EKONOMI

Ku po shkon ekonomia?!

07:29 - 13.04.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekonomia vlerësohet të jetë rritur me 3.44% në vitin 2023, sipas të dhënave paraprake të INSTAT. Pavarësisht ngadalësimit në raport me vitin e mëparshëm (4.85%), në një vështrim të parë, kjo ecuri është pozitive.




Pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare në fillim të 2023 ishin pesimiste. Inflacioni ende i lartë, lëvizjet e interesave, që reflektojnë shtrëngimin e politikës monetare, konsumi i dobët i ndikuar nga emigracioni dhe shtrenjtimi i çmimeve pritej të ushtronin presion për rritje të dobët ekonomike.

Këtyre u shtohej dhe mjedisi i pasigurt ndërkombëtar, frika për një recesion të mundshëm në një të tretën e globit, apo tërheqja e politikave mbështetëse nga qeveritë.

Rritja më e lartë sesa parashikimet nuk ishte surprizë gjithsesi. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se realiteti ka rezultuar gjithnjë më optimist se parashikimet, teksa sipërmarrja vendase shfaq gjithmonë elasticitet të lartë për t’u rikuperuar ndaj të papriturave dhe vështirësive.

Vendi pësoi një rënie shumë më të ulët sesa pritej gjatë 2020-s, kur u godit si gjithë globi nga pandemia dhe e mori veten me shpejtësi në 2021-2022, duke përballuar edhe pasojat e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Elasticiteti i ekonomisë është vlerësuar dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe së fundi, Standard & Poor’s përmirësoi, për herë të parë, vlerësimin për Shqipërinë në “BB-”. Prurjet e larta turistike të niveleve rekord ishin një faktor shtesë për të nxitur optimizmin.

Por, përtej këtyre shifrave, ka pak vend për optimizëm. Gati gjysma e rritjes erdhi nga sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, që mund të nxisin ekonominë në afatin e shkurtër, por nuk i japin vlerë të shtuar në afatin e gjatë.

Administrata publike luajti rol të rëndësishëm, sidomos në gjysmën e dytë të vitit, si nëpërmjet rritjes së pagave në sektorin publik, ashtu dhe në përqendrimin e shpenzimeve kapitale në muajt e fundit të vitit.

Dy sektorë mjaft të rëndësishëm të ekonomisë, bujqësia dhe ndërtimi, panë ecurinë më negative në më shumë sesa një dekadë, madje më keq sesa në periudhën e pandemisë. Të dy këta sektorë kontribuojnë në gati 30% të ekonomisë dhe kanë një peshë shumë më të lartë në punësim.

Industria po e humb avantazhin konkurrues të kostos së lirë të fuqisë punëtore, i cili mbajti në këmbë, për dekada të tëra, sektorë që kryenin vetëm disa procese përpunimi.

Ishte e pritshme që një ditë do të ndodhte, por nuk shohim zhvillime që industria të kalojë në një fazë më të lartë, që do të rriste produktivitetin dhe do të sillte një avantazh tjetër konkurrues përtej pagave të ulëta.

Edhe më zhgënjyese ishte shifra e konsumit final të popullatës, që u rrit me vetëm 2.96%, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelin më të ulët që nga pandemia. Në tremujorin e tretë dhe të katërt, ky tregues zbriti në 2.21 dhe 1.55%.

Konsumi nuk arriti të nxitej as nga viti më i mirë historik i Shqipërisë për turizmin, me hyrje të më shumë se 10 milionë shtetasve. Turizmi nuk “shpëtoi” dot as bujqësinë, pasi kjo e fundit u konkurrua ndjeshëm nga importi, teksa po bëhet gjithnjë e më jo konkurruese dhe fshati po braktiset.

Turizmi nuk arriti të nxisë as aktivitetin e “Tregtisë me shumicë dhe me pakicë; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që u rrit me vetëm 1.7% në 2023, nga gati 10% vitin e mëparshëm.

Ngadalësimi i konsumit dhe aktivitetit të tregtisë, pavarësisht prurjeve rekord të turizmit dhe rritjes së kënaqshme të ekonomisë, nxori në pah përmasat reale të emigracionit. Prej disa vitesh, bizneset po ankohen për mungesën e fuqisë punëtore, që ndikoi negativisht në planet e tyre për zgjerim dhe për të investuar.

Shumë tentuan të gjejnë zgjidhje te punësimi i të huajve, që në pjesën më të madhe nuk po funksionon. Ndonëse me ritme më të ngadalta, siç tregohet nga shifrat e kërkesave për azil, emigracioni nuk po ndalet.

Të gjithë përfaqësuesit e biznesit, të kontaktuar nga “Monitor”, ia vënë fajin për rënien e konsumit pikërisht emigracionit, sidomos të të rinjve. E ardhmja nuk duket shumë optimiste, me shifrat që treguan se lindjet në 2023 ishin në të ulëta se në 1934-n, kur filloi regjistrimi i të dhënave zyrtare.

Pa një ekonomi, që përtej shifrave, nuk arrin të prodhojë mirëqenie reale për qytetarët e saj, nuk mund të presim që këto probleme të zgjidhen. Është koha të mendohet seriozisht se çfarë mund të bëjmë për të rikthyer shpresën e një brezi, i cili po zgjedh që të ardhmen e tij ta shohë larg Shqipërisë!

 MONITOR 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.