MILOSAO

Dasha Drndiç, një autore e madhe, mike e shqiptarëve

14:45 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Pothuaj gati i njëjti tekst u shkrua pak orë pas vdekjes së saj. Autorja Dasha Drndiç ishte një mike e shqiptarëve, sëmundja e të cilës bëri, që ajo të mos rikthehej më në vendin tonë, sipas premtimit që kishte bërë. Gjithsesi, la pas një seri shkrimesh të gjetura për kryeqytetin, që do të vinë shumë shpejt, paçka se e kish bërë Shqipërinë pjesë të krijimeve të saj, të njohura “Sonnenschein” dhe “Belladona”.
Një anti-komuniste e bindur dhe një njeri pa shumë etiketa, kur duhet të thoshte të vërtetën, ajo ka ndarë me shqiptarët e letrave dhe miqtë e saj në Ballkan momente të mira reflektimi dhe qasje të shkuarës. “Unë kam gërmuar të gjitha varret e imagjinatës dhe dëshirave… Jam rrotulluar nëpër një seri të ruajtur të vërtetash pa gjetur një gjurmë logjike”, e citojmë nga Paris Review.




Kishte fituar njohje ndërkombëtare dhe ndërkohë me veprën e saj i pati dhënë një status të lartë dhe tepër interesant letërsisë kroate, që funksionon si degë e veçantë në letërsinë sllave pas ndarjes së ish-Jugosllavisë. Tema për të cilën ishte më e predispozuar ishte ajo që lidhej me përballjen e individit me vetëdijen dhe sidomos me kujtesën. Ishte tejet e interesuar me rastin shqiptar për këtë përballje dhe me miqtë e saj shqiptarë ndau shumë e shumë gjëra. Pak vite më parë qëndroi në rezidencën e “Poetekës” për shkrimtarët ballkanikë në Tiranë dhe la për kryeqytetin një cikël shumë të bukur reportazhesh, të cilat do të jenë në Panairin e Librit, që zhvillohet në Nëntor. Mbi të gjitha solli emrin e saj, si pjesëtarë e komunitetit të Residencës, që ka prodhuar aq gjëra interesante për kryeqytetin dhe që do të jenë në të ardhmen si trashëgimi e bukur për publikun shqiptar.
Por jo vetëm kaq. Ajo u mundua të dhuronte një pjesë të librave të saj për Bibliotekën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. Nuk arriti. Burokracia e mundi përpjekjen dhe dëshirën e Drndiç. Nuk dilte njëri të mbulonte shpenzimet nga pala shqiptare kurse shkolla e kish të pamundur t’i tërhiqte sepse duheshin mbushur shumë e shumë procedura. Në fakt, ata as nuk e njihnin. Kjo përpjekje e bukur mbeti udhës si shumë të tera syresh, që i drejtohen vendit tonë.

“Poeteka” i botoi romanin e saj të njohur “Sonneschein”, që në shqip erdhi me dëshirën e autores me titullin-epigram “Fëmijët e urrejtjes dhe dashurisë”. Arsyeja ishte se titulli origjinal përbënte disi një gjë të pakuptueshme për publikun shqiptar, që nuk është në masë gjermanofil. Në këtë libër ka një seksion ku Shqipëria përfutet në rrjedhën e ngjarjeve të personazhit kryesor, ashtu si te “Belladona”, por edhe këto elementë nuk bënë që libri të përcillej gjerësisht ashtu si po ndodh me shumë libra të njohur në Shqipëri, vendin që sot vuan nga të gjitha, por më së shumti me gjërat që e lidhin me kulturën.

Aftësia e Dashës ishte për t’u futur thellë në të fshehtën e të kaluarës që ruajnë dokumentet, kujtimet, fakte të cilat sot janë të komprometuara nga ana morale dhe nga të gjitha elementët e tjera prej fuqive që duan t’i fshijnë, por edhe me atë qëmtimin e zërave të viktimave krejt të humbura. Në të gjallë ajo e zgjidhi këtë problem me një përmasë logjike që i shkonte formës: ajo mblodhi me sukses një mori jetësh, rregulloi këtë grumbull të së kaluarës dhe krijoi një seri të papërcaktuar të ngjarjeve, ku jetohej. Mbi të gjitha ajo demaskonte këtë fashizëm të ri, që duket se po lind nga një shoqëri kaq shumë e shkatërruar prej tejkalimeve të çdo lloj forme, që ne e hasim ngado. Dhe, kjo është e para, ajo nuk mund të bënte pakt me këtë shoqëri krejt të dorëzuar. “Nuk ka fashizëm të vogël, nuk ka nazizëm të vogël, apo nazisëm beninj. Kjo është ajo që unë përpiqem të flas në librat e mi, pra rëndësia e kujtimit. Në këtë epokë të revizionizmit agresiv – i cili tenton të trullos mendjet tona tashmë të dëmtuara, deformuara – pa kujtesë, ne jemi pre e lehtë për manipulim, dhe po humbim identitetin”, citohet ajo.

Drndic nuk u ndal vetëm këtu por i zbukuroi romanet e saj të vlerësuara sot ndërkombëtarisht me elementë dokumentarë që e provojnë Holokaustin nga disa kënde. Ajo jep jetët reale të njerëzve që bënë Aushvicin, fotografitë reale të tyre, skicat biografike, transkriptet biografike, listat e stërgjata emërore, dëshmitë dhe elementë të ndryshëm përshkrimorë.

“Ajo që lidhet me shkatërrimin ekziston edhe kur nuk ndodh më, sepse kthehet disi dhe vazhdimisht përsëritet në kujtesë, e nëpërmjet kujtesës ajo rikthehet përsëri”, shkruan në librat e saj.
Ashtu, si ndodh me autorët kërkues ndaj kohës së tyre, ajo mbetej e trishtuar për lexuesin që nuk lexon më ajo, ndaj ajo përdorte gjithçka që ai të futej në hullinë e leximit. Dukej sikur po e merrte për dore. “Lexuesi që ka humbur aftësinë për të imagjinuar të kuptojë fjalët dhe mundësitë e menjëherta, të cilat janë gjithnjë e më pak të njohura. Procesi të menduarit është thjeshtësuar turpshëm”, pohonte diku tjetër . Dhe, në përpjekjen e saj Dasha, ku mbushte gjithçka me detaje, besonte se i kishte ardhur fundit të përpjekjes së saj që t’i shpjegonte lexuesit deri në detaje për librat e personazhet e saj mes tyre.

Në Shqipëri në kërkimin e saj për trashëgiminë e komunizmit ajo do të hasej me shumë personazhe. Maks Velon do ta përshkonte në mënyrë jashtëzakonisht poetike si askush tjetër dhe me adhurimin e një jete të mbijetuar. Do të njihte realisht edhe të tjerë, që kishin vuajtur dhe ata që me sintaksa të fryra i thoshin se gjërat janë të ekzagjeruara! Këtyre të fundit arriti t’ua plaste hapur. Jo komunizmi ishte i pamëshirë. Mos e mbroni!

Dasha shikonte dhe e qëmtonte detajin, sepse përmes detajit ajo mendonte se qëndronte një kapacitet i tërë për të parë, këqyrur, dëgjuar dhe ndjerë. Pa detaje, sipas saj, do kishe një material të tharë.

Duhet të kini kurajë për të kaluarën tuaj dhe ta dashuroni atë, u shprehej ajo dëgjuesve shqiptarë, që më shumë se për të njohur mënyrën dhe teknikat e romanit të kujtesës i kërkonin t’u thoshte gjëra për kotësinë sllave, nga ato të ngjashmet me të cilën është e mbytur jeta jonë. Nuk besonte se arti i mirë mund të ndryshojë gjë në këtë hulli, por ishte e bindur se ajo gjithsesi mund të ndryshonte gjëra.

“Arti nuk mund ta ndryshojë botën, por mund të na ndryshojë ne. Arti mund dhe mund të estetizohet, por nuk mendoj se ky është funksioni i tij i vetëm. Les belles lettres është një term shumë i vjetëruar, pra sot një koncept me pothuajse asnjë peshë. Arti, që duhet të bëjmë, duhet të shokojë, lëndojë, ofendojë, intrigojë, të jetë një kritik i pamëshirshëm i kohës së pamëshirshme ku s’jemi më vetëm dëshmitarë, por edhe viktimat. Në këtë fushë, të ashtuquajturit intelektualë kanë dështuar jashtëzakonisht – duke heshtur, duke kryer tradhti, siç do të thoshte Julien Benda nga La trahison des clercs. Letërsia e mirë kërkon një traumë – një traumë personale, kolektive dhe historike, pa marrë parasysh aftësinë që duhet për ta formuluar atë. Letërsia e mirë nuk ka nevojë për “një histori”. Kështu paraqiten ngjarjet që e ndajnë letërsinë e mirë nga shkrimi mediokër imagjinar, shpesh një ndërtim linear i mërzitshëm”.

Dasha u gjend shumë afër në përkthimin e librit të saj në shqip dhe botuesi Arian Leka dhe artikullshkruesi(përkthyesi), ruajnë kujtimet më të mira për një mike të madhe të shqiptarëve por edhe një shkrimtare që të mësonte sesi të mos humbje në zgafellet e kujtesës dhe problemet e përkthimit.
Vdekja, disa herë, realisht nuk është se i bën gjë disa njerëzve që lenë shumë nga veprimtaria e tyre dhe këtë herë Dasha Drndiç nuk është se u dëmtua shumë nga vdekja, që e priste prej një viti e gjysëm. Ajo e sfidoi se la një vepër të bukur… (Milosao)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.