rreziku që mund të na vijë.

Jemi në vëllavrasje. Po lufton shqiptari kundër shqiptarit. Ç’fatkeqësi! Plagët që na i çelin armiqtë, nuk na mjaftuan, por çelëm dhe po çelim plagë të reja.

Vrasjeve të kryeme prej armiqve, po iu shtojmë vrasje që po i bëjmë me dorën t’onë. Po rrënojmë shtëpia, po prishim katunde. Po zmadhojmë mjerimet e popullit t’onë. Do të qajmë të gjithë së bashku, kur do të kuptojmë se kjo grindje dhe vëllavrasje nuk ka për t’i sjellë fitim as njërës anë, por vetëm shkatërrimin e Atdheut. Mjerisht at’here do të jetë vonë.

Historia na tregon se çdo brezi të një populli i takon të plotësojë ndonjë detyrë të rëndë, kur i shfaqet rasti. Këtë herë kjo detyrë na përket neve që t’a plotësojmë. Çdo moskuptim ose çdo mos marrëveshjet e kundërshtim ndërmjet nesh, mund t’a zgjidhim me urtësi, në kohën e duhur, por në kryerjen e kësaj barre, duhet të jemi së bashku e t’i japim dorën njëri-tjetrit, me dashuri e me zëmër të pastër.

Kam qenë gjithmonë i mendimit për një bashkim të përgjithshëm dhe për herë këtë mendim e këtë përpjekje, jam munduar t’a zbatoj duke evituar brenda mundësive vëllavrasjen e pa dëshiruar dhe të dënuar prej popullit shqiptar.

Jam më se i sigurt se të gjithë shqiptarët me lot ndër sy, kërkojnë këtë bashkim të sinqertë të të gjitha Organizatave politike të Shqipërisë, për pajtimin e zemrave, për ndalimin e vëllavrasjes, sa të përgjakshme, kaq dhe të dëmshme.

Prandaj për hir të Atdheut, i bëj thirrje popullit shqiptar dhe gjithë partive politike të Shqipërisë, që të përpiqen që të gjithë për t’i mbrrijt një bashkimi të përgjithshëm, sepse nevoja e momenteve tepër kritike, këtë e urdhëron dhe interesi i Atdheut këtë imponon”!

Me misionin ingliz!

Më 8 Tetor ’44, takohemi me inglizët në Veltë dhe studiojmë gjendjen e përgjithshme. Inglizët na njoftojnë se gjendja siç paraqitet, hë për hë, nuk ka për të ndryshuar. Zbarkimet që pandeheshe të bëheshin, nuk do të bëhen. Kërkesave që u kemi bërë me anën e telegrameve të pa numërta, nuk na i janë përgjigjur deri tani, veç se ka ardhur një urdhër për Kolonelin MacLean, që të largohet.

Sikur edhe zbarkimi të behet, na thonë inglizët, prapë mënyra politike inglize që zhvillohet në Shqipëri, nuk mund të ndryshohet. Ndoshta për gjendjen momentale të nacionalizmit shqiptar, jemi ne fajtorë, por le t’ia lemë këtë përgjegjësi Ingilterës, për kohën e ardhme.

Zbarkim në Shqipëri në stil me rëndësi, ne nuk parashikojmë dhe shenja të këtilla nuk kemi. Të gjitha këto, na thonë inglizet, ju njoftohen për arsye se ju kini grumbulluar një fuqi të konsiderueshme në Prezë dhe me fuqitë e tjera që dispononi në rrethet e afërta, duke u mbështetur edhe në lajmet e zbarkimit, nuk duhet të merrni përsipër një veprimtari, e cila ka për t’iu kushtuar shumë.

Kam kërkuar edhe njëherë ndihmën e inglizëve, por prapë ka qenë kot. At’here në gjendjen e keqe që ndodheshe nacionalizmi i ynë, si i politikës inglize që ka qenë z. Kupi së bashku me gjithë Lëvizjen, deklaron se çdo ndërmarrje që ka bërë Lëvizja dhe ai kanë qenë të mbështetura në bazë të këshillave dhe drejtimeve të misionit ingliz, të cilat misionarët e vërtetojnë dhe i thonë z. Kupi, që të shpresoje gjithnjë të miqësia e Bretanjës së Madhe.

Z.Kupi iu përgjigjet se edhe ai i konsideron miq dhe i thotë kolonelit MacLean, se së bashku me shokët e tij, duhet të veprojnë në bazë të urdhrit që kanë marrë e të kalojë nëpër rrugët t’ona dhe për çdo nevojë që do t’i paraqitët jam në gjendje që t’i prokuroj çdo gjë që i lypset, bile edhe fushë aeroplani, mund t’i siguroj.

Kundrejt provokimeve të vazhdueshme nga ana e komunistëve, misioni ingliz na kishte porositur qe të bënim zmbrapsje mbrojtëse, sepse nga ana tjetër, kishim zjarrminë e gjermanëve, të cilët i kundërsulmonim.

Kërkojmë të takohemi edhe njëherë me z. MacLean sepse, na u njoftuan zbarkimet aleatë. Por vendet e zbarkimit ishin të panjohura.

Takimi duheshe të ishte i shpejtë, për të caktue veprimet sa më parë. Në po mblidhnim fishekë dhe armatim dhe i shkruajtëm Kolonelit që të njoftonte Kuartjerin e tij të Përgjithshëm mbi veprimtarinë që ne kishim ndër mend të kryenim për lehtësimin e zbarkimit.

U takuam me Kolonelin, biseduam duke i treguar dëshirën t’onë për të ndihmuar zbarkimin e Aleatëve dhe i thamë se është në interesin e të dy palëve që Personi i Abaz Kupit, së bashku me sa më pak njerëz që të jet’e mundur, të largohen prej Shqipërie.

Ata na thanë se pasi të arrini në Itali, do të kujdesohemi për ju dhe do t’ju sigurojmë që të gjitha lehtësirat e duhura dhe llogaritni mbi ne ashtu siç kemi qenë ne, të mbështetur tek ju. Ne ju thamë se dëshira e jonë është të takohemi me Mbretin t’onë, dhe ata na thanë se kanë për të bërë çmos, që të na plotësohet kjo dëshirë.

Me 31 Tetor ‘44, natën në orën 10, nisemi prej Bregut të Matës me një barke fare të vogël, për në Itali.

Ishim gjashtë veta: Abaz Kupi, Gaqo Gogo (Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes), dy djemtë e z. Kupi dhe dy oficerë krutanë, si roje trupi për z. Kupi.

Pas 18 orë udhëtimi në Adriatik, motori i barkës prishet dhe detyrohemi që të qëndrojmë në mëshirën e detit për 7 dit dhe 7 net, pa ngrënë e pa pirë, deri sa na shpëtoi rastësisht një destroyer ingliz dhe na nxori në Brindisi.

Së këtejmi lajmëruam Kuartjerin e Përgjithshëm të Barit, të cilët me njëherë na tërhoqën dhe na përqendruan në një vilë afër katundit Rutigliano. Këtu ndenjëm një kohë të gjatë në pritje dita ditës, që të niseshim për Londër, por më kot. Sipas dëshirës së shfaqun nga ana e jonë, preferuam qëndrimin t’onë në Egjipt dhe kësaj dëshire ia mbërritëm me dt. l Prill 45.

Përgjatë qëndrimit t’onë në Rutiglianon e Barit, kemi zhvilluar vetëm veprimtarin e promemorieve drejtuar z.z. Eden dhe Alexandër. Një letër së bashku me një promemorie-kopje, i drejtuam edhe Madhërisë Suaj.

(Reference: Kopje-Promemorie drejtuar Madhërisë Suaj).

Financimi i Lëvizjes

Ky financim u bë me ndihma të vogla të tregtarëve e të popullit dhe me mundësitë materiale personale të z. Kupi.

Luftërat e Lëvizjes

Lufta midis z. Kupi me shokë dhe 2000 milicëve fashistë.

Lufta e Matit.

Lufta e Liqenit të Germanit: shumë të vrare.

Lufta e Zallit të Germanit: shumë të vrarë.

Rrethimi i Burrelit: 2000 shtëpi të djegura.

Lufta e Shtamës: 300 të vdekur, robër luftë, material lufte, etj.

Lufta e Gurrës: humbje nga ana e armikut.

Lufta e Damit: humbje nga ana e armikut.

Lufta e Suçit: 200 të vrarë e të plagosur.

Lufta e Krujës: 500 gjermanë të vrare, shume robër dhe material të ndryshëm, vazhduam tri dit e tri net.

Me disponimin edhe të një fuqie të Lëvizjes s’onë, z. Kol. MacLean me shokë, ka kryer sabotime të ndryshme: Ura, (Ur’e Gjoles), dhe luftime në breg të detit.

Z. Kupi personalisht, së bashku me Kol. MacLean, kanë shkatërruar vazhdimisht kolona ushtarake gjermane, të cilat i kanë djeg, shkatrre dhe vra.

Fuqia e Lëvizjes

Për hera është mbajt në këmbë nji forcë ushtarake deri në 5.000 burra dhe në disa raste, kemi pas deri 10.000 burra. Në disponim (dispozicion); kanë qenë 25.000 burra.

Shërbimi propagandistik

Nji vjet zgjati vazhdimisht dalja e gazetës “Atdheu”, gjithsej 21 numra, copë 210.000; Trakte 250.000 copë. Në 6 muaj, 24 fjalime. Dy letra personale drejtuar Madhërisë Suaj; 1 letër drejtue z. Fan Noli; 1 letër drejtue z. Roosevelt; 1 letër drejtue z. Churchill.

Organizimi i Lëvizjes

Komiteti Oendruer – Sekretariati i Përgjithshëm – Shtabi i Përgjithshëm – Shërbimi Propagandistik dhe Shtypi – Rinia e Legalitetit – Seksioni i Ekonomatit dhe i Financës – Seksioni i Sanitetit.

Luftërat e Rinisë së Legalitetit

Vorze – Shkall’ e Tujanit – Prezë – Krujë.

Organizimi krahinor i Lëvizjes

Tiranë – Shkodër – Dibër – Peshkopi – Mat – Durrës – Kavajë – Shijak – Kosovë – Vlorë – Berat – Sarandë – Korçë.

Madhëri,

Po mbushen dhjetë muaj që ndodhemi jashtë. Kemi dashur që të takohemi me Madhërinë Tuaj. Largimi i ynë nga Shqipëria nuk është shkaktuar nga dobësia por vetëm nga gjendja ndërkombëtare, e cila nuk lejonte me ndonjë mënyre që konflikti i ynë të zgjidhet me anën e forcës dhe për këtë kemi qenë të këshilluar nga Misioni ushtarak Ingliz.

Lëvizja e jonë e përsëris, ka zhvilluar gjithnjë e vazhdimisht veprime luftarake, duke u mbështetur në zbarkimin aleat. Pasi ky nuk u bë, at’herë në marrëveshjet me oficerët ingliz, si kol. MacLean, Amery e Smiley, vendosëm me u largua për t’iu shmang vëllavrasjes, e cila do të ishte e dëmshme në atë kohe dhe njëkohësisht mund të shkaktonte interpretime të ndryshme nga ana kundërshtare.

Më në fund, Madhëri, pasi do të largoheshim prej shokëve, Komiteti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Lëvizjes së Legalitetit, u drejtoi 100 e ca krerëve të çetave t’ona, letrën që vijon:

“Shokë të dashur! Me ju që kam luftuar që prej momentit të parë që kurse u sulmua ‘Toka e Jonë e Shenjtë’ prej armiqve fashistë, ne kemi qenë ata që kemi bërë ç’mos për të shpëtuar ‘Nderin Kombëtar’ dhe jemi përpjekur në gjendjen t’onë më kritike, me gjithë vështirësitë e mëdha që janë paraqitur, për bashkim të përgjithshëm dhe bashkëveprim të të gjithë shqipëtarëvet, pa dallim rryme dhe ideologjie; jemi përpjekur për paqësimin dhe vëllazërimin e shpirtrave, për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për shporrjen e okupatorit prej tokës s’onë të shenjtë.

Sot, ndër rrethanat që ndodhemi, detyrohem të largohem, për të mos prekur politikën aleate dhe për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllazërore. Këtë largim detyrohem t’a bej, duke iu lenë për një kohë të shkurtër, shokë të mi të dashur dhe duke ju porositur që të qëndroni besnike kundrejt gjithë udhëzimeve që ju kam dhënë kohe pas kohe, e gjatë mungesës s’ime, të rregullohi në një mënyrë jo ekspozuese dhe të prisni me durim ‘urdhrin e dytë’.

Ne jemi ata që kemi luftue dhe kemi bërë betejat e Durrësit, të Shtamës, të Krujës, etj., dhe jam i sigurt se kemi për të fituar dhe ‘Betejën e Fundit’.

Zoti na ndihmoftë! Rroftë Shqipëria; Rroftë Mbreti Zog I; Rrofshin Miqtë e Shqipërisë”.

Abaz Kupi, 28 Tëtoer 44. Bregu i Matës.

Madhëri, edhe me largimin t’onë, Flamuri i Lëvizjes s’onë vazhdon së valëvitur nëpër malet dhe fushat e Shqipërisë dhe është në pritjen e Flamurtarit të vet! Memorie.al

Sekr. Përgj. Lëvizjes së Legalitetit

Kryetari

Prof. Gaqo GOGO Major Abaz KUPI

Kajro, më 2 gusht 1945


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.