MILOSAO

“Lutheri e Kristoforidhi”

11:22 - 22.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazeta e re , (28 dhjetor 1928)




Duke lexuar artikujt pro e kundër themelimit të Komisisë Letrare si mjet të njësimit të gjuhës sonë, na shkon mendja në historinë e letërsisë së kombeve të kulturuara, si në atë të Gjermanisë. E këtu na del përpara menjëherë fytyra vigane e Lutherit, që u çua kundër kishës romake, kishës latine; e për ta luftuar, nuk u mjaftua të përbuzë shumë fille fetare, por, për të këputur çdo lidhje me kishën latine, kthen Biblën në gjuhën gjermane.
Deri në kohë të Lutherit gjermanët nuk patën një gjuhë letrare, por secili shtet shërbehej në zyrimet e veta në dialektin e vendit. Lutheri, kur nisi përkthimin e Biblës, zgjodhi dialektin që flitej në Bavari e në Austri, atë dialekt që thirrej “gjermanishte e epërme” (Ober Deutsch). Ky përkthim i Biblës kreu njësimin e gjuhës gjermane, ajo qe teksti mbi të cilin gjuha letrare e gjermanëve vuri themelin; me këtë përkthim të Biblës mori hov përparimi i gjuhës gjermane. Gjermanët, pra, nuk pritën shkrimtarë të shquar e të pikuar nga qielli, sikur do të donte dikush, që me vështirësi që paraqet për ngritjen e Komisisë Letrare [dhe] na bën të djerrojmë çka s’kishim dashur ta besonim.
Duke marrë nëpër mend veprat e Lutherit, na shkon mendja vetvetiu te reformatori shqiptar, tek i ndjeri Kristoforidh, që për të luftuar kishën latine e njëherësh kishën greke të krishterëve shqiptarë, përkthen Biblën në gjuhën shqipe të Elbasanit, si na e kanë lënë në fjalë të urtë stërgjyshat, kur donin të tregonin një gjuhë shqipe të bukur.
Po pse ne shqiptarët nuk punuam si gjermanët e nuk u kapëm me Biblën e reformatorit shqiptar? Deri tashti s’kemi mundur, s’na kanë lejuar të huajt; por sot që jemi të lirë e të pavarur, pse nuk themelohemi mbi Biblën e Kristoforidhit? Ç’presim më gjatë? Të mos fusim dyshime, të cilat zënë vend menjëherë në mendje e në zemrat tona e na bëjnë të besojmë se ende s’qenkemi pjekur e forcuar në dashuri kombëtare!
Transkriptuar në standard nga David Hosaflook, drejtori ekzekutiv, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante
Korrektoi Teuta Toska


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.