Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka nisur planin e masave për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor nga tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike në mbarë vendin. Mbarëvajtja e këtij sezoni është në interes të së gjithë ekonomisë, të fluksit të turistëve, si dhe të bizneseve, që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike.
Administrata tatimore u bën thirrje të gjitha bizneseve dhe operatorëve turistikë që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor dhe detyrimet që rrjedhin prej tij. Tatimet sjellin në vëmendje se strukturat e administratës tatimore do të kontrollojnë dhe verifikojnë të gjithë tatimpaguesit, përgjatë gjithë sezonit në lidhje me: 1. Respektimin e detyrimit për të qenë të regjistruar si biznes në QKB dhe në administratën tatimore. Mosrespektimi i këtij detyrimi penalizohet me bllokimin e mallrave dhe detyrimin për regjistrim direkt në TVSH. 2.Respektimin e detyrimit për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport.
Në rastin kur tatimpaguesi i paregjistruar në TVSH gjendet me mallra të padokumentuar, përveç penalitetit përkatës të barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument, gjithashtu bëhet edhe ndryshimi përgjegjësisë tatimore, duke e kaluar në tatimpagues me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së. Në rastin kur tatimpaguesi është regjistruar në TVSH, vendoset penaliteti përkatës, i barabartë me detyrimin tatimor të mallrave pa dokument. 3. Respektimin e detyrimit për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij. Sipas ligjit të Procedurave Tatimore, kur gjatë një verifikimi në terren konstatohet një tatimpagues, i cili nuk lëshon kupon tatimor për herë të parë, përveç vendosjes së gjobës në masën 50,000 lekë, për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet edhe vlerësim tatimor nga zyra për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative.
Pas konstatimit të parë, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, merret edhe masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike. Çdo konstatim i përsëritur i moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit, konsiderohet evazion tatimor sipas pikës 2, të nenit 116, të ligjit të Procedurave Tatimore. Gjithashtu, publikohen emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.