Data 30 prill është afati i fundit kur individët që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë mund të dorëzojnë deklaratën në organet tatimore. Referuar ligjit në fuqi, çdo individ që përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë, është i detyruar që t’i deklarojë këto të ardhura pranë administratës tatimore. “Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 dy milionë lekë”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Individët janë të detyruar të deklarojnë:
Të ardhurat bruto nga paga, apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit të individit.
Të ardhurat bruto nga dividenti, për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit.
Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale, nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit.
Të ardhurat bruto, nga interesa bankare.
Fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj, apo në pasuri të paluajtshme.
Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit.
Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
Fitimi kapital nga dhurimi.
Të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Të ardhura bruto të tjera, të cilat nuk janë listuar më lart.
Deklarata për të ardhurat e përftuara në vitin 2017 dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet sistemit ‘e-filing’.