Kryesore

Mandati i Olta Xhaçkës, çfarë ndodhi gjatë seancës gjyqësore që zgjati 3 orë! Kushtetuesja afat Kuvendit: Të sjellë provat

09:15 - 22.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VALENTINA MADANI/ Përgjatë 3 orëve Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dje padinë e grupit të deputetëve të opozitës, që kërkuan përfundimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.




Në kërkesën e saj, PD-ja kërkon që të shpallet antikushtetuese vendimmarrja e Kuvendit më 11 prill, që nuk çoi në gjykatë mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Mbrojtja e ish-ministres, përfaqësuesit ligjor të Kuvendit si dhe opozita dhanë argumentet dhe kundërargumentet rreth interpretimit të mandatit të saj, ku data 25 qershor u caktua si dita e konkluzioneve.

Kushtetuesja i lë kohë deri të hënën Kuvendit të sjellë provat mbi të cilat krijoi bindjen që zbatoi vendimin e gjykatës, ndërsa seanca e radhës është lënë të martën 25 qershor ora 12. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë seancës së djeshme sqaroi arsyet se pse vendosën që këtë çështje ta risjellin sërish teksa deklaroi se Kuvendi me moszbatimin e vendimit të parë, sfidoi Gjykatën Kushtetuese.

“Rreth dy vite më parë grupi ynë depozitoi në Kuvend kërkesë për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Pas një zvarritje ku janë përfshirë të gjitha institucionet në këtë procedurë, për herë të parë në historinë e Kuvendit një vendim i marrë është sfiduar nga Kuvendi i Shqipërisë përmes shpalljes së vetes si sovran ndaj vendimeve të GJK”, theksoi Bardhi.

Ai përmendi se i takonte Gjykatës Kushtetuese të vendoste dhe se Kuvendi guxoi të merrte kompetencat e institucionit më të rëndësishëm në vend.

“Për kohën që ka mbetur në këtë legjislaturë dhe duke marrë parasysh kohën kur zbardhet vendimi, kohën kur do hyjë në fuqi vendimi i GJK, kohën kur do ta zvarrisë më tej Kuvendi, legjislatura e këtij Kuvendi dhe mandati i zonjës Xhaçka përfundon vetë. Grupi ynë ishte përpara dy sfidave, do duhet të vinte sërish në GJK, ose t’ia linte turpin mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë. Vlerësuam se po, duhet të vijmë në GJK, sepse sfida ndaj autoritetit të GJK nuk është vetëm çështje e anëtarëve të GJK, por është çështje e çdo ligjvënësi, që është betuar në Kushtetutë. Në këtë kuptim, çdo parashtrim i yni për t’ju shpjeguar ju një vendim që e keni marrë vetë, do të ishte humbje kohe. Është në dorën e trupës, nëse do të duhet të mbrojë autoritetin e kësaj godine. Ne e kemi bërë detyrën tonë. E sollëm në GJK duke u dhënë mundësi anëtarëve që të mbrojnë dinjitetin e GJK”, tha Gazment Bardhi.

Këto qëndrime u kundërshtuan nga avokati i Xhaçkës dhe përfaqësuesja e Kuvendit, të cilët evidentuan se Kuvendi ka marrë një vendim legjitim, duke respektuar edhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Më datën 24 prill të këtij viti, një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar vendimin për “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të këtij vendimi.

Gjithashtu, kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt. Më 11 prill po të këtij viti, mazhoranca socialiste votoi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, ndërsa më 14 maj Kolegji i Gjykatës vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Mazhoranca mbajti për më shumë se një vit në sirtar vendimin për deputeten. Xhaçka mbante detyrën e ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi dhe se nuk kishte përfituar asnjë centimetër tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim. Pas vendimit të Parlamentit, opozita e çoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.