LAJMI I FUNDIT

Shëndeti i gruas nuk është thjesht çështje qëndrimi “pro, apo kundra”!

08:06 - 07.05.24 Lajla Pernaska
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

LAJLA PERNASKA




Shqipëria nuk është e pasur, as e zhvilluar sa shtetet europiane. Jemi ende larg standardeve të tyre, në shërbimin shëndetësor publik. Thirrja e OBSH-së “Shëndet për të gjithë – Shëndet nga të gjithë”, përbën thelbin e përfshirjes qytetare, për kontributin e ndërgjegjshëm të tyre, në organizimin e sistemit të shërbimeve shëndetësore.

Asnjë reformë shëndetësore nuk mund të zbatohet në modelin “copy-paste”, nga vendet më të zhvilluara. Përkundrazi, “Reformat nuk duhet të harrojnë, asnjëherë kontekstin e vendit”, porosit Theodor Marmor (Yale University).

Fakti është se vetë “Reforma në shëndetësi”, është një togfjalësh, që tashmë ka pësuar inflacion në fjalorin politik shqiptar. Është abuzuar me të, po aq shumë, sa flitet e përflitet për të. Pikërisht në lëmin e shëndetësisë, ne jemi përfshirë herë pas here, në situata të paprecedenta, në të cilat masat e shpallura, apo ligjet e përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë bien ndesh me kuadrin ligjor në fuqi dhe rregullat e standardet e shërbimeve shëndetësore dhe ruajtjen e parametrave të shëndetit publik të popullatës.

Projektligji i hedhur më së fundi për debat publik, është ai “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, me qëllim “garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve në Republikën e Shqipërisë, ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe gjithëpërfshirëse”. Por, drafti i paraqitur është konfuz dhe problematik në disa aspekte të tij:

1-Së pari, ishte Konferenca Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin, (Kajro 1994), ku u përcaktua një qasje universale, mbi të drejtat dhe shëndetin riprodhues për forcimin e autonomisë së grave. “Shëndeti riprodhues është mirëqenia fizike, mendore dhe sociale, e lidhur me funksionet e traktit riprodhues. Ai nënkupton aftësinë e njerëzve për t’u riprodhuar dhe lirinë e tyre për të vendosur, për mënyrën dhe kohën e riprodhimit, si dhe të informohen mbi shëndetin seksual e riprodhues, e shërbimet përkatëse”.

Por, drafti i paraqitur nga MSHÇS trajton riprodhimin kryesisht, si terapi mjekësore e riprodhimit të asistuar, kur shëndeti riprodhues, përfshin periudhën dhe trajtimin e parariprodhimit, riprodhimit, postriprodhimit dhe është shumë më i gjerë.

 

2-Së dyti, lidhur me ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë,(rregulluar me ligj, më 1995), propozohet pa asnjë bazë studimore, apo shkencore, rritje e kohës për këtë ndërprerje, nga 12 javë në 14 javë. Kjo shtyrje në kohë ngjall shumë dyshime, pasi gjinia e fetusit dallohet në javën e 13-të, duke krijuar kështu terren për fenomenin e abortit selektiv (të quajtur dhe kriminal), për të zgjedhur gjininë e fëmijës, (siç dihet refuzohet gjinia femërore), një fenomen pranishëm në vende të pazhvilluara, me mendësi patriarkale.

3-Së treti, lidhur me përcaktimin e moshës, për të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç, që në disa raste mund të japin vetë pëlqimin, për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë.

Por një e mitur nuk ka as status fizik, as psikologjik, as ligjor, për të marrë një vendim të tillë. Aborti në këtë grup-moshë ka risk të lartë, me pasoja më madhore, që mund të shkojnë deri në infertilitet, apo rrezikim të jetës së të miturës.

Objektiv i shëndetit riprodhues është aftësimi nëpërmjet edukimit dhe informimit të individit që në adoleshencë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin, përfshi dhe si të shmangë shtatzëninë e padëshiruar. Aborti nuk është një metodë kontraceptive.

4-Së katërti, lidhur me përfshirjen në projektligj të dhurimit të qelizave riprodhuese, ose embrioneve, si dhe e të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese (surrogato), ka mjaft debate dhe kundërshti. Nënë zëvendësuese quhet gruaja që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një «ifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligji (2002) dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private.

Por ka raste, ku janë kryer edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese (surrogacia). Mjaft specialistë të shëndetit e gjinekologë janë në pritje të rregullimeve ligjore, për terapinë e riprodhimit mjekësor të asistuar. Prej 20 vitesh në këtë fushë nuk ka asnjë kontroll, prandaj duhet rregullimi ligjor dhe kontroll i mirorganizuar.

Ligji duhet të shmangë abuzimet, në mbrojtje të të drejtave riprodhuese të individit. Por vetë mjekët kërkojnë të përcaktohen diagnoza të qarta, lidhur me sterilitetin dhe që çojnë çiftet të shkojnë drejt surrogatizmit.

Ka një dakordësi nga specialistët që kjo praktikë është e pranueshme, kur është e domosdoshme nga ana mjekësore, (për të mos përmendur rastet, kur gra zgjedhin ta bëjnë, “për të mbajtur linjat”?!). Ndërkohë, që kjo praktikë është shumë e kushtueshme dhe kontrolli i munguar, apo i dobët, mund të çojë në abuzime të mëdha, për qëllime fitimi apo një lloj “shfrytëzimi modern” të grave dhe vajzave. Një pikëpyetje serioze është se, edhe nëse vendosen masa të rrepta ligjore, kush do i kontrollojë këto praktika?! Institucionet tona vuajnë nga handikapi në zbatimin e ligjeve.

Paradoksalisht, kur angazhimi i qeverisë duhet të jetë maksimal, në procesin e integrimit europian, ligjërimi i surrogacionit në Shqipëri, synohet në një kohë, kur Parlamenti Evropian, sapo ka miratuar rregulla të reja për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Ligji i ri, që u miratua (563 pro, 7 kundër, 17 abstenime), penalizon gjithashtu martesën e detyruar, adoptimin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e zëvendësimit, apo surrogacinë në nivel të BE-së.

Pra, me reformat tona ligjore ne duam t’i afrohemi, apo largohemi Europës?

5-Së fundmi, shëndeti riprodhues lidhet me të drejtën individuale, por është dhe një marrëdhënie njerëzore, familjare, shoqërore, të cilat nuk mund të rregullohen vetëm me ligj.

A jemi gati ne si shoqëri, për këtë lloj marrëdhënie dhe mendësi të re?!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.