Në prag të 10 vjetrit të pavarësisë së Kosovës, një urdhër i kryeministrit Ramush Haradinaj ka krijuar tension në Prishtinë.
Bëhet fjalë për heqjen e flamurit kombëtar në zonën e Prishtinës, të njohur si “Te rrethi” dhe zëvendësimin e tij me atë shtetëror të Kosovës.
“Tek ky i fundit nuk gjen as historinë tonë në përmbajtje dhe as demokracinë plebishitare në aprovim. Nuk zëvendësohet flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenare në mes, me flamurin që për kritere dizajni ka përjashtuar të kuqen e të zezën. Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku duhet të ngrihet, siç parashikohet në ligj, po ashtu siç i ka dhe vendet e parashikuara për raste festash. Por në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.
Kim Mehmeti: Sa e sa shqiptarë, u kalbën burgjeve, vetëm pse ëndërronin që flamuri kombëtarë të valëvitet nëpër sheshet e vendbanimeve shqiptare, e që sot, burrështetasit e Kosovës së pavarur, atë flamur ta largojnë nga ‘rrethi’ në hyrje të Prishtinës! Ku ta dish, mbase vuajmë nga mendësia që nuk e ka kuptuar se po të mos ishte flamuri Kuq e Zi, kurrë nuk do kishte flamur shtetërorë të Kosovës! Pra ne harrojmë se flamuri shtetëror të Kosovës na e vizatuan dhe na e sollën të tjerët, e atë me shqiponjë dykrenore, e mbajti ngritur gjaku i shumë gjeneratave shqiptare! Dhe sa keq ndjehet njeriu kur e sheh se bëhemi popull që i ndërron flamujt varësisht nga dora që ia gdhendë shtizat!