LAJMI I FUNDIT

A duhet mbështetur qeveria e Izraelit edhe kur vret fëmijët?

09:36 - 02.05.24 NGA SHPENDI TOPOLLAJ 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA SHPENDI TOPOLLAJ 




Mesa duket, ai vendimi i OKB-së i vitit 1947, sipas të cilit Palestina do të ndahej më dysh për t’i bërë vend shtetit të Izraelit, çka pasoi me atë largimin masiv që arabët e quajtën “Al Nakba”, pra “Katastrofa” dhe vijoi me ato luftërat e njohura, nuk i dha zgjidhje një ngërçi që aktualisht ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Më shtatë tetor të vitit të kaluar, terroristët e HAMAS-it (krijuar nga Shehu Ahmed Jassin qysh në vitin 1987 dhe që morën përparësi pas vitit 2006), kryen aktin e pabesë mizor ndaj qytetarëve izraelitë, duke vrarë qindra të pafajshëm dhe duke marrë me vete pengje, krim që nuk e përligj asnjë justifikim. Ata e nisën luftën, pasi siç thoshtë Tomas Mani, ikën si burracakë nga problemet e paqes. Veprimet e padrejta të tyre i dënoi i gjithë opinioni ndërkombëtar. Pas këtij akti të poshtër, patjetër që nga ana e qeverisë së Benjamin Netanyahut, pritej një reagim i menjëhershëm, ç’ka nuk vonoi.

Deri këtu askush nuk kishte arsye për ta qortuar atë për kundërpërgjigjen ushtarake, sidomos kur ai deklaronte se qëllimi ishte asgjësimi i asaj organizate kriminale. Por ngjau ajo që nuk pritej nga askush: ushtria e Izraelit u turr me gjithë egërsinë e vet mbi këdo që i dilte përpara. Kanë kaluar muaj dhe hakmarrja e tyre nuk po fashitet; ata po djegin, bombardojnë, shkatërrojnë dhe vrasin pa dallim; gra, pleq e fëmijë tërësisht të pafajshëm, shifra e të cilëve po shkon mbi 34.000, pa folur për të plagosurit, të gjymtuarit dhe të përzënët nga shtëpitë e tyre. Në atë egërsi nuk po kursehen as punonjësit e ndihmave humane të organizmave të huaja dhe po pengohet dërgimi i furnizimeve me ushqime apo medikamente mjekësore, një populli të grumbulluar në një grusht vend dhe i kërcënuar çdo ditë nga uria dhe epidemitë.

Tani kushdo që i ka sytë në ballë e konstaton lehtë se nga ana e shtetit të Izraelit janë kaluar të gjitha normat si ushtarake, ashtu edhe morale. Nga ana e tyre, vendet arabe rreth e rrotull, të zënë me sherret mes tyre, qoftë edhe për arsye fetare, ose të frikësuara nga përkrahja që i bëjnë Izraelit, SHBA-të, nuk pipëtijnë. Pasi e kanë të qartë se SHBA-të, që janë mentorët, nxitësit, përkrahësit dhe furnitorët e atij vendi, luajnë teatër, duke bërë ndonjë deklaratë për pushimin e luftimeve. Shtetet evropiane duket se nuk merakosen fare, ose nuk bien dakord për qëndrimin që duhet të mbajnë. Ata janë kthyer në spektatorë të arenës, ku përleshen njerëzit si dikur në ndeshjet argëtuese të gladiatorëve.

Për ta, rëndësi ka të mos ua prishë kush qetësinë, kurse ata kokat hëngshin. Dhe kulmi është se edhe ne shqiptarët, duke dashur të dukemi si faktor në këto zhvillime, nuk vonojmë të shpallim se jemi në mbështetje të Izraelit, pra të atyre që vrasin pa pikë mëshire mijëra dhe mijëra fëmijë. Të atyre që nuk kanë asnjë keqardhje, qoftë edhe pse i kanë provuar në kurriz pushkatimet, internimet, krematorët e miliona pararendësve të tyre nga ana e nazistëve të Hitlerit. Të atyre që krenohen me të drejtë me Ditarin e vogëlushes Anna Frank. Të atyre që nuk ulen e të diskutojnë për paqe dhe harrojnë se mbi njëzet shekuj më parë, Ciceroni mësonte se “Paqja e padrejtë është më e mirë se lufta e drejtë”. Vërtetë qeveria jonë nuk ndjen keqardhje për ata mijëra fëmijë palestinezë që ua prenë jetën ende pa e gëzuar sado pak? Apo flasin kështu pa përgjegjësi, vetëm për t’i bërë qejfin servilisht aleatit strategjik edhe kur ai gabon në politikat e tij të jashtme. Po çfarë peshe ka fjala e qeverisë sonë dhe çfarë roli mund të luajë ajo në këto ngjarje që kërkon t’i përligjë?

Dhe që harron se ç’thosh ish-presidenti i nderuar Jimmy Carter se, “Ne nuk do të mësojmë të jetojmë së bashku në paqe duke ia vrarë fëmijët njëritjetrit” apo filozofi amerikan Haward Zinni se “Nuk ka flamur aq të madh të mbulojë turpin e vrasjes së njerëzve të pafajshëm”. SHBA-të, të cilave ne u jemi mirënjohës dhe të gatshëm t’ua plotësojmë kërkesat e arsyeshme, nuk kanë nevojë për hipokrizinë e qeverisë shqiptare. Se ishte presidenti i respektuar i atij vendi të madh, Theodore Roosevelt, që thoshte se, “Është jopatriotike të mos thuash të vërtetën, qoftë mbi presidentin, ose mbi këdo tjetër”. Por edhe po qe se interesat e duan që të mos e thuash këtë të vërtetë, a nuk do të qe më mirë të heshtnim.

Plotësisht i drejtë ka qenë dhe mbetet qëndrimi ynë për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, por nuk është rasti t`i thuhet Izraelit se jemi me ty, që kuptohet: vazhdo të vrasësh se e ke mirë. Se fundja ishte hebre ai burri i mençur, Henry Kisinxheri, që kur Nixoni i tha se nuk brengoset për bombardimet e civilëve në Vietnam, iu përgjigj: “Brengosem rreth civilëve sepse nuk dua që bota të mobilizohet kundër teje si kasap”. Dhe duke parë se Izraeli as që do t’ia dijë për thirrjet për t’u ndalur, por po shkon “triumfalisht” drejt Rafah, pa frikë mund të themi se paska akoma më keq se ajo “Al Nakba”-ja e dikurshme.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. NJË ANALIZË ME KËMBË NË TOKË, E NJË INTELEKTUALI TË KOMPLETUAR DHE PA KOMPLEKSE.
    DUA TË BESOJ SE PROFESOR SHPENDI TANI MBAS SULMIT NË RAFAH.
    PËRGËZIME AUTORIT!

    Përgjigju ↓