Intervista

Eda Gemi promovon librin e saj të dytë, “Integrimi socio-ekonomik i migrantëve në Greqi”

12:15 - 23.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula – Eda Gemi është një personazh “diasporik”, trajektorja e të cilës konturon multidimensionalitetin gjeografik dhe dinamikën intelektuale të rrugëtimit 27-vjeçar të migracionit modern shqiptar. Largimi drejt Greqisë në fillim të viteve ’90, studimet në Athinë dhe në Londër, aktiviteti profesional… stacione, të cilat shtrihen përtej kufijve gjeografikë dhe institucioneve konvencionale. Sot, ajo prezanton librin e saj të dytë, “Integrimi socio-ekonomik i migrantëve në Greqi” në një event të organizuar nga shtëpia botuese Papazisi dhe Libraria IANOS në qendër të Athinës. Ndërkohë, qendra e aktiviteteve të saj është zhvendosur në Vjenë, pranë Institutit të Kërkimeve Urbane dhe Rajonale të Akademisë së Shkencave të Austrisë.




Në një situatë kur migracioni është rikthyer në një temë parësore për shoqërinë shqiptare, mendoni se ligji i ri nr. 16/2018 “Për diasporën”, dekretuar më 18.04.2018, i përgjigjet pritshmërive të diasporës?
Marrëdhënia migrantë-atdhe, që përmblidhet në konceptin e diasporës moderne, përfton tashmë dimensione institucionale. Në parim, ekziston një marrëdhënie reciproke, e cila mund të përkthehet në atë që për sa kohë shteti formon dhe transformon diasporën, po aq diaspora ridimensionon shtetin. Dhe është pikërisht kuadri ligjor dhe politikat përkatës të përfshirjes së diasporës, të cilat përbëjnë kanalet prioritare të këtij ndërveprimi të anasjelltë. Këto politika marrin forma dhe nuanca të ndryshme si:
– artikulime simbolike dhe retorike mbi besnikërinë ndaj kombit,
– shfrytëzimi i remitancave në favor të zhvillimit ekonomik
– dispozitat e shtetësisë që shtrihen përtej kufijve shtetëror
– institucionet shtetërore që harmonizojnë dhe mbikëqyrin këtë proces ndërveprimi, gjatë të cilit shtetet ndikojnë dhe ndikohen nga dinamika e diasporës
Në fakt, politikat migratore dhe të diasporës janë aktualisht duke ndryshuar arkitekturën institucionale të shumë shteteve, por edhe riformuar predispozitat në themel të koncepteve të shtetësisë dhe sovranitetit. E parë në këtë kontekst, ligji nr. 16/2018 përbën, padyshim, bazën institucionale mbi të cilën ndërtohet tashmë kjo marrëdhënie. Por dinamikën ia jep, padyshim, dëshira politike dhe hapësirat socio-ekonomike që shteti dhe shoqëria shqiptare i japin diasporës. Dhe është pikërisht ky moment, i cili përcakton trajektoren historike të marrëdhënies shtet-diasporë.
E thënë kjo, impresioni i parë që të krijohet pasi ke lexuar ligjin është fakti se shteti shqiptar e sheh diasporën si entitet statik, me karakteristika të theksuara “folklorizmi”. Vlen të theksohet fakti se tek ligji në fjalë nuk përmendet dimensioni politik dhe impakti që mund të ketë diaspora shqiptare në zhvillimet politike në Shqipëri. Nëse dikush i hedh një sy të shpejtë literaturës, por jo vetëm, mbi diasporën dhe zhvillim do të vërë re menjëherë se roli i diasporës në demokratizimin dhe transparencën institucionale në vendin e origjinës është faktori esencial që i jep jetë dhe impakt kësaj marrëdhënieje.
Ndoshta kjo tendencë reflekton opinionin e artikuluar rishtazi nga krerët e elitës politike, të cilët e kanë konsideruar migracionin “si diçka normale në një botë të lirë”. Në përgjigje të kësaj do të thosha se në thelb e drejta e lëvizjes së lirë, e aksesit në tregun e punës, e vetërealizimit, e zhvillimit të personaliteti të individit janë disa nga copëzat themelore që skicojnë profilin e njeriut të lirë. Kjo presupozon se individi jeton në një botë të lirë ku vendimet e tij janë rrjedhojë e përzgjedhjeve racionale midis alternativave që i ofrojnë strukturat përkatëse. Por le të kthehemi në realitetin shqiptar. A përkon profili i migrantit shqiptar me atë të një njeriu të lirë, vendimet e të cilit udhëhiqen nga qasje racionale dhe të mirëmenduara? A e konsideron emigranti shqiptar aktin migrator si një diçka normale dhe shprehje të vullnetit të tij të lirë? A është i ndërgjegjshëm se ky akt është thjesht shprehje e lirë e preferencave të tij individuale midis alternativave të ndryshme që strukturat i ofrojnë? A është papunësia apo varfëria e skajshme pjesë e përzgjedhjeve që bota e lirë i servir migrantit shqiptar?

Si do ta “pikturonit” realitetin e diasporës, migracionit shqiptar sot në krahasim me të kaluarën?
Migracioni masiv i shqiptarëve gjatë viteve ’90 kishte karakter unik, multidimensional dhe tipare të theksuara heterogjene. Një popull i dëshpëruar kërkonte me çdo kusht lirinë. Nevoja absolute për liri, e përforcuar nga kultivimi i një imazhi idilik, pothuajse mitik i “Botës Perëndimore” nuk njihte kufizime moshe, niveli arsimor, statusi socio-ekonomik, urban, estetik apo politik. Të dalë nga një izolim absolut thuajse 50-vjeçar, amoku i arratisë kolektive u kthye ne një aventurë kombëtare. Me një popullatë prej 2.8 milionë, Shqipëria ka aktualisht një nga përqindjet më të larta të migracionit për frymë në botë, me një të tretën e shtetasve të saj që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Pas 27-vjetësh eksperiencë migracioni përmasat dhe intensiteti i këtij fenomeni kanë ndryshuar, si nga pikëpamja sasiore, ashtu dhe cilësore. Tipari themelor: masiviteti, ka pushuar së ekzistuari. Njohja me vlerat dhe sfidat e “Perëndimit”, maturimi i valëve migratore, ngritja e nivelit ekonomik dhe arsimor, kualifikimi profesional, kultura demokratike e përftuar kryesisht në vendet e destinacionit, zhvillimi i ekonomisë dhe riorganizimi i shtetit shqiptar, kanë dhënë kontributin e tyre. Paralelisht, faktorë paksa më subjektiv, si: familja, komuniteti dhe nevoja e identifikimit të individit me një “pasaportë” kolektive, kanë luajtur, gjithashtu, një rol të rëndësishëm në ridimensionimin e fenomenit të migracionit, në rivlerësimin e marrëdhënieve me realitetin shqiptar dhe konturimin e diasporës.
Pavarësisht zhvillimeve pozitive, ajo çka bën përshtypje është dëshira e vazhdueshme e shqiptarit për t’u larguar nga vendi. Në ndryshim nga vitet ’90, gjithsesi, përbërja demografike e rrymave migratore dhe konteksti institucional (p.sh liberalizimi i vizave) paraqesin specifika të veçanta, të cilat i kanë dhënë një konfigurim të ri fenomenit të migracionit shqiptar. Më konkretisht, në migracionin e parregullt (ciklik, sezonal, ilegal) përfshihen kryesisht banorë të zonave rurale, me një nivel arsimor të ulët, të cilët vuajnë nga varfëria dhe papunësia. Përbërja familjare ndryshon në vartësi të specifikave të vendit të destinacionit. Në Greqi apo Itali, për shembull, migrojnë ciklikisht kryesisht burra për punësim sezonal në sektorët e bujqësisë ose turizmit. Në Gjermani, migrojnë kryesisht familje, pasi sistemi ligjor dhe benefitet sociale përkatëse janë me favorizuese ndaj familjeve dhe mbrojtjes së tyre. Në të dyja rastet informacionin dhe plani migrator gjenerohen me ndihmën dhe solidaritetin e rrjeteve farefisnore dhe të komuniteteve shqiptare të stabilizuara prej vitesh në vendet e destinacionit. Ndërkaq, një rrymë tjetër migratore është ajo e “trurit” ose, e thënë ndryshe, e asaj pjese të shkolluar (elita intelektuale) të popullatës që në pamundësi për t’u zhvilluar profesionalisht në Shqipëri, vendos të largohet drejt vendeve të zhvilluara industriale si SHBA, Angli apo Kanada. Arsyet që shtyjnë migrantë të ri drejt largimit, janë kryesisht të lidhura me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë institucionale që karakterizon realitetin shqiptare. Ajo çka e bën unike rastin e migracionit shqiptar në hartën e migracionit botëror, eshtë fakti se ai nuk resht së prodhuari forma të reja migratore. Kthimi (si pasojë e krizës ekonomike në Greqi dhe Itali), riimigrimi (në destinacione të reja), migrimi i paligjshëm, migrimi ciklik dhe transnacional, migrimi për studime dhe azil politik janë disa nga tiparet karakteristike të migracionit shqiptar të viteve 2010-2017.

E keni karakterizuar rastin e migracionit shqiptar në Greqi si ‘sui generis’ apo e thënë shqip, ‘unik’? Pse?
Katër janë arsyet themelore – që sipas qasje time – skicojnë konturet e një realiteti pothuajse unik në studimet migratore.
Së pari, komuniteti shqiptar në Greqi përbën 70% të popullsisë migratore/të huaj në këtë vend. Shpesh herë fenomeni i migracionit në Greqi identifikohet me prezencën masive të shqiptarëve.
Së dyti, Greqia është një vend fqinj, pra ndan kufij të përbashkët me Shqipërinë. Fakt që ndërlikon trajtimin e temës migracion/diasporë pasi në të ngërthehen dimensione minoritetesh, kufijsh e identitetesh etnike.
Së treti, na bashkon dhe na ndan një trashëgimi historiko-kulturore që, në mjaft raste, ka marrë përmasa konfliktuale. Kjo padyshim lidhet me mënyrën sesi është formuar shteti-komb në Ballkan dhe perceptimin e “Tjetrit” në kulturën politike. Meqë flasim për kulturën politike është me interes të shohim se si ndërthuret politikbërja e brendshme me atë të jashtmen apo anasjelltas në rastin e marrëdhënie shqiptaro-greke.
Së katërti, impakti i krizës ekonomike ka gjunjëzuar aktualisht migracionin shqiptar në Greqi. Fenomene si migracioni i parregullt, kthimi, re-migrimi, migracioni ciklik apo forma të ndryshme të mobilitetit kanë ndryshuar hartën antropo-gjeografike të migracionit shqiptare. Impakti i krizës është mjaft i dukshëm në raport me indikatorët ekonomik si në nivel individ/familje (p.sh., remitancat, papunësia) ashtu dhe në nivel sistemik (p.sh., investimet greke në Shqipëri, kontributi i remitancave në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë).

Cilat janë projektet me të cilat po merreni aktualisht?
Kam disa projekte në dorë, të cilat kanë të bëjnë me studime në kontekstin e institucioneve me të cilët bashkëpunoj, si edhe punime të mia, individuale. Mund të përmendja 3 projekte me të cilat po merrem me intensivisht këtë periudhë.
Projekti i parë është studimi i kryer pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë në Vjenë. Tema e studimit është analiza krahasuese e tri proceseve shume të rëndësishme në studimet migratore. Këto janë integrimi, transnacionalizmi dhe kthimi, të vendosura në kontekst krahasues ndërshtetëror. Më konkretisht, në qendër të studimit është migracioni shqiptar në Greqi dhe Austri. Risia e këtij studimi konsiston në faktin se për herë të parë vjen në skenën e kërkimeve akademike migracioni shqiptar në Austri, i analizuar sipas një tipologjie triangolare themeluar mbi dinamikën evoluese të tri faktorëve: migrantët shqiptarë, vendi pritës (Greqi, Austri) dhe shteti i origjinës (Shqipëria). Interesant është, gjithashtu, fakti se krahasohen dy shtete qe megjithëse janë anëtare të BE, kanë dallime esenciale kontekstuale, në sistemin e qeverisjes (federale vis-a-vis centralizuar), në kulturën politike dhe padyshim në perceptimin dhe përballjen me “Tjetrin” historik dhe kulturor. Ky studim do të materializohet në një monografi, e cila do të botohet në vjeshtë, nga vetë shtëpia botuese e Akademisë së Shkencave të Austrisë.
Jam, gjithashtu, në përfundim të shkrimit të një studimi mbi kthimin, riintegrimin dhe mobilitetit të shqiptareve në nivel krahasues midis dy shteteve Greqisë dhe Italisë. Janë pikërisht këto dy shtete ku ka migruar pothuajse 80% e shqiptarëve dhe njëkohësisht shtete ku impakt i krizës ekonomike është shumë i theksuar tek migrantët. Ky studim kryhet në bashkëpunim me European University Institute, në Firenze të Italisë.
Së treti, po merrem me një projekt pothuajse eksperimental, që më ka intriguar kohët e fundit. Mbulon një hapësirë tjetër të interesave të mia akademike, pra të studimeve gjinore apo feministe. E konsideroj një ndërmarrje eksperimentale, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, pasi është një kombinim i ngacmimeve teorike, por i ilustruar me elemente reale të dala nga “laboratori” i shoqërive ballkanike. Nga pikëpamja e formës, kombinon philospical fiction me nota të theksuar satirike. Titulli është “Ditari i një bashkëshorti altruist”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.