KULTURË

Ema Andrea/ Drama “Pulitzer” dhe nata e fundit e nënës me të bijën

13:10 - 19.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Ne, kemi një jetë të mirë këtu”, i thotë Thelma Cates vajzës së saj, Xhesit, në dramën e Marsha Norman, “Natën, ma”. Thelma, një grua e ve dhe Xhesi, e bija e saj e divorcuar, jetojnë së bashku. Nuk kanë probleme me paratë. Netët i kalojnë krejt të shpenguara e të qeta, duke parë televizor.
Por, në një mbrëmje krejt të zakonshme, në mbrëmjen e së shtunës, mësojmë se ajo jetë që duket e mirë, mund të mos jetë fare e mirë në fund të fundit.
Ndërsa vajza përgatitet të kryejë ritualin e saj të përjavshëm, ku i jep së ëmës një manikyr, i thotë asaj me qetësi, pothuajse si çdo frazë tjetër të zakonshme “Do të vras veten, Mama”. Dhe, gjatë 90 minutave në vijim, nëna e Xhesit dhe pjesa tjetër e spektatorëve- duhet të përballen me faktin që Xhesi, në fakt, nuk po tallet. ‘New York Times’, në vitin 1983 e ka nisur kështu shkrimin mbi shfaqjen e realizuar me dramën e Norman. Vë në dukje, se shfaqja është shumë me komplekse se ç’duket. Duke kapur dhe përcjellë detajet kaq personale të grave të zakonshme, drama, përqendrohet te boshllëku që mbush jetën e njerëzve, në rrugët e një vendi të shkretë. Drama, jep imazhin e një vajze që do, ta kalojë natën e fundit me të ëmën, si çdo mbrëmje të zakonshme.





DRAMA
Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten? Vepra tregon fatin e një nëne, Thelmës rreth të 50-tave dhe së bijës, Xhesit rreth të 30-tave. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.
Diskutimi kritik rreth kësaj vepre është përqendruar në çështjen e vetëvrasjes në shfaqje, por, gjithashtu, është debatuar edhe për trajtimin feminist të saj. Të tjerë e lavdërojnë atë për të nxjerrë në pah luftën e grave si Thelma, për të hequr dorë nga mbajtja e fëmijëve të rritur. “Ne të gjithë i humbim fëmijët një ditë, duke menduar se na përkasin për gjithë jetën, por në të vërtetë mund të quhen vetëm “të marrë borxh”, thotë autorja Norman, nënë e dy fëmijëve.
Teatri Metropol vë në skenë dramën “Natën, Ma” shkruar nga Marsha Norman. Me regji të Ema Andreas, në të interpretojnë Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Pjesa ngjitet në skenë me një bashkëpunim për muzikën me Bojken Lakon dhe muzikantët Endi Aaron Çekani, Rei Kondakçiu. Me skenografi të Enio Shehit, premiera e pjesës është me 20 maj, ora 19:00.
“Natën, Ma”, është dramë fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror. Është përzgjedhur për t’u vënë në skenë nga bordi artistik i Teatrit Metropol në kuadër të sezonit artistik kushtuar tërësisht femrës, pas shfaqjes “Qiell i Heshtur” për të vijuar me “Natën, Ma” dhe më pas me shfaqjen “Ditari i Ana Frank”. Vepra mban regjinë e Ema Andreas dhe me interpretimin e shkëlqyer të aktores nga Kosova, fituese të shumë çmimeve Ilire Vinca dhe aktores së teatrit dhe kinematografisë shqiptare Egla Cenos. Drama e Norman është një vepër e fortë emocionale, e cila vjen në skenë nëpërmjet një interpretimi të mrekullueshëm të dy aktoreve. Shfaqja do të jetë në skenë në datat 20, 21, 22, 25, 26, 27, 28, 29 prill dhe 2, 3, 4, 5, 6 maj, ora 19:00 në Teatrin Metropol.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.