Kryesore

EKSKLUZIVE/ Nga Serse Kosmi te Kolela dhe Longo, stoli i Elbasanit flet italisht

08:31 - 03.07.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elbasani është vënë menjëherë në kërkim të pasuesit të Nevil Dedes për stolin. Klubi në fakt është gjendur i papërgatitur, sepse tekniku kryeqytetas sapo kishte rinovuar kontratën dhe ishte gati të niste stërvitjen me skuadrën.




Tani drejtuesit po nxitojnë të gjejnë sa më parë “timonierin” e ri dhe “Panorama Sport” mëson se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një “lumë” opsionesh e sugjerimesh në tavolinë. Bëhet fjalë për emra të propozuar për të marrë drejtimin e skuadrës së rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Stoli elbasanas në fakt, sipas burimeve të gazetës, duket se është një çështje italianësh, sepse kandidatët kryesorë vijnë nga vendi fqinj. Mes emrave që qarkullojnë për trajnerin e ri të Elbasanit disa janë të njohur për ambientin futbolldashës shqiptar, por ka edhe surpriza.

 

KOSMI – Emri më i bujshëm që është propozuar është ai i Serse Kosmit. Bëhet fjalë për një trajner që ka një karrierë të gjatë dhe të pasur mbi supe, ku sigurisht veçohet periudha e tij me Peruxhian në Serinë A. Trajneri 66–vjeçar për herë të fundit ka trajnuar ekipin e Rijekës në Kroaci, nga shtatori deri në nëntor të viti 2022. Aktualisht është në pritje të një aventure të re, që mund të jetë ndoshta Elbasani. Kosmi është një emër që intrigon jo pak në kampin verdheblu dhe për momentin shihet si një ndër kandidatët më potencialë për të marrë drejtimin e ekipit. Më herët ai është përfolur edhe për të marrë drejtimin e Partizanit, por në fund nuk pati një marrëveshje mes palëve.

LONGO – Në skenë ka dalë edhe emri i italianit tjetër Diego Longo, i njohur në futbollin shqiptar, sepse ka pasur tri aventura në vendin tonë. Fillimisht ai drejtoi Kukësin, më pas Flamurtarin dhe në fund Teutën. Është një personazh që gëzon respekt dhe ka ende admirues të stilit të tij të lojës, prandaj dhe është një kandidat potencial për të marrë drejtimin e elbasanasve. Aktualisht 48-vjeçari është i lirë, kështu që nuk ka asnjë pengesë. Së fundmi ai ka qenë trajner i skuadrës së Çindias në futbollin rumun.

KOLELA – Një tjetër kandidat potencial në tryezën e drejtuesve elbasanas është edhe ai i Xhovani Kolelës. Italiani që u shpall kampion me skuadrën e Partizanit para dy sezonesh e njeh mirë futbollin shqiptar. Për më tepër është larguar duke fituar trofeun më të rëndësishëm në vendin tonë. Më herët Kolela ka drejtuar edhe skuadrën e Apolonisë dhe ekipe të tjera të dorës së dytë në futbollin italian. Për shkak të arritjes së tij me të kuqtë në futbollin shqiptar mbetet edhe ai një emër që intrigon jo pak ambientin elbasanas dhe që po shihet mundësia për t’i bërë ofertë konkrete.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.