Kryesore

Dita e listës kuqezi për Europianin, trajneri Silvinjo ende nuk ka ndarë… mendjen

09:16 - 27.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dita e listës! Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, do të bëjë publike emrat e futbollistëve të ftuar për “Euro 2024” sot në orën 16:00.




Braziliani, ndryshe nga shumë homologë të tij, nuk ka publikuar ende një listë paraprake, por ka vendosur që të bëjë një gjë të tillë vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha kompeticionet kombëtare në vende të ndryshme.

Lista e trajnerit do të publikohet sot në orën 16:00, kur ai do të shfaqet para gazetarëve në një konferencë për shtyp për të shpjeguar zgjedhjet e tij. Nuk dihet ende nëse Silvinjo do t’i qëndrojë besnik idesë së tij që duhet të marrë pjesë në këtë eveniment me 23 futbollistë, apo do të shtojë numrin e lojtarëve të grumbulluar deri në 26.

Ndërkohë, siç “Panorama Sport” mëson, trajneri po pret deri në moment të fundit, pasi ende ka një ose dy dilema sa i përket listës. Sakaq, sa i përket më shumë se 90% të emrave që do të grumbullohen, 50-vjeçari ka vendosur, teksa mbeten ende ato “dilemat e vogla”. Por, Beshiktashi i ka paraprirë brazilianit, teksa dje, klubi turk ka bërë publike listën e emrave të lojtarëve të tij të grumbulluar nga përfaqësueset në ditët e ardhshme dhe mes tyre nuk mund të mungonte emri i Muçit.

Fantazisti shqiptar ka qenë në një formë mjaft të mirë në këtë sezon, në pjesën e parë me Legian dhe në të dytën me klubin turk, ndaj pakkush kishte dyshime që do të ishte pjesë e grumbullimit të Shqipërisë. Ai pritet të rivalizoje me Nedim Bajramin për një vend në mesfushën e Kombëtares, pasi Silvinjo i sheh këta dy lojtarë si të ngjashëm në tiparet e tyre në funksion të lojës së kuqezinjve.

GRUMBULLIMI- Edhe pse një pjesë e mirë e futbollistëve kuqezinj kanë mbërritur në Tiranë prej ditësh, si Armando Broja, Jasir Asani apo dhe disa të tjerë, ekipi do të niset drejt Austrisë në datën 29 maj, ku do të qëndrojë një javë. Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, në Hungari. Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Europianit, në kampin bazë në “SportCentrum Kaiserau”, në afërsi të Dortmundit.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.