![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Prania e yndyrës dhe dhjamit në trup është e dëmshme për shëndetin. Njeriu duhet të jetë i vëmendshëm jo vetëm për sasinë e dhjamit por edhe për shpërndarjen proporcionale ose jo të tij.
Këshillohet të jeni të kujdesshëm pasi dhjamosja e disa zonave të caktuara të trupit mund të jetë shumë problematike.
A varet nga ty vendndodhja e dhjamit në organizëm?
Njeriu ka nën kontroll sasinë totale të masës dhjamore në trup, por shpërndarja e tij në zona të caktuara është e pakontrollueshme. Shumë njerëz vërejnë se dhjami akumulohet më shumë në zonën e belit, ijeve dhe kofshëve.
Një gjë e tillë ndikohet jo vetëm nga genet dhe gjinia por edhe mosha dhe hormone. Sipas shkencëtarëve, 50% e shpërndarjes së dhjamit ndikohet nga genet.
Edhe gjinia ka rol përcaktues në shpërndarjen e dhjamit. Burrat akumulojnë më shumë dhjamë në bark ndërsa gratë e depozitojnë atë në ije dhe kofshë.
Kategorizimi i yndyrës në trup
Shkencëtarët kanë identifikuar tre lloje yndyrash që akumulohen në organizëm. Bëhet fjalë për dhjamin që depozitohet nën lëkurë, dhjamin që ‘vesh’ organet e brendshme dhe dhjamin e kafenjtë.
Ky i fundit i vjen në ndihmë trupit të djegë më shumë kalori për tu ngrohur. Bebet besohet të kenë shumë prej këtij dhjami, por edhe të rriturit, kryesisht tek zona e shpatullave dhe kraharorit.
Më i rrezikshmi prej tyre është dhjami që rrethon organet si mëlçia, zemra apo zorrët. Ai rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut, diabetit, ishemisë dhe disa llojeve të tumoreve.
Studimet thonë se 44% e grave dhe 42% e burrave në botë kanë dhjamosje të madhe të organeve.
Stili i jetesës dhe dhjamosja e organeve
Sipas të dhënave, 3 janë faktorët kryesorë që shkaktojnë akumulimin e dhjamit të brendshëm.
Bëhet fjalë për ngrënien e ushqimeve të shpejta dhe me yndyrna, jeta sedentare dhe stresi.
Si të arrini një shpërndarje të shëndetshme të dhjamit
Ndonëse njeriu nuk ka kontroll të plotë mbi depozitimin e dhjamit, ai mund të marrë masa shtesë për të parandaluar që kjo të ndodhë në zonën e stomakut apo pranë organeve të tjera.
6 këshilla për shpërndarjen e shëndetshme të dhjamit
- Konsumoni më shumë karbohidrate komplekse dhe proteina të cilat treten ngadalë dhe ruajnë nivele të qëndrueshme të insulinës.
- Hani më shumë yndyrna të shëndetshme që gjenden tek salmon, arrat dhe farat e linit.
- Kryeni sa më shumë aktivitet fizik për të rritur masën muskulare dhe pakësuar masën dhjamore
- Tregoni kujdes me stresin sepse ai luan rol kryesor në akumulimin e dhjamit të brendshëm.
- Flini mjaftueshëm. Njerëzit që flenë më pak se 6 orë pësojnë një rritje prej 32 përqind të masës së dhjamit të brendshëm.
- Kujdes me alkoolin. Pirja e tepërt e tij nxit akumulimin e depozitave të mëdha të dhjamit të brendshëm./AgroWeb.org