BOTA

Akuzat ndaj Trump për mbajtjen e dokumenteve sekrete, mbrojtja sfidon emërimin e Prokurorit të Posaçëm: U bë në mënyrë të paligjshme! Çështja të pushohet

07:40 - 22.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Avokatët e zotit Donald Trump, në çështjen e ngritur kundër tij për mbajtjen e dokumenteve sekrete, argumentuan të premten se emërimi i Prokurorit të Posaçëm është bërë në mënyrë të paligjshme dhe se çështja duhet të pushohet.




Sfida mbi ligjshmërinë e emërimit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith shënoi fillimin e një seance dëgjimore tre-ditore që do vazhdojë javën e ardhshme dhe pritet të sjellë vonesa të mëtejshme të çështjes penale që ishte planifikuar të fillonte gjykimin muajin e kaluar.

Pikëpyetjet e ngritura nga pala mbrojtëse lidhur me përzgjedhjen e zotit Smith nga Departamenti i Drejtësisë janë një nga sfidat e shumta ndaj prokurorisë të parashtruara nga avokatët mbrojtës që nga ngritja e akuzave ndaj zotit Trump për mbajtjen e dokumenteve sekrete.

Gjykatësja e çështjes, Aileen Cannon, dëgjoi për orë të tëra argumentet e të dy palëve. Emil Bove, avokat i zotit Trump, tha se Departamenti i Drejtësisë po krijonte një “qeveri në hije” duke emëruar një prokuror të posaçëm për të ndjekur penalisht çështje të caktuara.

Akuza tha se nuk kishte asgjë të pazakonte në përzgjedhjen e zotit Smith. Prokurori James Pearce, pjesëtar i ekipit të akuzës, tha se: “Ne jemi në përputhje dhe kemi respektuar të gjitha politikat e departamentit”.

Gjykatësja Cannon ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesën e palës mbrojtëse. Duke treguar seriozitetin ndaj mocionit, gjykatësja e pyeti prokurorin Pearce se çfarë roli mbikëqyrës kishte Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland i cili e emëroi zoti Smith, në ngritjen e aktakuzës.

Prokurori Pearce tha se nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes, por vuri në dukje se: “Unë nuk dua të bëj të duket sikur po fsheh diçka”.

Ndërsa prokurorët kërkojnë të vazhdojnë procesin e ngritur ndaj zotit Trump për mbajtjen e dokumenteve sekrete, mocioni i paraqitur të premten nga pala mbrojtëse nuk kishte të bënte me akuzat e ngritura ndaj ish presidentit.

Mocioni i së premtes kishte të bënte me rregullat që përcaktojnë emërimin e prokurorëve të posaçëm nga Departamenti i Drejtësisë, si në rastin e zotit Smith. Parashtrimi i argumenteve nga pala mbrojtëse ka çuar në shtyrjen pa afat të fillimit të gjyqit ndaj zotit Trump. Prokurorët kanë thanë se argumentet nuk janë serioze.

Të premten, pala mbrojtëse argumentoi se zoti Smith u emërua në nëntor të vitit 2022 në mënyrë të paligjshme nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, sepse fillimisht nuk ishte miratuar nga Kongresi dhe se zyra e prokurorit të posaçëm nuk ishte krijuar nga Kongresi.

Ekipi i zotit Smith ka thënë se kryeprokurori Garland ishte plotësisht i autorizuar për ta bërë emërimin si kreu i Departamentit të Drejtësisë dhe për t’i deleguar atij vendimet e prokurorisë. Ata vunë në dukje se një argument i ngjashëm dështoi në sfidën ndaj emërimit të zotit Robert Mueller, i cili u emërua Prokuror i Posaçëm nga Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit Trump për të hetuar lidhjet e mundshme midis Rusisë dhe fushatës së kandidatit Trump gjatë vitit zgjedhor 2016.

Gjykatësja federale, Aileen Cannon, e emëruar nga zoti Trump në vitin 2020, tha në fillim të muajit maj se gjyqi nuk do të fillonte më 20 maj, por nuk caktoi një datë të re të fillimit të tij.

Zoti Trump, i cili po kandidon për një mandat të dytë presidencial, më parë ishte planifikuar të dilte në gjyq më 20 maj për akuzat mbi mbajtjen e dokumenteve sekrete, të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, por prokuroria dhe mbrojtja e kishin pranuar se gjyqi do të duhej të shtyhej.

Ish Presidenti Trump ka deklaruar se është i pafajshëm lidhur me 40 akuzat federale për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete të sigurisë kombëtare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, në shtetin e Floridës, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021 dhe për pengimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i tërhequr ato./VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.